Nga antisemitizmi tek islamofobia, Evropa në mes

Javier Valenzuela

Përmes personazhit Simonini në “Varrezën e Pragës”, Umberto Ecco përshkruan zanafillën në shek. XIX  të mashtrimeve të helmatisura që i shndërruan hebrenjtë në ‘kurbanin’ e të gjitha të këqijave të Evropës, çka shpuri më pas në tmerret e Holokaustit. Siç kujton Umberto Ecco, individët, lëvizjet dhe shërbimet sekrete që fabrikuan për të satën herë radhazi antisemitizmin evropian, kishin një fill përbashkues: kundërshtinë instiktive ndaj Iluminizmit, mbartës i lirisë, tolerancës, pluralizmit e kozmopolitizmit. E diskredituar dhe e dënueshme ligjërisht, sot urrejtja ndaj hebrenjve(Antisemitizmi) është zëvendësuar me urrejtjen ndaj myslimanëve (Islamofobinë), e shkaktuar kjo nga lëvizje reaksionare perëndimore të shek. XXI që ushqehen nga ide e ndjesi urrejtëse kundrejt tjetrit, të ndryshmit, të huajit.
 
Masakra e dyfishtë e kryer në Norvegji nga ekstremisti Anders Brejvik nuk është një ndodhi e veçuar, por një shpërfaqje e frikshme dhe gjithnjë e në rritje në Evropë e SHBA e ndjenjës së urrejtjes ndaj myslimanëve nën flamurin që përbashkon ata që shpallin si moto pastërtinë mitike të trungut të perëndimorit që sundohej nga kambanorja. Si trashëgimtare e veprimtarisë reaksionare të shek. XIX dhe fashizmit të shek. XX, këtij lloj këndvështrimi iu bashkëngjit me gjasa edhe ndjenja e marazit ndaj së majtës së iluminuar e universaliste, “bashkëpunëtorja’ e sotme e myslimanëve ashtu siç qe dje “bashkëfajtore” me hebrenjtë.
 
Nuk kemi të bëjmë thjesht me faktin se e djathta ekstreme ka arritur rezultate të kënaqshme elektorale në Norvegji, Danimarkë, Finlandë, Holandë, Austri, Francë, Hungari e Itali; por çështja qëndron te satanizimi i emigrantëve myslimanë si një agjendë e ngjeshur e partive populiste. Edhe në Spanjë, kursi gjithnjë e në rritje i shfaqjes së grupimeve haptazi  islamofobe në Hospitalet, Santa Coloma, Mataró, Silla apo Alcalá de Henares, simpatia e shprehur ndaj të djathtës ekstreme populiste e ksenofobe spanjolle, asaj tradicionaliste katalanase dhe ndaj kryqtarëve të shfarosjes së hebrenjve e myslimanëve (matamoras- ammazza saraceni(mori), Granada, viti 1492-shën. red), të atyre që José María Izquierdo i personifikon si “Brirët e Apokalipsit”, ka lëshuar hije të rënda dyshimi te hipoteza e tyre se demokracia jonë ka imunitet ndaj të djathtës ekstreme. Është mjaft kuptimplotë fakti që thuajse të tëra të përditshmet spanjolle e shpërfaqin e Anders Brejvikun si “një i çmendur i izoluar”, e gati sa nuk thonë që të mos “inkriminohen idetë e tij”.
 
Ashtu si edhe antisemitizmi, edhe islamofobia ka rrënjë të thella e të hershme në Evropë. Këto shfrehje kanë nxjerrë kokë në propagandën e luftës së Kryqëzatave dhe “Reconquista”-s; janë ujitur në kohën e pushtimeve koloniale të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme, e që identifikohen shkoqur kundrejt maurit, arabit, saraçenit, turkut, myslimanit – apo edhe  të gjithëve së bashku – sa mizorisht aq edhe me fanatizëm. Në ditët e sotme, sigurisht që ogurziu Bin Laden dhe sulmet makabre të kryera nga Al Kaeda i kanë dhënë krahë stereotipeve që pohojnë se Islami në vetvete nga njëra anë  dhe demokracia e të drejtat e njeriut nga ana tjetër  janë të papërputhshme, që të gjithë myslimanët janë terroristë, apo më së paku, fondamentalistë potencialë.

Në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli, frika e yshtur nga sulmet e 11 shtatorit u shfrytëzua për të tkurrur liritë dhe të drejtat e njeriut në Perëndim dhe për të damkosur si të dyshuar emigrantët myslimanë. Këta të fundit nuk shihen si qenie njerëzore që kryejnë shumë punë të cilat vendasit nuk i dëshirojnë, as edhe si njerëz të zakonshëm, që sipas të gjitha anketave e studimeve pranojnë shumicën e parimeve dhe vlerave të demokracisë, përfshirë edhe laicizmin e barazinë gjinore, por i shquajnë si “kolonë e pestë” konspirative që synon të islamizojë vendet tona përmes vendosjes së ndalimit të përdorimit të alkoolit, të bërjes  ditë pushimi të së  premtes,  të vendosjes me  detyrim të mbajtjes së mbulesës femërore. Kështu, në shoqëri me probleme të rënduara ekonomike, sociale e politike, vihen re edhe teprime të pakuptimta si mbulesa tërësore që përdoret vetëm prej disa dhjetëra individësh.  

Pikërisht në qenien e një plani sekret për të islamizuar gjithë Evropën-  një version bashkëkohor i “Protokollit të të Urtëve të Sionit”- beson vrasësi Brejvik dhe bashkë me të edhe miliona evropianë. “Është si Hitleri, por ndaj myslimanëve”, është shprehur për këtë të përditshme sociologu norvegjez Johan Galtugn. Ka të drejtë: këto ide, si ato të “Mein Kampf”-it, të nacionalizmit totalitar të ETA-s apo edhe ato të  Bin Ladenit, marrin  jetë njerëzish.

Jeta është gjithnjë  në lëvizje dhe analizat e kryera dhjetë vite më parë sot nuk hyjnë edhe aq në punë. Është e rëndësishme të kuptohet se sfidat e dhunshme ndaj demokracive tona janë aq të shumëfishta, saqë dhe rreziku që vjen prej tyre tkurret nga njëra anë e bymehet nga tjetra. Në Spanjë, për shembull, edhe pse na ishin shpuar hundët nga aroma e azotit të veprimeve të ETA-s, asokohe Al Kaeda na goditi mizorisht në “11-M”. Kështu, pa e hequr nga mendja rrezikun e një Al Kaede në tatëpjetë, që  mund të godasë rishtas pa pritur e pa kujtuar dhe në çdo vend, një bishë e egër është fanitur në gjirin e shoqërive tona dhe sapo shfaqi në Norvegji grykësinë e saj gjakpirëse.

Dhjete vite pas “11-SH”, kërcënimi i radhës ndaj lirisë dhe sigurisë sonë nuk vjen nga jashtë, por nga brenda: ringjallja e një ideologjie që, edhe pse në shumicën e rasteve nuk shpalos kryqin e thyer nazist, nuk shpërfaqet me përshëndetjen fashiste romake apo nuk mban rrip lëkure në brez, gjithsesi e ka zëvendësuar antisemitizmin me islamofobinë, si dhe vijon të urrejë Iluminizmin që tashmë e njohin si “Maji i 1968-ës”. Brjevikët dhe miqtë e tyre, skuadronet e përplasjeve, mendojnë se duke shfarosur armikun – myslimanët e pabesë dhe forcat progresiste – do të shp
ëtojnë nga zhdukja civilizimin e bardhë e të krishterë. Ia vlen të shihet nëse strategjia anti-terroriste e BE-së është vetëdijesuar për praninë e rrezikut të “murtajës së re naziste”.




Shqipëroi për “Start”: Zamir Gjurgji
 
Artikulli paraprakPerandoria Gylen në Shqipëri
Artikulli vijuesTridhjetenjë prova kundër Naser Kelmendit