Nga Rick NOACK*: Parlamenti gjerman ende refuzon të njohë një genocid të vetin

Kur parlamenti gjerman njohu zyrtarisht “genocidin” armen javën që shkoi, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u kundërpërgjigj me zemërim. Por, edhe pse politikanët kryesorë në Berlin ishin të shpejtë për të hedhur poshtë kritikat e tij, historianët thonë se të paktën një nga argumentet e presidentit turk duket habitshëm bindës.

Erdogan apeloi Gjermaninë që së pari të përballet me historinë e vet përpara se të dënojë vendet e tjera – dhe ai preku në nerv kur iu referua në mënyrë specifike një masakre që forcat gjermane kryen midis viteve 1903 dhe 1908 kundër tribuve afrikane Herero dhe Nama në Namibi.

Edhe pse ministria e jashtme gjermane i ka klasifikuar mizoritë e kryera në ish-koloninë gjermane si genocid dhe krime lufte, parlamenti gjerman nuk e ka njohur si të tillë- pavarësisht apeleve nga grupe të të drejtave të njeriut.

Disa politikanë të lartë gjermanë, si presidenti i parlamentit, Norbert Lammert, kanë qenë të zëshëm në mbështetjen e grupeve të të drejtave të njeriut. “Matur me standardet e sotme të ligjit ndërkombëtar, shtypja e revoltës së tribusë Herero ishte genocid”, argumentoi Lammert vitin e kaluar, duke dënuar përdorimin e forcës nga gjermanët në atë kohë si një “luftë rracore”.

Në fillim të shekullit të 20-të, Gjermania i konsideroi tributë Herero dhe Nama si kundërshtarë të rrezikshëm dhe “terroristë”. Të nxitur nga uria dhe varfëria, dy tributë u rebeluan kundër kolonialistëve gjermanë, që përdorën dhunë brutale për të shtypur revoltën.

Dokumentet dëshmojnë se ushtarët gjermanë kishin urdhër të vrisnin të gjithë anëtarët e dy grupeve, pavarësisht nëse ishin të përfshirë ose jo në luftime. Nga 100 mijë pjesëtarët e tribuve, vetëm 20 mijë i mbijetuan dhunës. Fëmijë, gra dhe burra ose u vranë në beteja ose u dërguan në kampe përqëndrimi.

Historianë me peshë argumentojnë se masakrat në Namibi ishin genocidi i parë i shekullit të 20-të, duke u paraprirë masakrave të armenëve dhe Holokaustit. Duke folur për revistën gjermane, Der Spiegel, historiani Juergen Zimmerer tha se ishte “e pazakontë që parlamenti gjerman nuk ka kurajon të njohë hapur fajin gjerman”.

Ekspertë të tjerë bien dakord që çështja është më pak kontroverse sesa sugjeron mungesa e vullnetit të parlamentit për të miratuar një rezolutë. Duke folur për portalin online T, historiani Ulrich Delius ofron disa arsye që mund të shpjegojnë mungesën e një rezolute të tillë. “Genocidi ndodhi shumë larg dhe më shumë se 100 vjet më parë”, thotë Delius. Ai argumenton gjithashtu se parlamenti mund të hezitojë të njohës zyrtarisht genocidin për shkak të frikës së pagesave për kompensim. “Nëse njohim genocidin, do na duhet të paguajmë”, tha ai.

Mungesa e konsensusit politik është i pazakontë për një vend si Gjermania e cila është përballur fuqishëm me aspekte të tjera të disa prej orëve më të errëta të historisë së saj, ku përfshihen krimet e nazistëve.

Anëtarët e parlamentit që kundërshtojnë të njohin masakrën në Namibi si genocid nxjerrin si argument se termi u përfshi në ligjin ndërkombëtar pas përfundimit të luftës së dytë botërore – shumë kohë pas kishin ndodhur krimet.

Ky argument është përdorur edhe gjetkë si një fakt racional kundër njohjes së genocideve të veçanta. Rasti më i famshëm është ai i Turqisë dhe masakrat e deportimin e mbi 1 milionë armenëve që jetonin nën Perandorinë Osmane në vitin 1915.

*Rick Noack është gazetar që shkruan për çështje të politikës së jashtme nga Europa për shtypin amerikan si dhe për median gjermane. Artikulli është botuar në gazetën amerikane “Washington Post”

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Artikulli paraprakZbulohet ilaçi që “shëron” njerëzit nga Islamofobia (Video)
Artikulli vijuesNjë shkrim i Erdoganit në Bloomberg për Muhammed Aliun dhe disa pamje nga ceremonia fetare për ish-boksierin