Nimic: Kriza migruese krijon presion për gjetjen e zgjidhjes për kontestin e emrit

Ndërmjetësuesi i KB­së në kontestin mes Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë, Methju Nimic konsideron se pas zgjedhjeve në qershor sërish do të krijohen kushte për zgjidhjen e këtij problemi. Në intervistë për televizionin SKAI, të cilën e transmeton “Katimerini”, Nimic thekson se kriza migruese e bën ende më të rëndësishëm momentin për zgjidhjen e problemit, duke plotësuar se përderisa ai do të ishte i zgjidhur deri tani të dy vendet do të ishin partnere në BE dhe NATO, ndërsa problemi i refugjatëve do të tejkalohej në mënyrë më efikase, transmeton MIA.

Nimic potencon se ndjen keqardhje sepse një periudhë të gjatë ka pasur “zbrazëtirë” e cila nuk ka lejuar të përkushtohet mjaft vëmendje në përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi. “Megjithatë kohëve të fundit ajo ishte tejkaluar, kontaktet mes përfaqësuesve të të dy palëve janë rikuperuar dhe është gjetur ton i vërtetë që të ristartohet procesi negociues”, thekson Nimic.

Ai thotë se të dy palët, nga koha në kohë, kanë dhënë mjaft deklarata të ashpra. “Është zhgënjyese ajo që ka pasur periudhë të deklaratave të ashpra, por mendoj se testi i vërtetë për bisedime serioze do të ketë kur dy palët do të ulen në tryezë dhe do të përballen njëra me tjetrën në përpjekje që të gjejnë zgjidhje. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet ndonjë progres, potencoi mediatori Nimic në emisionin “Rrëfime”.

Në pyetjen kur do të ulet në tryezë negociuese me dy palët, Nimic theksoi se momentalisht në Maqedoni ka Qeveri të përkohshme me mandat që të organizojnë zgjedhje në fillim të qershorit dhe ka shprehur bindje se do të organizohet proces jokontestues dhe proces korrekt, pas së cilës do të formohet qeveria e re. “Kur do të formohet qeveria e re, besoj se Athina dhe Shkupi do të takohen me mua dhe do të bëjmë përpjekje serioze për zgjidhjen e këtij problemi”, thotë Nimic.

Sa i përket përdorimit të “IRJM”­së, Nimic potencoi se kjo referencë është e obligueshme dhe për Kombet e Bashkuara dhe për organizata tjera ndërkombëtare si emër i përkohshëm në pritje të gjetjes së zgjidhjes, ndërsa në aspektin dypalësh, shtetet mund ta quajnë vendin siç të vendosin, ndërsa Këshilli i sigurisë nuk mund t’i udhërojë ndryshe.

Artikulli paraprakAlma Lama i del në mbrojtje Ermira Mehmetit duke fyer myslimanët e duke cituar Biblën
Artikulli vijuesBDI ka përgatitur qindra padi penale për shpërndarësit e bisedave “Hot-Line”