NJË DITË AGJËRIM – Përshtypje nga një ndërkombëtare jomuslimane që provoi agjërimin

ELIZABETH GOWING, GAZETAJNK
 
Do të vëreni shenjat e Ramazanit, muajit më të shenjtë nga të gjithë për myslimanët, nëse banoni në Kosovë, edhe në Prishtinë. Shenja më e dukshme është agjërimi i besimtarëve gjatë orëve të ditës. Ka më shumë njerëz që lëvizin me ngadalë, që kanë frymë më të thartë e që nervozohen më lehtë. Pastaj është ezani në aksham – i cili për pjesën më të madhe të vitit është vetëm sfond ekzotik për kafiçat e Prishtinës – e që tash bëhet diçka që pritet me kujdes.
 
Muajt e kalendarit islamik mund të jenë të njohur për ata që nuk janë myslimanë nëse kujtoni emrat e njerëzve të lindur në muajt Rexhep, Muharrem, Shaban ose Ramadan. Muajt nuk lidhen me kalendarin perëndimor, sepse kalendari mysliman është hënor. Prandaj, kur kam ardhur në Kosovë, Ramazani ishte në tetor dhe i është afruar verës secilin vit. Nga pikëpamja e agjërimit, kjo nënkupton që ka vite kur Ramazani është më shumë ose më pak i lehtë. Sivjet, me ditë të gjata dhe temperatura të larta, është i vështirë. Dhe, mendoja, ndoshta nuk është vit i mirë për mua që ta provoj agjërimin.
 
Agjërimi nuk është diçka që më vjen natyrshëm. Jo vetëm që më pëlqen ushqimi, por organizmi im duket se ka shumë nevojë për ujë. E rregullat e Ramazanit ndalojnë pirjen gjatë ditës – duke përfshirë edhe ujë edhe duhan. Ky ishte shqetësimi im kryesor.
 
Ta qartësoj që prej fillimit: unë jam turiste në Ramazan. Nuk jam myslimane, as nuk planifikoja të agjëroja tërë muajin. Por ajo që më ka detyruar të shtrihem në krevat si njeri i mjeruar ishte pjesërisht kurioziteti dhe pjesërisht ndjenja e mirësjelljes. Isha ftuar për iftar – shujta me të cilën përfundon agjërimi. Mendoja se nëse do të ulesha në orën 20:15 në një sallë me plot njerëz që kanë pasur uri tërë ditën dhe që pastaj ta ndaj përvojën e ngrënies dhe pirjes me ta, disi do të ishte mashtruese nëse unë do të kisha qenë duke u ngopur para një ore me çokollatë dhe pije të freskëta. Një ftesë për iftar shkon me agjërim. Dhe gjithashtu ndoshta është një shans për të kuptuar diçka për vetëmohimin, për tepricën, për atë se si menaxhojmë burimet tona dhe të botës.
 
Miqtë e mi më kanë ndihmuar që t’i kuptoj rregullat. U çova në mes të natës (rreth orës 02:30) që të ha shujtën e fundit dhe pastaj nuk kisha mundësi të ha më për 17 orë. Sipas traditës, zakonisht kjo është një shujtë me mish dhe një shoqe më sugjeroi që një alternativë vegjetariane mund të jetë me kikirikë. Por kur erdhi koha nuk mund të haja kaq shumë me kripë dhe asgjë më tepër se një pjeshkë. U fokusova në hidratim. Kam pirë vetë një shishe të tërë me ujë dhe kam rënë të fle me shumë brenga.
 
Droja doli e drejtë, sepse kur u zgjova, pas një nate të nxehtë, qysh atëherë kisha etje. Shkova në tualet herët në mëngjes dhe me siguri që atëherë humba të gjitha grumbullimet e ujit. E shikova kohën: kishte edhe 12 orë me diell për të kaluar. Fillova të mendoj për 600 milionë njerëz tjerë që i bashkëngjiten këtij privimi me dëshirë. Dyshova për atë se cilat janë qëllimet tona.
 
Por, ja çfarë mësova…
 
Nuk mund të them se kam arritur një gjendje të re shpirtërore dhe të mos kujdesem, si rezultat, për nevojat e trupit. Përafërsisht çdo tre minuta kam menduar për fontana, akull, limonadë, shishe në frigorifer… Por gjithashtu jam bërë më e vetëdijshme për trupin tim, duke u zbrazur. Pas çdo ore, derisa pështyma dhe urina bëheshin më bajat dhe zorrët bënin zhurmë me jehonë, kuptova dhe që një ditë do të zhdukem…
 
Kam menduar shumë për urinë dhe për skamjen. E di që shumë myslimanë shfrytëzojnë rastin gjatë Ramazanit t’u dhurojnë të varfërve ushqimin që nuk e kanë ngrënë, një shumë parash të barabartë etj. Më është kujtuar që simptomat e etjes dhe urisë, kureshtje për mua, janë diçka e përditshme për njerëz të tjerë në botë. Kam menduar për familje, madje edhe në Kosovë, që kanë uri çdo ditë dhe për të cilët ndjenja ime në zorrë nuk është një përvojë e jashtëzakonshme, por një rrezik i çdoditshëm.
 
Më ka bërë përshtypje ndjenja e bashkimit me atë se si shoqëria ime myslimane më ka dërguar mesazhe në “Facebook” duke më uruar agjërim të lehtë, duke u lutur në emrin tim që Allahu të ma pranojë agjërimin. Papritur jam ndier e mbështetur dhe si pjesë e një përvoje të përbashkët anembanë Kosovës, por edhe miliarda njerëzve myslimanë gjatë historisë dhe në tërë botën që e zbatojnë këtë obligim të shenjtë – njëra prej pesë shtyllave të fesë islame – jo vetëm për një ditë si eksperiment, por një muaj në tërësi, çdo vit të jetës së tyre, kur janë të shëndoshë dhe të rritur.
 
Kur erdhi koha, në fund të ditës, kam shijuar – thellësisht dhe si diçka të re – vlerën e ushqimit dhe pijes. Jemi ulur së bashku duke përfunduar agjërimin në mënyrë tradicionale, secili me pak ujë dhe një hurmë. Rreth tryezës të gjithë kemi ndier kënaqësinë e freskisë, kemi ndier sheqerin duke kënduar nëpër damarët tanë, kemi vërejtur njerëzit përreth duke u ringjallë, duke marrë frymë më lehtë. Dhe ishim mirënjohës për bereqetin – që kemi shumë; që kemi mjaft.
 
 
 
Autorja është aktiviste e shoqërisë civile në Kosovë. Ajo agjëroi një ditë Ramazan për kureshtje, por nxori disa mësime nga etja dhe uria e saj.
Artikulli paraprakMbreti i Malajzisë: Kur'ani të përdoret si udhëzues në të gjitha çështjet
Artikulli vijuesKështu duket tabela në grupin e Shqipërisë