Një libër që tregon se si e mashtruan grekët veten

Një ishull i tërë që pretendonte se ishte i verbër, për të marrë pagesa sociale, 8500 pensionistë që falsifikuan datëlindjen, për të treguar se ishin mbi 100 vjeç, dhe avoketër që pretendojnë se fitojnë vetëm 12 mijë Euro. Libri që tregon mashtrimet e grekëve.
Greqia është në buzë të greminës, dhe është e vështirë të mos të të dhimbsen pensionistët që qajnë në rrugë, dhe nënat që ndalen përpara rafteve të boshatisur të supermarketeve. Megjithatë, ata që do të lexojnë një libër të sapodalë, me shumë gjasa do të ndiejnë më pak dhembshuri për grekët. Libri nxjerr në pah një katalog shastisës mashtrimesh për përfitime dhe skemash të shmangies së taksave, që kanë zhvatur arkat e publikut.
 
Libri i James angelos, “Katastrofa e plotë: Udhëtime mes rrënojave të reja greke” nxjerr zbuluar korrupsionin që kishte infiltruar në të gjithë nivelet e shoqërisë – që nga ishullorët që pretendonin se ishin të verbër, deri tek familjet që harruan të regjistrojnë vdekjen e prindërve të tyre, dhe doktorët që fitojnë “vetëm” 12 mijë euro në vit – e megjithatë jetojnë në lagjet më të pasura të Athinës.
 
Ishin zërat për “ishullin e të verbërve” që e shtynë James Angelosin, një gazetar, që të shkonte në Greqi në vitin 2011. Ai kishte dëgjuar për Zakinthosin, ku 2 përqind e popullsisë ishin të rregjistruar si të verbër. Por, nuk ishte ashtu siç dukej, dhe ai zbuloi se 61 nga 680 “të verbërit” shëtisnin të lumtur me makina nëpër ishull, transmeton mapo.al.
 
Në fakt, 498 nga të 680-ët nuk ishin aspak të verbër – as edhe pjesërisht.
 
Por të jesh “i verbër” ka avantazhet e veta – sidomos, 724 Eurot që paguhen çdo dy muaj, si dhe një reduktim në faturat e energjisë elektrike dhe ujit.
 
Ishte një skemë mashtruese, origjina e të cilës ishte tek një oftamolog dhe një zyrtar, që mendohet se i ka kushtuar afro 9 milionë Euro Greqisë. Dhe, siç e zbuloi Angelosi, ishte vetëm maja e ajsbergut.
 
Sa i madh është problemi i përfitimeve nga personat me aftësi të kufizuara?”,- e pyeti Angelosi ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Markos Bolaris.
 
“Shumë i madh”, ishte përgjigja e tij, e saktë por e shkurtër.
 
Në të vërtetë, kur ata që pretendonin se ishin me aftësi të kufizuara u thirrën të paraqiteshin në zyrat e qeverisë, me qëllim përditësimin e të dhënave, 36 mijë prej tyre nuk u paraqitën. Kjo i solli qeverisë një kursim të menjëhershëm, prej 100 milionë Eurosh në vit.
 
Por mashtrimi nuk ishte i kufizuar vetëm tek personat me aftësi të kufizuara.
 
Kur qeveria vendosi të shohë më nga afër se kujt i paguante pensione, zbuloi se më shumë se 8500 pensionistë e kishin kaluar moshën 100 vjeç. Një vështrim edhe më nga afër zbuloi se 40 000 kërkesa për pensione ishin mashtrime. Dukej se njerëzit po harronin të regjistronin vdekjen e njerëzve të dashur.
 
Sigurisht, këta mashtrime njiheshin edhe më parë.
 
Një investigim i Daily Mail në vitin 2011 zbuloi se sistemi i metrosë ishte praktikisht falas për 5 milionë banorët e Athinës – sepse, pa barriera, ai mbështetej në një sistem ndershmërie, të cilin shumë pak njerëz ishin aq të ndershëm sa ta përdornin.
 
Investigimi përshkruante rrugë të tëra me vila luksoze, të rrethuara me mure të lartë dhe me pishina, që në letër ishin shtëpitë e varfanjakëve.
 
Ata lejoheshin të gjithë të deklaronin të ardhurat për qëllime taksimi – dhe zyrtarisht ata fitonin vetëm 12 mijë Euro në vit, që është nën pragun e taksimit.
 
Vetëm 5000 vetë pranonin se fitonin më shumë se 90 mijë stërlina në vit, duke e shtyrë një ekonomist të njohur të thotë se “Greqia është një vend i varfër, plot me njerëz të pasur”.
 
Ishte mbresëlënëse se deri ku shkonin këta doktorë, avoketër dhe biznesmenë, për të fshehur pasurinë e tyre.
 
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 300 shtëpi në lagjen më ekskluzive të Athinës kishin pishina, dhe kishin paguar taksën për një luks të tillë. Por kur qeveria vendosi t’i hedhë një sy Google Earth, zbuloi se zona kishte më shumë se 20 mijë pishina.
 
Por në vend që të rrëfeheshin, pati një bum të shitjeve të mushamave të kamuflazhit, për të fshehur ekzistencën e tyre, kur inspektorët e taksave vinin e shihnin nga sipër gardheve.
 
Pastaj ka edhe rrëfime që tregojnë më shumë paaftësi, se sa mashtrim.
 
Eshtë për shembull rrëfimi i punonjësit të thesarit, Savas Saltouridis, që vrau me automatik kryebashkiakun e qytetit të tij malor në vitin 2009. Por mbeti në listën e pagave të bashkisë për shumë vite, ndonëse ndodhej në burg për krimin që kish kryer.
 
Ai po përfitonte prej sistemit të ndërlikuar disiplinar.
 
Po çfarë mund të bësh, kur kaq shumë njerëz mashtrojnë sistemin? Vlerësohet se vetëm evazioni fiskal mund t’i kushtojë vendit deri 20 miliardë Euro në vit, ndërkohë që vite të tërë me pagesa sociale i shtohen kësaj shifre.
 
Por kur Angelos sugjeroi që duhej të fillohej me ndëshkimin e mashtruesve, një zyrtar grek i dha një përgjigje direkte: “Nëse fillon të fusësh njerëz në burg, atëherë do të duhet të fusësh gjysmën e Greqisë prapa hekurave”.
Artikulli paraprakSHBA, arrestohet 12-vjeçari i akuzuar për vrasje
Artikulli vijuesSHBA-të dhe Shqipëria kërkojnë ta shpërbëjnë Maqedoninë..!?