Nuk duronte më fyerjet nga burri, vetëvritet nëna e 5 fëmijëve

Një natë në parë në familjen Muhadri, në Has, kanë mbërritur krushqit nga Kosova. Dy vajzat e mëdha të familjes janë të martuara atje e me sa duket dy palët e krushqive janë bashkuar për të kaluar një natë tek familja e nuseve të shtëpive të tyre.
Gjatë mbrëmjes, mësohet se mes çiftit-të zotë shtëpie, Bali dhe Afërdita Muhadri ka patur një përplasje me fjalë, përplasje ku si zakonisht gruaja është fyer nga bashkëshorti i saj.

Zemërimi duket ka qenë aq i madh sa ka bërë që gruaja të ndërmarrë edhe hapin fatal për jetën e saj.

Mëngjesin e djeshëm, ndërsa Baliu ka dalë të shoqërojë miqtë nga Kosova deri në afërsi të vendit ku ishin lënë automjetet e tyre, Afërdita i ka dhënë fund jetës me një armë automatike që Baliu mbante në shtëpi.

Pasi burri është kthyer në banesë ka gjetur aty të bashkuar disa persona, kushërinj dhe fqinjë ndërsa bashkëshortja e tij, nëna e pesë fëmijëve të tij, ka qenë pa shenja jete.

Sipas të dhënave që vijnë nga Policia bëhet me dije se gruaja është qëlluar me një plumb të vetëm në zemër, ndërsa burri është vënë në pranga dhe akuzohet tashmë për “shtyrje në vetëvrasje” të gruas së tij. Janë burimet e Policisë së Kukësit që hedhin dritë mbi një marrëdhënie tejet të dhunshme që ishte në familjen Muhadri. Sipas të dhënave bëhet me dije se 49-vjeçai, i cili është vënë në pranga nën dy akuza, rezulton të jetë njeri i dhunshëm dhe se prej shumë vitesh e torturonte gruan e tij.

Nga dëshmitë që ka mbledhur policia është mësuar se përveç se e dhunonte edhe e fyente në prani të njerëzve të tjerë në shtëpi, fakt ky që ka sjellë edhe vetëvrasjen mëngjesin e djeshëm. Policia ka sekuestruar në shtëpi automatikun me të cilin gruaja u vetëvra dhe një sasi fishekësh, ndërsa Muhadri i arrestuar nuk ka pranuar të rrëfejë asnjë detaj nga marrëdhënia e tij me të ndjerën.

Por familjarët e tjerë kanë treguar se ai ishte një person që përdorte shumë alkool e për pasojë shpesh herë ka qenë i pakontrolluar në veprimet e tij. Njëkohësisht bëhet me dije se familja jetonte në kushte jo të mira ekonomike, një tjetër fakt i keqësimit të raporteve të tyre, që solli edhe tragjedinë për tre fëmijët e tjerë të cilët tashmë do të mbetën pa nënë dhe pa baba, ndonëse ky i fundit duket se është edhe shkaktari i gjithë dramës së tyre. /Shekulli

Artikulli paraprakTjetër tragjedi greke, 11 të mbytur
Artikulli vijuesGati një miliard euro kredi marrin bizneset për një vit e gjysmë