Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të rrisin koordinimin në operacionet e vazhdueshme ushtarake në Siri.
Kremlini tha se dy presidentët kanë biseduar në telefon dhe se Putin, i cili ka iniciuar thirjen, i ka kërkuar Obamës të ndihmojë në ndarjen e rebelëve të moderuar të opozitës në Siri nga grupet ekstremiste si Fronti Al Nusra.
Shtëpia e Bardhë tha se Obama ka kërkuar nga Rusia që t’i bëjë presion regjimit sirian për të ndaluar ofensivat.
Biseda është zhvilluar pasi ushtria siriane ka shpallur armëpushim të njëanshëm 72-orësh, i cili duhet të zgjasë deri mesnatën e 8 korrikut.
Disa grupe rebele kanë thënë se do të respektojnë armëpushimin gjatë Festës së Bajramit.
Obama po ashtu i ka kërkuar Putinit të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund eskalimit të luftës në Ukrainën lindore.