Përfaqësues të ambasadës turke në Shkup dhe të organizatave tregtare kanë diskutuar sot rreth raporteve tregtare dhe marrëdhënieve politike ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë pas grushtetit të dështuar. Në një konferencë të organizuar nga Oda Ekonomike Tregtare Maqedonase-turke, ambasadori i Turqisë në Shkup, Omer Solendil ka theksuar se qeveria në Ankara garanton zhvillim ekonomik normal, funksionim të institucioneve si dhe sistem stabil monetar dhe bankar.
Ambasadori turk tha se Turqia ka raporte të mira me Maqedoninë si dhe tregoi se pavarësisht ngjarjeve të fundit nuk ka pengesa sa i përket eksportit apo importit me Republikën e Maqedonisë.
”Mund të themi se sektori i cili pësoi më së shumti është turizmi. Mirëpo, sa i përket aspektit të sigurisë së turistëve, unë nuk shoh asnjë rrezik në kushte normale, sepse ne i kemi marrë masat e duhura. Megjithatë, gjëra të këtilla ndodhin edhe në vendet e tjera të Europës”, ka deklaruar Omer Solendil, ambasador i Republikës së Turqisë në Shkup.
Ndërkohë, Ejup Kahveci, kryetar i Odës Tregtare Maqedonase-turke MATTO thënë se në muajt e parë të këtij viti është rritur këmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve.
“Sipas Byrosë për Statstika të Republikës së Maqedonisë në 5 muajt e parë të 2016, këmbimi tregtar ka vlerën 175 milionë, që do të thotë se është në rritje prej 21,5%. Në të njëjtën kohë vërehet rritje edhe në eksport prej 19,8%, po ashtu edhe në import prej 22 %. Republika e Maqedonisë si dhe vendet e tjera të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe më tutje mbeten në fokus të investimeve dhe të interesit të pjesërishëm të Republikës së Turqisë”, tha Ejup Kahveci, kryetar i Odës tregtare maqedonase-turke MATTO.
Në anën tjetër, ambasadori turk Solendil ka kritikuar dhe qasjen e disa mediave gjatë raportimit të ngjarjeve të grushtetit dhe ngjarjeve që pasuan. Ai tha se mediat ndonjëherë nga mungesa e informacioneve ose nga informatat jo të mira japin informacione që bien në kundërshtim njëra me tjetrën.
Emine Ismaili /SHENJA/