Ombudspersoni pro targave ilegale

Kur kanë kaluar tre muaj që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht i Ministrisë së Punëve të Brendshme për konfiskimin e të gjitha targave ilegale në tërë territorin e Kosovës, tabela të tilla ende vërehen në lëvizje. Megjithatë, zyrtarë të lartë nga MPB-ja si dhe nga Policia e Kosovës, thonë se zbatimi i vendimit po bëhet me përpikëri.

Por, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se janë të shqetësuar me një kërkesë që u ka ardhur nga Ombudspersoni i Kosovës dhe lobi serb që t’u lejohet qytetarëve, të cilët kanë tabela të vjetra, t’i mbajnë në bagazh në mënyrë që kur të dalin në Serbi t’i përdorin dhe të mos kenë shpenzime shtesë.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, ka thënë se që nga 1 qershori çdo tabelë që është e jashtëligjshme është urdhër i prerë që të konfiskohet. Ai ka thënë se nuk ka kurrfarë ndryshimesh në atë drejtim, shkruan Zëri.
Sipas tij, tabelat që kapen konfiskohen menjëherë, nëse personi bën rezistencë policia e gëzon të drejtën e arrestimit të tij dhe të marrë masa ligjore.
“Tabela të vjetra nuk janë konfiskuar edhe aq shumë, për faktin se 99 për qind e qytetarëve i janë përgjigjur urdhrit dhe kërkesës së MPB-së”, ka thënë Ibishi.
Mirëpo, shqetësuese, siç ka thënë ai, mbetet një kërkesë nga Ombudspersoni dhe lobi serb që mundësisht t’u lejohet qytetarëve të cilët kanë tabela të vjetra t’i mbajnë në bagazh, që kur të dalin në Serbi t’i përdorin ato që të mos kenë shpenzime shtesë.
Kjo kërkesë, ka thënë Ibishi, ka ardhur nga Ombudspersoni edhe me shkrim por edhe me gojë që t’u lejohen tabelat në bagazh por jo edhe të vendosen në vetura brenda territorit të Kosovës.
“Qëndrimi ynë është i prerë që nuk lejohet një gjë e tillë, megjithatë ky është një lloj presioni. Shpresoj që kësaj kërkese t’i thuhet jo nga zyrtarët më të lartë se unë në MPB”, ka thënë Ibishi, duke shtuar nëse lejohet një gjë e tillë atëherë kjo bie ndesh me ligjin dhe vendimin e MPB-së.
E nga ana tjetër, zyrtar nga Ombudspersoni as nuk e kanë pohuar e as mohuar një kërkesë të tillë. Megjithatë, sipas zëvendësministrit Ibishi, sfidë mbetet pjesa veriore, porse siç ka thënë ai, në bashkëpunim me EULEX-in janë duke bërë presion që edhe atje ta ketë efektin e vet vendimi i MPB-së.
Në anën tjetër, qytetarë nga rajoni i Gjilanit i kanë thënë gazetës se tabelat e vjetra ende qarkullojnë në këtë rajon.
Por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili e ka mohuar një gjë të tillë, ka thënë se që nga momenti i hyrjes së këtij vendimi Policia ka zbatuar me përpikëri vendimin.
Sipas tij, nga një qershori Policia ka konfiskuar rreth 50 tabela të vjetra me inicialet (Gl, Pr…etj.) kryesisht të personave të nacionalitetit serb.
“Mund të konfirmoj se tabelat e vjetra tashmë nuk vërehen fare në qarkullim. Edhe ato pak tabela që zihen konfiskohen menjëherë dhe gjatë konfiskimit nuk ka rezistencë”, ka thënë Kelani duke shtuar se vetëm në rajonin e Mitrovicës janë konfiskuar 28 sosh.
Ai ka thënë se nga 1 nëntori 2011 deri më 1 qershor 2012, plot 5648 qytetarë serbë janë pajisur me targa zyrtare të Kosovës, prej tyre 4194 sosh me RKS dhe 1454 me targa KS./Indx/kohaislame

Artikulli paraprakRasmusen: NATO-ja nuk e shpejton tërheqjen nga Afganistani
Artikulli vijuesNuk kam gabuar me Sadamin!