Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se zgjedhjet duhet të shpallen sa më shpejt që është e mundur.
“Zgjedhjet duhet të shpallen sa më parë dhe duke e parë që këta njerëz po braktisen nga njëri-tjetri e besa edhe nga vetvetja, ato kam bindjen do të mbahen shumë shpejt”, ka deklaruar ai.
Sipas Lekajt, është më mirë të shpallen zgjedhjet dhe të dihet zyrtarisht se vendi është në fushatë zgjedhore.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se koalicioni qeverisës ka pasur probleme qysh prej krijimit të tij.
“Se ky koalicion ka pasur dhe ka probleme tashmë po dihet, kjo për faktin se që nga fillimi i krijimit të tij nuk ka funksionuar dhe kjo tashmë është dëshmuar me dështimet e njëpasnjëshme si të PDK-së, ashtu edhe të LDK-së”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Sipas Bajramit, është absurde se si përfaqësuesit e këtij koalicioni dalin tash e i dëgjojnë qytetarët gjersa për vite me radhë janë në pushtet./Zeri.