Kadri Veseli është zgjedhur Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. Në votimin e hapur sot gjatë Konventës së jashtëzakonshme të partisë të gjithë delegatët e kanë votuar atë.
Ai tha se PDK-në e presin shumë punë të përbashkëta për vendin e për qytetarët.
“Do të vazhdojmë aleancën e përhershme dhe të përjetshme me SHBA. Do të vazhdojmë orientimin tonë pro-perëndimor, anëtarësimin tonë në NATO me Forcat e Armatosura të Kosovës, forcë e cila së shpejti do të themelohet”, tha kryetari i ri i PDK-së.
Në fjalimin e tij në Konvetën e shtatë zgjedhore, Veseli kërkoi që t’i jepet mundësia edhe ndonjërit nga anëtarët e tjerë të partisë që të kandidojë për kryetar.
Kadri Veseli, ish-shef i Shërbimit Inteligjent të Kosovës – organizatë që ka dyshime të forta se është e implikuar në vepra penale, përfshirë eliminim të kundërshtarëve politik – zyrtarisht aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës në nëntor të vitit 2012.
Fillimisht, ai u anëtarësua në nëndegën e Bairit në Mitrovicë, dhe zgjodhi që t’i nënshtrohet procesit zgjedhor që nga strukturat e ulëta të partisë, megjithëse kishte përkrahje të madhe nga udhëheqësit partiak.
Deri në atë kohë, Veseli ka qëndruar larg vëmendjes së opinionit publik. Tek në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, për herë të parë në një paraqitje publike, Veseli njoftoi për përfundimin e “misionit” të ShIK-ut.
E Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, partia e të cilit e ka akuzuar SHIK-un për vrasjen e një numri anëtarësh të kësaj partie pas luftës, ka thënë se nuk pret që marrëdhëniet mes dy partnerëve të koalicionit të ndryshojnë pas ardhjes së Veselit në krye të PDK-së. Sipas tij, PDK dhe LDK kanë një marrëveshje të shkruar, që sipas tij, duhet respektuar.
Në një fjalim të mbajtur para delegatëve të PDK-së, edhe Hajredin Kuçi ka thënë se kjo konventë do të shkojë në mënyrë ët rregullt dhe PDK do të dalë edhe më e fortë pas këtij procesi.
Ai ka falënderuar edhe ish-kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin, për kontributin e tij në PDK.
Thaçin e ka falënderuar edhe nënkryetari i partisë, Enver Hoxhaj. Në një fjalim të gjatë para delegatëve, ai ka thënë se PDK ka bërë ndryshime drastike në Kosovë dhe këto suksese ia ka atribuuar Thaçit dhe lidershipit të PDK-së.