Partia Demokratike ka bërë të tjera akuza ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për implikim të tij në trafikun e drogës.
Sipas PD, “kushërinjtë e Saimir Tahirit, Habilajt që hetoheshin për trafik droge, dhe që policia i njeh mirë për aktivitetin e tyre në Vlorë e më gjerë, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve”.
PD-ë publikoi disa foto në të cilat, “Moisi Habilaj, kushëriri i preferuar i Tahirit” shihet “në një lidhje të ngushtë bashkëpunimi me kreun e policisë kufitare në Dhërmi”.
Pikërisht në Dhërmi, aty ku sipas dëshmisë së oficerit të lartë të antidrogës Zagani, banda e drogës magazinon mallin dhe e bën gati për ta nisur në Itali”.
PD-ë thotë se “siç dëshmojnë këto foto, kreu i policisë kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, nuk ka prioritet hetimin e trafikut të drogës sepse në fakt është vënë në shërbim të tyre”.
Sipas opozitës, oficeri Bode nuk mund ta hetojë aktivitetin e Habilajt, që përdor edhe makinën e Ministrit.
Makina “AA 003 GB” e ministrit Tahiri është provuar se është përdorur nga Habilajt.
Ministri ka deklaruar se ua ka shitur, por e ka fshehur këtë fakt, për shkak se shitja nuk lejohej, pasi ai duhet të paguante paratë për gjyqin që kishte humbur me fëmijët e ish-kryeministrit Berisha.
Po kështu ministri është shprehur se edhe pasi ua ka shitur makinën kushërinjve të tij e ka marrë sërish në përdorim për të çuar familjen për pushime, pasi nuk ka dashur të përdorë makinën e punës, siç bënin ministrat e qeverisë Berisha.
PD-ja thotë se vetëm largimi i tij i menjëhershëm nga detyra i hap rrugë drejtësisë.
Deklarata e Plotë e Enkelejd Alibeajt:
Kushërinjtë e Saimir Tahirit, Habilajt që hetoheshin për trafik droge, dhe që policia i njeh mirë për aktivitetin e tyre në Vlorë e më gjerë, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve.
Kemi këtu, Moisi Habilajn, kushëriri i preferuar i Tahirit, në një lidhje të ngushtë bashkëpunimi me kreun e policisë kufitare në Dhërmi.
Pikërisht në Dhërmi, aty ku sipas dëshmisë së oficerit të lartë të antidrogës Zagani, banda e drogës magazinon mallin dhe e bën gati për ta nisur në Itali.
Por siç dëshmojnë këto foto, kreu i policisë kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, nuk ka prioritet hetimin e trafikut të drogës sepse në fakt është vënë në shërbim të tyre.
Ja tek festojnë sëbashku kreu i kufirit të Dhërmiut me Habilajt, arritjet në biznesin kriminal. Dolli pa fund për drogën dhe për shefin e madh në Tiranë.
Oficeri Bode e ka marrë mesazhin.
Ai nuk mund të hetojë kushëririn trafikant të ministrit të brendshëm.
Nuk mund të prekë Habilajt që ndajnë makinën me Saimir Tahirin.
Eshtë provuar publikisht tanimë, dhe e ka pohuar vetë me gojë Tahiri, se makina e tij që shërben si mbrojtje, si garanci e imunitet, është në dispozicion të habilajve kur ata kanë punë me drogën, e më pas në dispozicion të Saimirit kur ai shkon me pushime.
Kjo aferë kriminale, ky skandal i padëgjuar më parë, tashmë është ndërkombëtarizuar. Mediat italiane kanë pasqyruar akuzat tronditëse që rëndojnë ndaj narkoministrit të brendshem shqiptar.
Prokurorët italianë të anti-mafias janë vënë në alarm për volumin e madh të drogës që po kalon nga Shqipëria drejt vendi fqinj.
Por narko-ministri, zoti AA003GB, bën krenar Edi Ramën me gjithë këto bëma.
Prej 33 ditësh ai është ministri i brendshëm më i diskredituar në faqen e rruzullit, njeriu që favorizon bandat e drogës, nxit krimin dhe imkriminon policinë.
Çdo ditë në detyrë e narko-ministrit është një ditë më shumë në kalendarin e krimit dhe drogës.
Vetëm largimi i tij i menjëhershëm i hap rrugë drejtësisë dhe heq njollën e turpit, korrupsionit e inkriminimit, me të cilën narkoministri ka ndotur punën, përpjekjet dhe sakrificat e mijëra efektivëve të policisë së shtetit.