Ndahen bashkëthemeluesit e Libra-s, Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi. Në një prononcim për “Balkanweb” zonja Hafizi nuk do të komentojë e-mailet e publikuara në media ku Blushi e tejkalonte etikën, i uronte pleqëri të mbarë, dhe e quante hileqare, por shprehet se e gjithçka ka ndodhur i ka krijuar asaj një stres të madh.
Teksa bëhej gati për të hyrë në auditor, zonja Hafizi kërkoi qetësi për të tejkaluar këtë situatë. “Jam shumë e lodhur dhe shumë e rënduar psikologjikisht. Në këto momonte kam nevojë për qetësi”,- u shpreh ajo për “Balkanweb”.
Paraditen e sotme disa e-mail u zbardhën nga newsbomb.al. Blushi e quan Hafizin hileqare dhe i uron pleqëri të mbarë. Shkak mësohet se është bërë propozimi që ka bërë Hafizi në statut, për dy krerë partie. “Pension të mbarë Moza… Unë nuk ndaj asgjë me hileqarët”, i shkruan ashpër Ben Blushi bashkëthemelueses se tij.
Pedagogia dhe anëtarja e LIBRA-s Mimoza Hafizi kundërpërgjigjet me një tjetër mesazh kundrejt Blushit dhe anëtarëve të tjerë teksa shprehet e prekur nga këto fjalë. Hafizi teksa u drejtohet kolegëve tregon se ditët e fundit është fyer shumë nga kryetari Blushi, e pretekst ka qenë drafti i statutit. “Jam thellësisht e prekur nga këto fjalë që vijnë nga personi që kam mbështetur më shumë…”, kështu e nis mesazhin e saj Hafizi ndërsa më tej kërkon mbështetje nga anëtarët e LIBRA-s.