Përplasen liderët e BE-së për praninë e refugjatëve

Përplasje mes anëtarëve të Bashkimit Europian në takimin e jashtëzakonshëm në Bruksel për shpërndarjen e emigrantëve të ardhur nga vendet e konfliktit.
Ministrat e Brendshëm të BE po përpiqen të bien dakord për projekt-marrëveshjen e propozuar nga ekzekutivi i BE për të rishpërndarë 120 mijë emigrantë në nevojë emergjente në të gjitha vendet e bllokut, por mënyra e proçedimit do të diskutohet gjatë javëve të ardhshme.
Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker,i mbështetur nga kancelarja gjermane Angela Merkel propozoi idenë e kuotave si zgjidhje të problemit.
Sipas tyre mënyra më e mirë e veprimit është rishpërndarja e refugjatëve në të gjithë Europën, ku secili shtet të marrë përsipër akomodimin e një numri të caktuar të emigrantëve.
Por ashtu siç pritej, kundërshtimi ka ardhur menjëherë nga Sekretarja e shtetit britanik, Tereza May, e cila tha se duhet treguar kujdes në përzgjedhjen e emigrantëve që do të përfitojnë azil.
“ Që kur nisi kriza e emigrantëve ne kemi pranuar mbi 5 mijë refugjatë sirianë dhe azilkërkues. Gjithashtu gjatë javës së shkuar ne premtuam në parlament se do të pranonim dhe 20 mijë të tjerë. Megjithatë unë duhet të shtoj se duhet të tregohemi disi të zgjuar në përzgjedhjen e kandidatëve.Duhet të ndihmojmë persona të cilët janë me të vërtetë në vështirësi”, transmeton Ora News.
Propozimet për kuotat kombëtare janë kundërshtuar edhe nga disa shtete lindore ish-komuniste si Sllovakia, Republika Çeke dhe Hungaria.
Ato argumentojnë se kuotat do të tërheqin më shumë emigrantë në Europë dhe se do të prishin shoqëritë e tyre, të cilat nuk janë mësuar të bashkëjetojnë me emigrantë.
Nëse Ministrat nuk bien dakord, Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk propozoi zhvillimin e një tjetër takimi emergjent përpara mbledhjes së radhës që është planifikuar të zhvillohet në datën 8 tetor 2015.

 

Artikulli paraprakRexhepi: Sulmi në Xhaminë Al Aksa agresion dhe çmenduri
Artikulli vijuesHungaria ka bllokuar hyrjen e refugjatëve