Një poet recitoi poezinë e tij para një mbreti. Madhërisë së tij i pëlqeu shumë poezia dhe, pasi e uroi poetin, i tha: Shumë e bukur. Kërko ç’të duash për të!
Poeti ia ktheu: Vërtetë do më japësh ç’të kërkoj?
Mbreti: Po!
Poeti: Dua të më japësh dinarë në masën e numrave që do të përmend nga ajetet kur’anore!
Mbreti: Do të jap!
Poeti: “Zoti juaj (që meriton adhurim) është NJË” – (El-Bekare: 183)
I dhanë 1 dinar.
Poeti: “Të dytin prej DYVE, kur ishin në shpellë” – (Et-Teube: 40)
I dhanë 2 dinarë.
Poeti: [Gjithashtu bënë kufr (mosbesim) ata që thanë: “All-llahu është i treti i TREVE”] – (El-Maide: 73)
I dhanë 3 dinarë.
Poeti: “Merri KATËR shpezë pranë vete” – (El-Bekare: 260)
I dhanë 4 dinarë.
Poeti: “E as mes PESË vetave e të mos jetë Ai i GJASHTI” – (El-Muxhadile: 7)
I dhanë 5, pastaj edhe 6 dinarë.
Poeti: “All-llahu është Ai që krijoi SHTATË palë qiej” – (Et-Talak: 12)
I dhanë 7 dinarë.
Poeti: “E atë ditë, TETË (melekë) e bartin mbi vete Arshin e Zotit tënd” – (El-Hakka: 17)
I dhanë 8 dinarë.
Poeti: “E në qytet ishin NËNTË veta që bënin shkatërrime në tokë, e nuk përmirësonin.” – (En-Neml: 48)
I dhanë 9 dinarë.
Poeti: “Këto janë DHJETË ditë të plota” – (El-Bekare: 196)
I dhanë 10 dinarë.
Poeti: “O baba im, pashë (në ëndërr) NJËMBËDHJETË yje” – (Jusuf: 4)
I dhanë 11 dinarë.
Poeti: “Te All-llahu, numri i muajve është DYMBËDHJETË” – (Et-Teube: 36)
I dhanë 12 dinarë.
Këtu, mbreti ndërhyu duke i thënë njerëzve të tij: Jepini edhe dyfishin e kësaj shume dhe largojeni!
Poeti, pyeti menjëherë: Pse kështu, o zotëria im?
Mbreti: Kam frikë se do të thuash: “Ne (pastaj) e dërguam atë te NJËQINDMIJË e më shumë.” – (Es-Saffat: 147)
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 14 qershor 2016