Policët e plagosur, jashtë rrezikut

Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, janë duke u diagnostikuar nëntë policët e lënduar nga turma e serbëve të cilët në mëngjesin e së enjtes tentuan që me dhunë të hyjnë në pikën kufitare, Merdare.

Drejtues të kësaj qendre, në një konferencë për media, kanë thënë se të gjithë policët janë të lënduar nga mjetet e forta, duke përfshirë edhe gurët, ndërsa kanë mohuar që të lënduarit jenë plagosur me armë zjarri.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, menjëherë pas këtij rasti ka organizuar një konferencë për media, me ç’rast ka shpjeguar natyrën dhe gjendjen e policëve të lënduar të cilët janë duke u mjekuar në këtë qendër.

Sipas tij, me të marr informatën që në Merdare ka policë të lënduar, është krijuar shtabi emergjentë dhe janë bërë përgatitjet e duhura për përkujdesjen e të lënduarve, njofton KosovaPress.

“Sipas informatës zyrtare në Klinikën emergjente kanë arritur gjithsej nëntë të lënduar dhe 5 prej tyre janë me lëndime të kokës. Bëhet fjalë sipërfaqësore, nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim serioz që do ta rrezikonte jetën e të lënduarve, ndërsa sa i përket lëndimeve të katër të tjerëve, bëhet fjalë për lëndime të ekstremiteteve të poshtme dhe lëndime të fytyrës”, ka thënë ai.

Lenjani ka thënë se të gjithë të policët e shtruar në këtë qendër janë të lënduar, si pasojë e goditjeve me gurë dhe jo me armë zjarri.

“Në pjesë mediale është thënë se ka pas të lënduar si pasojë e përdorimit me armë zjarri, mirëpo të gjithë te të lënduarit e paraqitur në Klinikën Emergjente bëhet fjalë për lëndime me mjete të topitura, pra me gurë dhe nuk bëhet fjalë për lëndime nga armë zjarri”, ka thënë ai.

Lenjani, po ashtu, ka bërë të ditur se të gjithë të lënduarit janë duke u trajtuar në qendrën emergjente dhe se, sipas tij, dy nga të lënduarit kanë marr lëndime më të rënda dhe se pritet të hospitalizohen në klinikën e kirurgjisë, në mënyrë që të përcillet gjendja e tyre në 48 orët e ardhshme. Ndërsa pacientët e tjerë, pas diagnostikimit dhe shërbimeve konsultative laboratorike dhe radiologjike, do të lirohen për shërim të mëtutjeshme në shtëpi. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakKonuzin akuzon Kosovën “për shkelje të të drejtave”
Artikulli vijuesPërleshje mes deputetëve, reagojnë KDI dhe VV