Policia kanadeze ia lejon personelit të saj femëror mbajtjen e hixhabit

Me qëllim që të rritet rekrutimi i grave muslimane, Policia e Kalorësisë Mbretërore të Kanadasë e ka lejuar mbajtjen e hixhabit si pjesë e uniformës së tyre.

“Komisioneri i Policisë së Kalorësisë Mbretërore Kanadeze e ka miratuar së fundi këtë shtesë në uniformë,” i ka deklaruar agjencisë së lajmeve AFP zëdhënësi i ministrit të Sigurisë Publike.

“Kjo ka për qëllim të pasqyrojë më mirë diversitetin në komunitetet tona, e të inkurajojë më shumë gra muslimane që ta marrin në konsideratë Policinë e Kalorësisë Mbretërore Kanadeze si alternativë për karrierën e tyre”, ka thënë Scott Bardsley.

Tre lloje mbulesash janë provuar para se të përzgjidhet më e përshtatshmja për kryerjen e detyrës së punonjëses së policisë.

Komisioneri i Policisë njoftoi po ashtu se asnjë zyrtare policore nuk ka kërkuar deri më tani të mbajë hixhab.

Megjithatë, rreth 30 zyrtarë kishin kërkuar gjatë dy viteve të fundit zbutjen e rregullave për shkaqe fetare ose kulturore, ka njoftuar Le Presse. Punonjësit e policisë kishin kërkuar në shumicën e rasteve rritjen e mjekrës.

Zëdhënësi i ministrit të Sigurisë Publike bëri të ditur se rregulla të ngjashme kishin adoptuar policitë në Britani të Madhe, në Suedi dhe Norvegji, si dhe në disa shtete të SHBA-ve. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakSubhanAllah – Tërmeti në Itali: Pamje drithëruese të regjistruara nga kamerat e sigurisë (VIDEO)
Artikulli vijuesÇavuşoğlu reagon në lidhje me operacionin “Mburoja Eufratit”