Popullata e Kosovës është duke u zvogëluar me ritme të frikshme

Popullata e Kosovës është duke u zvogëluar me ritme të frikshme. Lindjet janë përgjysmuar vetëm brenda 25 vjetëve dhe trendi i zvogëlimit vazhdon. Ato kanë rënë nga 56 mijë në vit sa ishin në vitin 1988 në 29 mijë në vitin 2013.

Alarmant është fakti se ky numër ka zbritur me 10 mijë lindje brenda vitit konstant secilën dekadë. Në vitet ’80 të shekullit të kaluar konstant ishin rreth 50 mijë lindje, në vitet ’90 konstant rreth 40 mijë, në vitet ’00 ishin në 30 mijë, ndërsa në dekadën aktuale ato kanë filluar të jenë në suaza të 20 mijve.

Rënia është e frikshme edhe nëse krahasohet viti 2001 kur ishin 36 mijë lindje me vitin 2012 kur janë 27 mijë. Pra, janë 9 mijë lindje më pak dhe 2 mijë vdekje më tepër. Lindjet kanë rënë me rreth 35 për qind e poaq janë shtuar vdekjet. Kjo nuk e ka shqetësuar Agjencinë e Statistikave të Kosovës të cilët thonë se tashmë rënia është ngadalësuar.

Por, nëse shikohet rënia në 25 vjet, atëherë shihet se ka patur stabilitet 4-5 vjet secilën dekadë, pastaj ka ndodhur rënia që nuk  është kompensuar asnjëherë. Në bazë të trendeve aktuale, popullata e Kosovës në vitet 2030 nuk do të ketë shtim natyror. Kosova do të fillojë të zvogëlohet edhe për shkaqe natyrore, sepse zvogëlimi i popullsisë për shkaqe tjera po ndodhë qysh tash. Sipas ASK-së Kosova në vitin 2006 kishte 2.1 milionë banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 doli se ai numër ka rënë në 1.8 milionë banorë.

Shtimi natyror i bie të jetë 21 mijë, ngase të njëjtin vit kur janë freskuar të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës në vend ishin shënuar rreth 8 mijë vdekje. Por, tërë shtimi natyror i Kosovës po kërkon azil në vendet e perëndimit. Sipas agjencisë evropiane të statistikave, Eurostat, çdo vit kërkojnë azil mbi 20 mijë kosovarë. Janë dy kategori tjera ikjesh që vendin e zhysin në zvogëlim të popullatës, martesat me letra dhe qëndrimet ilegale. Këto dy kategori llogaritet të jenë mbi 10 mijë në vit në suaza normale.

Ky trend ishte para fluksit të fundit, kur u dyfishuan ikjet nga shteti. Vetëm në tremujorin e fundit dhe në fillim të këtij viti llogaritet ta kenë braktisur vendin së paku 50 mijë veta.

Tashmë askush nuk ka statistika as të përafërta. Shumë fshatrat ka vite që janë kthyer në fantazma, por tashmë edhe qytetet pas fluksit të fundit vuajnë nga gjallëria. Nuk ka njerëz.

Në bazë të trendit aktual të ikjes së popullatës dhe rënies së madhe të natalitetit Kosova në vitin 2020 nuk do të ketë më shumë se 1.5 milionë banorë. Kosova në vitet 2030 do të hyjë në deficit, pra do të ketë më shumë vdekje se sa lindje, pa llogaritur fare maninë e kosovarëve për ikje jashtë shtetit. Vendi do të ketë pak më tepër se 1 milion banorë, pasi qindra mijë veta do të kenë ikur deri atëherë. Kjo, sepse i vetmi trend që ka treguar stabilitet është ai i emigracionit./G.FJALA

(Qendrimet janë perosnale)

Artikulli paraprakKush po qanë për Afganistanin?
Artikulli vijuesSHBA: Fushata muslimane – amerikane për largimin e Islamofobisë