Me kërkesë të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë nesër në vend do të arrijnë 25 anëtarë nga njësiti policor i Republikës së Sllovakisë të cilët do të zbatojnë patrulla të përbashkëta me kolegët nga Maqedonia në kufirin Maqedoni-Greqi, njofton Ambasada Sllovake në Shkup
“Policët sllovakë do të zbatojnë aktivitete patrulluese të përbashkëta me kolegët nga Maqedonia në kufirin shtetëror me Greqinë, me qëllim të mbrojtjes së kufirit, luftës kundër kontrabandimit dhe ndihmë në menaxhimin me rrjedhën e emigrantëve. Policët sllovakë do të jenë të pajisur me tetë automjete të terrenit, kamera termale dhe pajisje për vëzhgim nate. Mandati i misionit policor sllovak do të jetë 30 ditë me mundësi për vazhdim”, kumtoi Ambasada Sllovake në Shkup.
Nga atje theksojnë se me dërgimin e 25 policëve Sllovakia do të jetë kontribuesi më i madh për një banor nga gjashtë vendet të cilët dërguan forcat e veta policore në kufirin Maqedoni-Greqi si shprehje e solidaritetit në zgjidhjen e krizës së emigrantëve.