Profeti (salallahu alejhi ue selem) në Mekë – Etapë formimi dhe vënie themelesh

Dr. Jahja ibn Ibrahim el-Jahja

Me Emrin Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Hyrje

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave! Përfundimi i mirë u takon të devotshmëve, dhe s’ka armiqësi përveç se ndaj zullumqarëve. Dëshmoj se nuk zot tjetër që meriton adhurim përveç Allahut, Zotit të të parëve dhe të vonshmëve, Mbajtësit të qiejve dhe të tokave. S’ka fitore përveç përmes bindjes ndaj Tij, s’ka krenari përveç përmes nënshtrimit ndaj Madhërisë së Tij, s’ka udhëzim përveç përmes kërkimit të udhëzimit nga Drita e Tij, s’ka jetë përveç se me Kënaqësinë e Tij, dhe s’ka rregullim të zemrës e as shpëtim përveç përmes sinqeritetit ndaj Tij dhe Teuhidit[1] të Tij.

Dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, besniku i Tij në shpalljen e Tij, i zgjedhuri i Tij nga të gjitha krijesat, i dërguari me fenë e drejtë dhe metodologjinë e saktë; është ai i cili Allahu e dërgoi mëshirë për gjithë botët, prijës për të devotshmit, dhe argument për të gjitha krijesat; udhëzoi përmes tij në shtigjet më të drejta dhe rrugët më të qarta, ndërsa nënçmimin dhe vogëlsinë e hodhi mbi ata që kundërshtuan urdhrin e tij; përcaktoi për robërit e Tij bindjen ndaj tij, edukimin prej tij, respektin ndaj tij, dashurinë ndaj tij, dhe ruajtjen e të drejtave të tij, paqja e Allahut dhe përshëndetjet e shumta qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij!

Pastaj, … vërtetë rruga e drejtë dhe feja e saktë ishin vendqëndrimi i të dërguarit (salallahu alejhi ue selem[2]), dhe kjo fe nuk mund të kuptohet drejtë përveç se përmes kuptimit të biografisë së tij (salallahu alejhi ue selem), udhëzimit, veprave, urdhrit dhe ndalesës së tij. Nuk ka mundësi të kuptohet kjo fe në mënyrën e saktë dhe të shëndoshë përveç se duke kuptuar jetëshkrimin e tij (salallahu alejhi ue selem), dhe se si ka qenë udhëzimi i tij, puna e tij, urdhrat dhe ndalesat e tij!

Ai mbante paqe por edhe luftonte, jetonte në vendlindje por edhe udhëtonte, blinte dhe shiste, merrte dhe jepte, përzihej me njerëzit në çdo situatë, qoftë kur ishte në vendin e tij apo kur ishte udhëtar, dhe nuk veçohej nga njerëzit as edhe një ditë të vetme.

I dërguari i Allahut u përball me lloje të ndryshme të keqtrajtimeve, dhe kaloi nëpër kategoritë më të rënda të padrejtësive (zullumit), por përfundimi dhe fitorja ishin gjithmonë në anën e tij.

U dërgua pas një mori pejgamberësh, te një popull që ishte në humbje dhe pas një shtrembërimi të natyrës së pastër njerëzore (fitrasë). U përball me një mori tronditëse të humbjes, devijimit, largimit të njerëzve nga Allahu, dhe zhytjes në idhujtari, dhe ja që me ndihmën e Allahut arriti që t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë, prej humbjes në udhëzim, dhe prej vuajtjeve në lumturi. Sahabët[3] e tij e deshën atë dhe sakrifikuan për të me shpirtrat e tyre, familjet dhe pasuritë e tyre, dhe e pasuan atë në çdo çështje të madhe apo të vogël, duke e bërë atë një fanar ndriçues për ta, me dritën e të cilit ndriçoheshin dhe me udhëzimin e të cilit udhëzoheshin, dhe me këtë udhëzim u bënë prijës të udhëzimit dhe udhëheqës të njerëzimit.

Ajo që i ka goditur sot muslimanët prej shthurjes, dobësisë, përçarjes, sundimit të armiqve përmbi ta, nuk i ka goditur për tjetër veçse për shkak të dështimit për ta pasuar të dërguarin (salallahu alejhi ue selem) dhe shpërfilljes së kapjes për udhëzimin e tij dhe pasimit të sunetit të tij. Allahu i Lartësuar ka thënë[4]: “E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë, kurse i Dërguari është i detyruar vetëm që të përcjellë qartë (Mesazhin Hyjnor).” (En-Nur, 54) E gjithashtu i Lartësuari ka thënë: “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” (En-Nur, 63)

Ky dështim përfshin edhe mjaftimin e disa muslimanëve me leximin e sirës[5] së të dërguarit (salallahu alejhi ue selem) nëpër tubime a manifestime të ndryshme duke mos arritur të tejkalojnë këtë për të vazhduar më tej në fushën e udhëzimit përmes mësimeve të saj dhe vërjes së saj në praktikë, … ndërsa disa të tjerë u mjaftuan me leximin e saj për bereqet apo thjesht për të kaluar nëpër ngjarjet dhe ndodhitë e saj, mësimin përmendësh të betejave të tij (salallahu alejhi ue selem), ditëve të tij, emisarëve të tij, togjeve të tij, duke pasur të vetmin qëllim argëtimin me to.

E tërë kjo kthehet ose te padituria mbi obligueshmërinë e pasimit të të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), udhëzimit përmes udhëzimit të tij, dhe marrjes së tij për model, duke qenë se kjo është edhe pjesë përbërëse e elementeve që tregojnë dashurinë ndaj tij (salallahu alejhi ue selem); apo kthehet te mungesa e kuptimit të fushave në të cilat duhet të merret për model sira e tij (salallahu alejhi ue selem), qoftë për shkak të dobësisë në aftësitë perceptuese apo për shkak të dobësisë së dijes dhe shfletimit të pakët të librave të dijetarëve të cilat shpjegojnë këto gjëra.

Prej këtu buron edhe rëndësia e nxjerrjes së ligjëratave, prurjes së dobive dhe këshillave të nxjerra nga hulumtimet, dhe përmbledhjes së dobive nga sira e tij (salallahu alejhi ue selem).

Duke qenë se shumica e autorëve të sirës në shumicën e rasteve përqendrohen në bashkimin e transmetimeve, e pashë të udhës të përpiloj kështu një përmbledhje duke përmendur në të ligjërata, mësime, dobi dhe këshilla, për aq sa Allahu ma ka lehtësuar, duke u mbështetur në rrugë të sakta transmetimi, përveç ndonjë rivajeti[6] i cili nuk pasqyron ndonjë çështje të ndjeshme siç janë bazat e besimit apo dispozitat sheriatike; pra, mund të kem lehtësuar në përmendjen e ndonjë transmetimi për të plotësuar kontekstin nëse nuk kam gjetur atë që është më e fortë.

Kam filluar me periudhën Mekase dhe kam ndarë atë në katër pjesë, duke i kushtuar më shumë vëmendje tematikave sesa radhitjes historike të ngjarjeve e ndodhive. Me ndihmën dhe me përkrahjen e Allahut ato janë formësuar kështu:

Pjesa e parë: Hyrje në kuptimin e sirës

Pjesa e dytë: Shpallja dhe transmetimi i mesazhit Hyjnor

Pjesa e tretë: Metodat e idhujtarëve në rezistencën ndaj thirrjes

Pjesa e katërt: Hixhreti[7] dhe premisat e tij

Allahun e falënderoj dhe e lavdëroj që ma ka lehtësuar të mbaroj epokën Mekase të sirës fisnike Pejgamberike, dhe e lus Atë (subhanehu ue te’ala) që ashtu siç më ka privilegjuar me plotësimin e saj, ta pranoj atë prej meje dhe të më falë për gabimet, rrëshqitjet apo mangësitë që kanë mundur të ndodhin në të; dhe që ta bëjë atë të sinqertë vetëm për Fytyrën e Tij të ndershme; dhe që të më sjell dobi te Ai Ditën kur nuk bëjnë dobi malli e as fëmijët përveç atij që i shkon Allahut me zemër të pastër; dhe që përmes saj t’u sjellë dobi muslimanëve!

(…vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani

[1] Njësimit të Allahut në adhurim, të Vetmit.

[2] Paqja, Mëshira e Allahut dhe Përshëndetjet e Tij qofshin mbi të!

[3] “Sahab” quhet çdo person që e ka takuar Pejgamberin duke qenë besimtar në të dhe ka vdekur me këtë bindje.

[4] Sa herë që thuhet në gjuhën shqipe “Allahu ka thënë”, nënkuptohet se ka thënë në Librin e Shenjtë Kur’anin, në gjuhën e pastër arabe në të cilën ka zbritur Kur’ani, ndërsa kjo është një përkthim i përshtatur në gjuhën shqipe.

[5] Jetëshkrimi i të dërguarit (salallahu alejhi ue selem)

[6] Rrugë transmetimi – gjurmë nëpër të cilën ka ardhur një transmetim

[7] Shpërngulja historike e Mu
hammedit (salallahu alejhi ue selem) me besimtarët prej Mekës në Medine, datë kjo prej së cilës fillon edhe llogaritja e kalendarit Islam.

Artikulli paraprakCharlie Hebdo: një vështrim kritik!
Artikulli vijuesRené Guénon: Evropa ka ndërtuar civilizimin e tyre mbi kontributet e civilizimit islam