Allahu i Madhërishëm thotë:
“Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtetë, dëgjimi, shikimi, dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi. (Isra, 36).
“Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit.” (Fussilet, 22)
“Thuaj: “Më thoni: Sikur Allahu t’jua merrte dëgjimin dhe shikimin e t’ua vuloste zemrat. Cili zot, përveç Allahut, do t’jua kthente ato?! Shih si ua shpjegojmë Shpalljet Tona, por ata përsëri largohen nga e vërteta. (En’am, 46).
Shqisa e dëgjimit në shumicën e ajeteve përmendet para shqisës së shikimit
Pra, cilat janë arsyet e mundshme që Kurani i jep përparësi dëgjimit në raport me shikimin?
Dihet se dëgjimi tek fetusi zhvillohet para shikimit, madje dëgjimi është shqisa e parë që funksionon tek qenia njerëzore. Veprimi i dëgjimit fillon menjëherë pas lindjes së fëmijës, për dallim nga shikimi, sepse sytë nuk funksionojnë në fazën e parë pas lindjes.
Me fjalë të tjera, Allahu i madhërishëm na tregon se dëgjimi është ai që vepron i pari. Nëse bëhet një zë shqetësues pranë veshit të foshnjës së porsalindur, ajo do të frikësohet dhe do të fillojë të qajë. Mirëpo, nëse e kalojmë dorën para syve të një bebeje, ajo nuk do të ndjejë asnjë frikë. Veshi është superiorë ndaj syrit për shkak se nuk ndalon se vepruari derisa flemë. Që nga fillimi i jetës, që nga momenti i parë pas lindjes, dëgjimi fillon të funksionojë derisa organet e tjera fillojnë të veprojnë pas shumë ditëve apo edhe viteve. Për të shikuar syrit i duhet drita. Nëse është natë ai nuk mund të funksionojë, mirëpo veshi funksionon edhe natën edhe ditën.
Gjithashtu veshi është lidhja mes njeriut dhe botës. Kur Allahu i Madhërishëm vendosi që t’i zë në gjumë për një qind vjet banorët e shpellës Kehf tha:
“Ne ua mbyllëm veshët atyre (duke i lënë të flinin) në shpellë për shumë vjet. (Kehf, 11).
Pra, kur veshët e tyre nuk funksionuan, banorët e Shpellës ishin në gjendje të flenë 100 vjet pa asnjë shqetësim. Zhurma e ditës përkundër qetësisë së natës, e pengon njeriun të zhytet në një gjumë të thellë. Veshët asnjëherë “nuk flenë” as që humbin vëmendjen. Duhet të përmendim se fjala dëgjim gati se gjithmonë në Kuran përmendet para fjalës shikim, përveç se në një ajet i cili flet për Ditën e Gjykimit.
“Sikur t’i shohësh keqbërësit se si para Zotit të tyre kokulur do të thonë: “O Zoti ynë, pamë dhe dëgjuam, andaj, kthena (në atë botë) që të bëjmë vepra të mira! Ne tashmë besojmë me bindje!” (Sexhde, 12)
Pra, vetëm në një ajet Allahu e përmend fjalën shikim para fjalës dëgjim. Kjo është për shkak të skenave të tmerrshme të Kijametit, apo për shkak se ato skena do të shikohen para se të dëgjohen, Allahu e di më së miri.
Burimi: “Fenomenet mjekësore në Kuran” – Sherif kaf El-Gazal
Përshtati: Arsim Dauti
(Islampress)