Pse Vatikani nuk e pranon Kosovën?

Dr. Shefqet Krasniqi

Pranimi i Kosovës nga Vatikani është një temë, debati për të cilën nuk ka filluar sot dhe me gjasë as nuk do të mbarojë sot.

Në fakt, është diskutuar shumë pse na pranojnë këto vende e jo të tjerat, kur me këta ndajmë këtë e me ata atë.

Jemi akuzuar padrejtësisht shpeshherë se vendet islame, me të cilat na bashkon feja, nuk na kanë njohur. Edhe ne ndajmë të njëjtin shqetësim, madje unë, personalisht, aty ku më është dhënë rasti e mundësia, sidomos në takimet në Ligën e Dijetarëve Botërorë Muslimanë, ku jam edhe anëtar, kam dhënë vërejtje dhe kam përcjellë këtë shqetësim të popullit tim.

Vetëm se, shikuar nga një këndvështrim tjetër, shqetësimi nuk duhet të stërzmadhohet, ngase nëse i referohemi kryeqendrave fetare botërore, atëherë del se deri më tani, përveç Mbretërisë së Arabisë Saudite, pra Mekes së Madhëruar dhe Medines së Ndritur, asnjë kryeqendër tjetër nuk na ka pranuar.

Vatikani, kryeqendra e katolikëve, nuk na ka pranuar; Tel Avivi, baza e çifutëve, po ashtu nuk na ka pranuar; Moska, kryeqendra ortodokse, nuk na ka njohur, po kështu as Greqia; qendrat kryesore të idhujtarëve dhe feve tokësore, Kina dhe India, po kështu nuk na kanë njohur.

Pra, puna nuk është si trajtohet në medie, e nuk janë as shkaqet pse nuk na njohin këto qendra, siç tentohet të paraqiten, me theks ato nga Vatikani.

Javë më parë, në TV Vali, ku unë mbaj një emision të rregullt javor, kam thënë se arsyeja pse Vatikani nuk e pranon Kosovën nuk ka të bëjë fare me homoseksualizmin, teori kjo e cila u vërtetua tash.

Opinionin tim e kam mbështetur në deklaratën e Drejtorit të Zyrës për Informacione në Selinë e Shenjtë, Atit Federico Lombardi, dhënë për “Tanjugun” serb në shtator të vitit 2011, i cili duke mohuar në mënyrë kategorike njohjen e Kosovës mes tjerash pati deklaruar:

“Vatikani nuk e njeh proklamimin unilateral të Pavarësisë së Kosovës të bërë nga shqiptarët etnik në vitin 2008” dhe se: “Nuk ka asnjë ndryshim të pozicionit të Selisë së Shenjtë ndaj Kosovës.”

Sipas mendimit tim mosnjohja e Kosovës nga Vatikani fare nuk paraqet shqetësim, sepse fundi i fundit për një shtet si na njohu, si nuk na njohu, nuk prish punë. Por mënyra e trajtimit të shqiptarëve nga Selia e Shenjtë është e papranueshme.

Sepse ajo mbron idenë fashiste serbe se “Kosova është djep i Serbisë”, çka do të thotë se ne paskemi gabuar kur kemi kërkuar pavarësi dhe paska qenë dashtë të jetojmë nën zullumin serb, nën masakrat dhe torturat e qeverisë së tyre të bekuar nga kisha ortodokse.

Dhe se lufta e torturat që paskan bërë serbët për ta penguar Kosovën nga ndarja, respektivisht nga Pavarësia, paskan qenë legjitime e të drejta.

Nuk është mosnjohja shqetësuese, por arsyeja të cilën e dha Vatikani është shumë shqetësuese dhe prekëse.

Mediet vendore dhe ato të jashtme raportojnë se Kardinali Wallter Kasper, i cili është Kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Unitetit të Krishterë me seli në Vatikan, gjatë një vizite në Moskë, respektivisht pas takimit me kreun e Kishës Ortodokse Ruse patriarkun Aleksei i Dytë, para medieve ruse dha këtë deklaratë:
“Vatikani kupton shqetësimet e Rusisë dhe Kishës Ortodokse mbi problemin e Kosovës.

Ne gjithashtu kuptojmë se Kosova është djepi i Kishës Ortodokse Serbe.”

Ai vajtoi edhe serbët, për të cilët tha se janë të kufizuar në realizimin e të drejtave të tyre.

Në përgjithësi, pse Vatikani nuk e njeh Kosovën, ai jep tri arsye:
1. Shpallja e njëanshme e Pavarësisë;
2. Kosova është djep i Kishës Ortodokse Serbe;
3. Serbët janë të diskriminuar.

Këto janë tri arsyet, të cilat Serbia i ka promovuar dhe vazhdon të arsyetojë qëndrimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Nëse popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes, atëherë shqiptarët, që përbëjnë 98% të popullsisë në Kosovë, bëjnë përjashtim nga kjo e drejtë?! Si mund të thuhet veprim i njëanshëm për Pavarësinë e Kosovës, kur historikisht Kosova ka qenë vetëm vend i okupuar nga serbët dhe jo tjetër?! Nëse Kosova qenka djep i Kishës Ortodokse Serbe, atëherë a nënkupton kjo se Kosova duhet t’i kthehet prapë serbëve?
Kush do të mbajë përgjegjësinë për dhjetëra mijëra të vrarë e të masakruar, për mijëra shtëpi të djegura e të shkatërruara, për qindra xhami të demoluara e të shkatërruara deri në themele?!

Ka dhe një gjë tjetër që më shqetëson, si botëkuptim, dhe që nuk po di si ta kuptoj?! Ndonëse ky është qëndrimi zyrtar i Vatikanit tash e një kohë të gjatë, nuk di pse ende shumë shqiptarë, mjerisht prej tyre edhe muslimanë, janë të lidhur shumë për Vatikanin.

Për hatër të tij madje kanë rrënuar një shkollë dhe kanë bërë një katedrale gjigante, kanë pirë verë e raki edhe më shumë se ata, për të mos thënë se kanë dashur të jenë “më katolikë se papa” i tyre, por ja, për çudi Vatikani prapë i refuzon.

I refuzon me arsyetimin se armiku i tyre ka të drejtë dhe se Kosova është vend i tij, e jo i yni, dhe, pavarësisht se sa katedrale e kisha katolike do të ndërtojmë, Kosova është ortodokse, sipas tyre.

Këtë po e them për hir të së vërtetës dhe të realitetit, e jo për të futur përçarje mes popullit tonë me konfeksione fetare të ndryshme.

Ajo që dua që të dalë si mesazh i këtij artikulli është vetëdijesimi i shqiptarëve, me theks të veçantë i atyre shqiptarëve muslimanë, se neve nuk kanë çliruar katolikët dhe as ortodoksët, por njerëzit, të cilët kanë ikur nga dhuna kishtare dhe kanë kërkuar lirinë dhe jetën jashtë saj.

Lavd Zotit që politika nuk udhëhiqet nga Kisha, ndryshe sot Bozhiqet do t’i kishim festuar më ndryshe. Ndoshta ne, muslimanët, nuk do të ishim fare në këto troje.

Ta them edhe pak më qartë, arsyeja pse nuk na njeh Vatikani është pse ne jemi muslimanë! Kaq!
Takohemi javën në vijim. Deri atëherë, Selam alejkum!.kohaislame

 

Artikulli paraprakShpëtimi është në sistemin bankar islam
Artikulli vijuesSa i dobishëm është Ibuprofeni