Qasja speciale

Qeveria e Kosovës themeloi Zyrën Administrative për Mitrovicën Veriore. Me këtë hap, institucionet po synojnë fillimin e integrimit të pjesës më problematike të vendit. Kryeministri Hashim Thaçi dhe Shefi i ICO’së kërkuan që mos të politizohet ky veprim. Të mërkurën nuk u shpalos ndonjë plan, por ekzekutivi në këtë mënyrë nisi një trajtim special për Veriun.

Prej të mërkurës, veriu i vendit gëzon trajtim të veçantë prej institucioneve kosovare, për dallim prej pjesëve të tjera të Kosovës.
Kjo pasi Qeveria ka themeluar Zyrën Administrative për Mitrovicën Veriore, e cila ka shtatë drejtori dhe i ngjan një dikasteri qeveritar.
Por, zyrtarët vendës dhe ndërkombëtarë kanë përsëritur disa herë se hapja e kësaj zyre përtej lumit Ibër në Mitrovicë nuk është hap politik, por veprim për të afruar shërbime edhe më të mira për qytetarët që jetojnë në atë pjesë.
Në një konferencë të përbashkët për media, Kryeministri Hashim Thaçi, Zëvendësi i tij dhe Ministri e Administratës së Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic dhe Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith kanë arsyetuar hapjen e zyrës në pjesën më problematike të Kosovës.
“Ky nuk është një projekt politik. Është një zyrë që do të ofrojë shërbime gjithë qytetarëve, do jetë në shërbim të qytetarëve lokalë që jetojnë aty. Në të njëjtën kohë, ne jemi të konsultuar me të gjitha autoritet përkatëse të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë Kryeministri.
Thirrjes për të mos politizuar veprimin e Qeverisë i është bashkuar edhe mbikëqyrësi i pavarësisë, Pieter Feith. /indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakBE: Greqia të qëndrojë në eurozonë
Artikulli vijuesShkaqet e shkatërrimit të popujve