Të ikësh nga rreziku në vend se të ballafaqohesh me të, do të thotë të heqësh dorë nga besimi te Zoti, te njeriu, te vetvetja
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi
“Të heshtësh për gjërat që ndodhin rreth teje e të strukesh qosheve në kohët kur vendoset për fatin e përgjithshëm, pa dyshim se është qyqarllëk. Por, të rrezatosh qetësi në situata të ndera është diçka krejtësisht tjetër, është mënyra më e fuqishme për të dëshmuar se je në gjendje të mendosh esëll, të këshillosh, të ndikosh racionalisht mbi proceset…”. Kështu fliste dikur moti një profesor i imi mjekërbardhë tek sa po përpiqej të na e sqarojë esencën e Islamit, paqen, maturinë, drejtësinë dhe baraspeshën të cilat burojnë nga ai.
Zoti e shpërbleftë profesorin. Jam i sigurtë se po të ish gjallë, në këto kohë në të cilat Islami po ballafaqohet me akuza e ndërkëmbëza nga më të ndryshmet, ai do të rrezatonte qetësi, i bindur se qetësia është zëri më i zhurmshëm. Dhe, nuk do gabohej.
Pse po mendoj kështu ?
Para së gjithash sepse, sikur që besoj se Allahu është Një dhe tjetër Zot përveç Tij nuk ka, besoj edhe në pafajësinë e Islamit në tërë këtë destabilizim që po ndodh nëpër botë. Besoj me tërë qenien time që dritën e besimit tim dhe të mbi një miliardë njerëzve të tjerë nëpër botë po e pengojnë keqpërdoruesit e Islamit të cilët me veprimet e tyre po ndikojnë që feja e Allahut të zgjojë asocime që kanë të bëjnë me dhunën.
“Ështe e sigurtë që Zoti nuk gabon asnjëherë ndaj njeriut, por njeriu gabon ndaj vetes”, thuhet në Kur’anin Famëlartë. Dhe, është e sigurtë, se njerëz të caktuar dhe grupe të caktuara njerëzish të cilëve po ju pëlqen që organizatave të tyre t’ju vejnë parashtesa që kanë të bëjnë me islamin (kryesisht me xhihadin) po gabojnë rëndë ndaj vetes e ndaj muslimanëve në përgjithësi. Ata individë dhe grupe, ndoshta edhe pa vetëdije, po e ndihmojnë krijimin e rrethit vicioz që kurrsesi nuk po këputet, ndërkohë që ideja e cila po dominon te jomuslimanët se” Islami në esencën e vetë është i lidhur me dhunën”, po përhapet.
Shihni çfarë po ndodhë rreth e përqark! Tani më çdo akt dhune në botë po paragjykohet dhe pa kurrfarë argumentimi po i veshet Islamit, pa çka që në shumë raste po dalin në sipërfaqe fakte që janë të ndonjë natyre krejtësisht tjetër. Ama, ec e mbledhi përsëri në thes puplat që një herë i ka shpërndarë era.
Me vite po e ndjek efektin anësor të “terorizmit islamik” dhe ndikimin e tij mbi muslimanët që nuk jetojnë në shtetet me shumicë muslimane. Fyerjet, sharjet, ofendimet dhe diskriminimi të cilit po ju shtrohen besimtarët muslimanë janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Sot, çdo njeri që ka mjekër, çdo grua që është e mbuluar, çdokush që shkon në xhami, po shikohet me sy dyshues. Sot, propozohen ligje për ndalimin e mbulesës së muslimanes, ndalohet ngritja e minareve, pengohet ezani, digjet publikisht Kur’ani. Sot, një njeri që përfolet si kandidat për President të Amerikës, publikisht bën thirje të ndalohet hyrja e muslimanëve në Amerikë…
Në një situatë të këtillë, jam i një mendimi me shumicën e intelektualëve muslimanë të cilët insistojnë që të gjithë ne që besojmë Allahun, duhet të kundërpërgjegjemi me urti dhe qetësi. Të kundërpërgjegjesh me dhunë ndaj diskriminimeve të cilat pjesërisht vetë i ke nxitur, të kurdisësh bomba nga të cilat do vdesin të pafajshëm e të presësh koka të njerëzve të zënë rob, nuk janë veprime që i bëjnë nderë Islamit. Të këtilla veprime sigurisht që nuk kanë lidhje me principet islame që thonë se “është obligim të luftosh për të vënë barspeshë në shoqëri, të mbrosh fenë dhe vatanin, të mos lejosh robërimin…”
Qetë dhe urtë, shkencërisht dhe me argumente duhet shpjeguar botës se Islami as historikisht e as aktualisht nuk është më i dhunshëm se fetë e tjera, se qetësia parajsore që mbretëron në xhamitë tona andekënd botës nuk është e rastësishme por buron nga paqa që e preferon Islami, nga baraspesha që ai e krijon në shoqëri.
Me dhembje po dëgjoj turlifarë “njohës” të Islamit që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut dhe, pa një, pa dy, po e “analizojnë “ Kur’anin. Dhe, jo cilëndo pjesë të tij, ata po merren me pjesët që kanë të bëjnë me luftën. Demek, po “dëshmojnë” se të gjitha të këqiat që po ndodhin nëpër botë, paskan burimin te Fjala e Allahut. Cfarë blasfemie!
Mjerisht, deri këtu kanë ardhur punët. Të paktë janë ata që po përpiqen të dëgjojnë zërin që prodhon qetësia islame, të gjithë po e dëgjojnë zhurmën e bombave të kurdisura nga kush e di se kush. Prandaj, nuk kam se si të mos shpreh konsideratën time për presidentin amerikan Obama që para disa ditësh shkoi në një xhami në Amerikë duke shprehur respektin për Islamin dhe duke i siguruar muslimanët se janë pjesë e barabartë dhe shumë e rëndësishme e jetës amerikane. Por, nuk po veprojnë të gjithë sikur Obama.
I vetëdijshëm se një grusht muslimanësh të diskutueshëm nuk mund të përcaktojnë fatin e Islamit sepse atë e mbronë Krijuesi i Plotëfuqishëm, por se mund t’i shkaktojnë dhe po i shkaktojnë dëme serioze muslimanëve, dua të përsëris me zërin e qetësisë:
“Islami është kundër përdorimit të vrazhdë e të pa matur të forcës, aq më tepër – e ndalon atë. Ai është kundër çdo do lloj teprimi, në veçanti kur bëhet fjalë për përdorimin e forcës. Edhe kur duhet përdorur forcën, ligjet islame urdhërojnë maturi. Islami e ndalon keqpërdorimin e mësimeve Kur’anore dhe të sunnetit të Muhamedit a.s. Islami i vërtetë urdhëron mbrojtjen e fesë, nderit dhe vatanit por e dënon dhe e ndalon ngjalljen e bishës në natyrën e njeriut. Njeriu që jeton në paqe me Allahun, jeton në paqe edhe me veten dhe me botën”.
Profesor, besoj sinqerisht se qetësia është zëri më i zhurmshëm. Besoj se fjalët më të shkurtëra, “Po” dhe “Jo”, në fakt, më shumë se të gjitha të tjerat kërkojnë shpjegim dhe analizë, kërkojnë të thellohemi në pasojat e mëdha që mund t’i shkaktojnë ato. Nëse i kemi thënë “Po” Islamit, patjetër që ju kemi thënë “Jo” terrorizmit dhe dhunës. Por, kur disa njerëz i thonë “Po” terorizmit, ata qartë i kanë thënë “Jo” Islamit.
Allahu qoftë i kënaqur me ty, profesor…