Qeveria dëshiron t’i mbajë nën presion punëtorët e RTK-së

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka akuzuar sot partitë në pushtet se janë duke bërë “lojë” sa i përket rregullimit me ligj të çështjes së financimit të radio-televizionit publik.

Sipas tyre, kjo zvarritje po bëhet me qëllim që këto “parti politike t’i mbajnë në vazhdimësi nën presion punëtorët e RTK-së, të cilët në fund dalin më të dëmtuarit!”.

“Pse nuk po e pranoni që as LDK e as PDK por as partitë opozitare nuk janë të gatshme që të pranojnë ta vendosin një taksë ekstra për qytetarin, për shkak se do t’iu kushtonte në vota?!
Ju e dini se e vetmja zgjidhja momentalisht është ajo përmes buxhetit. Edhe buxheti i shtetit është taksë e qytetarit! Atëherë nëse e dini që do të financohemi nga buxheti, pse po e zvarrisni miratimin e ligjit?!”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.

Kjo sindikatë ka përmendur edhe një premtim të Isa Mustafës, i cili në maj të vitit 2014, para zgjedhjeve parlamentare, kishte premtuar se pas ardhjes së tij në pushtet, kjo çështje do të rregullohej brenda 100 ditëve të para.

“Edhe EBU e shqetësuar me gjendjen në RTK vazhdimisht ju ka rekomanduar që buxheti i RTK duhet të zgjidhet urgjent duke marrë parasysh praktikat rajonale që tejkalojnë shifrat prej 17-22 milionë euro në vit për transmetuesit publik”, thuhet në një komunikatë të sindikatës.

Rritja e buxhetit në këtë nivel që në përqindje i bien 1.2% do të ishte e mjaftueshme për të krijuar sado pak kushte më normale për punë, duke filluar nga hapësirat e punës për punëtorët tanë, investimi në teknologji të reja, programe të reja etj, sqaron sindikata.

“SPERTK i bënë thirrje dy partive në pushtet, PDK dhe LDK dhe minoriteteve që menjëherë këtë javë ta dërgojnë ligjin me amendamente në seancë për miratim në mënyrë që deri në qershor ta kemi ligjin e ri me përqindjen prej 1.2% në vend të 0.7% sa ishte deri më tash, përqindje kjo e cila nuk garantonte stabilitet financiar, prandaj edhe duhet të rritet”./Insajderi/.kohaislame

Artikulli paraprakArrestohet banda italo-shqiptare e trafikut të drogës në Vareze
Artikulli vijuesKërcënimet e sigurisë në qendër të takimit të G-7