Qeveria joserioze me ndotjen, qytetarët numërojnë rastet e kancerit

Shteti është i painteresuar për ajrin e ndotur që thithin qytetarët. Në vend të vendosjes së filtrave për ndotësit e mëdhenj, qeveria investon në përmendore. Këto ishin reagimet e ekologjistëve të shprehura para përfaqësuesve të Ministrisë së Ekologjisë dhe Qytetit të Shkupit gjatë debatit “Ndotja në Maqedoni – lufta për ajër të pastër”, të organizuar nga Qendra për gazetari hulumtuese SCOOP-Macedonia, në kuadër të projektit Inbox7. 
 
Sipas ekologjistëve, qytetarët nuk kanë kohë të presin që kompetentët me dokumentacion të lidhur me ndotjen. 
 
Ariajnit Xhaferi nga Lëvizja EcoGuerilla tha se në Tetovë, vetëm gjatë tre viteve të fundit, numri i të sëmurëve nga kanceri është rritur për 80 për qind. 
 
Derisa përfaqësuesit e Ministrisë dhe qytetit të Shkupit i mbronin politikat në raport me masat e ndërmarra kundër ndotjes, përfaqësues të shoqatave joqeveritare kërkuan përgjigje pse Maqedonia është njëra ndër vendet më të ndotura në Maqedoni. 
 
Nenad Kociq nga “Vila Zora” e Velesit tha se kompetentët jo vetëm që nuk kanë mbrojtur qytetarët, por në rastin e shkritores kanë fshehur të dhënat mbi pasojat e ndotjes. 
 
“Ne kemi luftuar ndotjen e Velesit nga ana e shkritores dhe arritëm ta mbyllim. Tani kemi një ambient më të pastër, por ende duhet punuar për të mënjanuar në tërësi pasojat”, theksoi ai.
 
Aleksandra Bujarovska nga organizata “Front21/42” tha se është e papranueshme që në shekullin 21 të presim që shiu ta pastrojë ajrin. 
 
“Kemi një trajtim joserioz të një problemi mjaft serioz”, tha ajo duke konstatuar se “ende nuk është i publikuar regjistri i ndotësve dhe evidenca nëse këto ndotës gjobiten”. 
 
Besa Tateshi, këshilltare në Ministrinë e Ekologjisë, bëri me dije se i gjithë procesi nga gjenerata e parë e lejeve A-të integruara për kapacitetet industriale do të duhet të përfundojë deri në vitin 2019.
 
“Për momentin e ndjekim implementimin e standardeve në “Jugohrom” dhe “Makstil” si dhe pritet që në fuqi të hyjë ligj i ri për ndotjen industriale. Të gjitha masat kundër ndotjes janë në kuadër të ligjeve”, tha ajo.
 
Në këtë reagoi Ngadhnjim Mehmeti nga EcoGuerilla, i cili tha se çdo herë ka lojë me fjalë kur flitet për obligimin e Jugohromit të vendosë filtra. 
 
“Ju duhet të jepni sqarime pse ja vazhduat lejen Jugohromit, edhe pse nuk i plotëson kushtet. Ne nuk jemi optimistë se ky kapacitet industrial ka për qëllim të vendosë filtra. Do të mbledhë fitimin dhe do të shkojë, a te ne do të lë vetëm sëmundjet. Në vend që të na shëtitni me ligje e dokumente, duhet seriozisht t’i qaseni këtij problemi dhe ta detyroni “Jugohromin” të vendosë filtra”, tha ai. 
 
Të pranishmit kritikuan kompetentët edhe për mosvendosjen e aparateve matëse për grimcat PM 2.5, poashtu të rrezikshme, edhe pse një aparat i tillë kushton 15 mijë euro./Almakos
Artikulli paraprakIkin edhe në Ditën e Pavarësisë
Artikulli vijuesJa krimet e dyshuara të vrasësit me pagesë