QKSS: Mos arsimimi dhe pakujdesia e shtetit, faktorë që të rinjtë kosovarë të luftojnë në Lindjen e Mesme

 
 
 Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar raportin mbi “Shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e Lindjes së Mesme, përkatësisht në Siri dhe Irak”. Sipas QKSS, ky raport, i pari i këtij lloji që në mënyrë të detajuar dhe i bazuar në një punë të gjerë empirike, identifikon shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së kosovarëve në konfliktet Lindjes së Mesme, duke e krahasuar Kosovën me 21 vende tjera të Evropës Perëndimore, përfshirë edhe SHBA, Rusinë dhe Turqinë.
 
Në bazë të hulumtimeve krahasuese, raporti i QKSS ka gjetur se Kosova dhe Bosnja kanë më  shumë qytetarë, për kokë banori, që kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Irak.
 
Mirëpo, renditja ndryshon kur bëhet krahasimi i numrit të banorëve, për kokë banori në raport me popullsitë muslimane të këtyre shteteve.
 
Në këtë renditje, kryeson Finlanda, Belgjika, Danimarka, e kështu me radhë, kurse  Kosova listohet e 14-ta në mesin e 22 vendeve perëndimore, me numrin e luftëtarëve për kokë banori musliman.
 
Nga aspekti i ndikimit dhe shkaqeve të jashtme, raporti përmend “Tekfirin” si ideologji specifike ekstremiste që përqafon ISIL dhe pre e së cilës bien disa nga qytetarët e Kosovës kur marrin rrugën e tyre për të luftuar në Siri.
 
Raporti bënë një ndarje ndryshe nga ajo që është bërë deri më tani, dhe bënë dallim të qartë ideologjike mes praktikuesve liberalë dhe konservatorë të fesë Islame që dallojnë shumë nga “Tekfirët”, grup ky i devijuar dhe përjashtues edhe ndaj vetë besimtarëve muslimanë.
 
Sipas këtij raporti,  ideologjia “tekfiriste” është futur në Kosovë në mënyrë më intensive nga viti 2005 nëpërmjet disa imamëve të Shkupit të cilët kanë rënë viktimë e kësaj ideologjie, gjatë studimeve të tyre në baza ideologjike të “Tekfirit”, në Egjipt.
 
Ky hulumtim tregon se, ky grup, edhe pse momentalisht jo i madh, përbënë potencial për rrezikim të sigurisë nacionale të Kosovës dhe sfidë për rendin kushtetues.
 
Nga aspekti i ndikimit dhe shkaqeve të brendshme në Kosovë, që kanë ndikuar që kjo ideologji të përqafohet nga një numër i qytetarëve të Kosovës, kryesisht të rinj, raporti numëron: strukturat e dobëta shtetërore që nga paslufta, politikat e paqëndrueshme, korrupsioni, shkatërrimi i përgjithshëm i vlerave shoqërore, kriza e identitetit, ekonomia e dobët, varfëria, sistemi i shkatërruar i arsimit, izolimi i qytetarëve të Kosovës, etj.
 
Gjithë këta faktorë, sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, kanë ndërvepruar dhe si rezultat kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme për grupet ekstremiste që t’i shfrytëzojnë në favor të argumentimit tyre ideologjik.
 
Autori i raportit, Shpend Kursani, dhe ekipi i tij hulumtues, kanë rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me ish-ekstremistë të tekfirit, 6 ish-luftëtarë të Sirisë të kthyer në Kosovë dhe familjet dhe të afërmit e 12 luftëtarëve tjerë.
 
Në bazë të hulumtimeve të bëra, ai ka gjetur se kosovarët që shkojnë në luftime në Lindjen e Mesme janë kryesisht të rinj dhe jo mirë të shkolluar, me kushte të tmerrshme jetese, të izoluar nga shoqëria dhe shpeshherë edhe nga vetë familja.
 
Këta individë kanë qenë cak i përshtatshëm dhe pre e lehtë për (keq) kuptimin e “konceptit të shehidit”. Gjithnjë sipas këtij raporti, agjituesit e kanë pasur shumë më lehtë bindjen e këtyre individëve për t’iu nënshtruar ideologjisë ekstreme dhe për të shkuar në luftime në  Siri dhe Irak. 
 
Në raport po ashtu janë identifikuar edhe shpërfilljet e BIK-ut në raport me disa xhami të saj të cilat janë përdorur nga imamët “tekfirë” në dëm të prodhimit të dijes së mirëfillt fetare dhe në funksion të promovimit të ekstremizmit.
 
Raporti po ashtu pretendon edhe për papërgjegjësinë etike gjatë ligjëratave të disa imamëve jo Tekfirë (jo ekstremistë) të cilët duke përdorur gjuhë të pamatur mund të kenë ndikuar, pavetëdijshëm, në ekstremizmin e ndonjërit nga ndjekësit e tyre si pasojë e padëshiruar.
 
Në fund të një analize të detajuar, QKSS ka rekomanduar që Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë dhe zbatojë një program gjithëpërfshirës për rehabilitimin dhe ri-integrimin e luftëtarëve që ndahen në tri kategori: ata që janë penduar edhe pse kanë shkuar në Siri por edhe pse kanë përqafuar tekfirizmin; ata që janë penduar pse kanë shkuar në Siri por jo pse e përqafojnë tekfirizmin; dhe ata që nuk janë penduar as pse kanë shkuar në Siri e as pse e kane përqafuar tekfirizmin;
 
QKSS rekomandon që të mos përdorët qasja e shtetit në stil “një kallëp për të gjithë” dhe njëherësh, sugjeron që shteti duhet t’iu shmanget, sa më shumë që është e mundur, arrestimeve dhe burgosjeve, përveç në rastet kur ka indikacione dhe prova të mjaftueshme se individë të caktuar përbëjnë rrezik të madh dhe direkt për sigurinë nacionale dhe rendin kushtetues.;
 
Në fund të këtij raporti hulumtues,  QKSS ka ardhur në përfundim se de-radikalizimi i këtyre të rinjve vetëm nën ndikimin e institucioneve laike është i pamundur, prandaj rekomandohet një bashkëpunim shumë i ngushtë mes institucioneve laike shtetërore dhe institucioneve fetare, si dhe imamëve legjitim dhe kredibil, të cilët duhet të jenë në radhët e para të përpjekjeve për de-radikalizim, por njëherësh edhe parandalimin e vazhdimit të indoktrinimit të të rinjve kosovarë./aa
Artikulli paraprakBREZOVICË, PËR 3 VJET DO TË INVESTOHEN 167 MILIONË EURO
Artikulli vijuesTaxhikistani ndalon haxhin për të rinjtë