Në Tiranë, kryeministri Edi Rama ripërsëriti sot qëndrimin e tij se Greqia nuk mund të ndërhyjë në cështjet që lidhen me ortodoksinë në Shqipëri, pas reagimeve të Athinës për prishjen e një kishe në Dhërmi javën e shkuar
Përmes zëdhënësit të saj ministria e jashtme greke kishte kërkuar shpjegime zyrtare, ndërsa më pas e karahasoi prishjen e kishës me sulmet e xhihadistëve të ISIS-it ndaj objekteve të kultit. Por kryeministri shqiptar tha se “hapësira e ushtrimit të besimit për besimtarët ortodoks është një hapësirë sovrane dhe asnjë shtet fqinj nuk ka të drejtë mbi këtë hapësirë”, deklaroi zoti Rama duke shtuar se “ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë, janë shqiptarë, ndërkohë që për ortodoksët grek që i përkasin minoritetit grek, është e garantuar njësoj me ortodoskët shqiptarë që të ushtrojnë lirisht besimin e tyre”, u shpreh kryeministri.
Rama saktësoi se në Dhërmi do të rindërtohet “shëmbëlltyra e kishës së vjetër dhe do jetë një hapësirë ku do të ekspozohet historia e jashtëzakonshme shqiptare e pararilindjes që ka marre jetë mbi atë truall”.
Për prishjen e objektit në Dhërmi reagoi ashpër edhe Kisha ortodokse duke e cilësuar ndërhyrjen si një akt vandal. Por sipas zotit Rama ky ishte “një moment ku për fat të keq ka patur një keqkuptim nga ana e tyre, që është keqpërdorur nga të tjerët”.