Raporti: forcat ruse kanë vrarë brenda një viti më shumë civilë se ISIS-i

Një raport i përpiluar nga Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) bën me dije se gjatë sulmeve ajrore ruse janë vrarë më shumë civilë sirianë sesa nga ISIS-i.

Gjatë periudhës kohore prej 305 ditësh, duke filluar nga 30 shtatori i vitit 2015 e deri më 31 korrik të 2016-tës, fushata ruse në Siri “ka vrarë jo më pak se 2.704 civilë, përfshirë 764 fëmijë dhe 514 gra”.

“Në anën tjetër, prej 9 prillit të vitit 2013, kur është shfaqur ISIS-i, grupi ekstremist është përgjegjës për vdekjen e 2.686 civilëve, përfshirë 368 fëmijë.”

Raporti i Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut përfshin emrat, vendndodhjet, datat e vdekjes, si dhe hollësi të tjera në lidhje me viktimat.

“Ne pohojmë se gjatë sulmeve ajrore të përmendura në raport, janë shënjestruar civilë të paarmatosur, prandaj konstatojmë se forcat ruse kanë shkelur rregullat e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, që e mbron të drejtën për jetë,” thuhet në raport.

“Ne i akuzojmë në mënyrë të qartë forcat ruse për kryerjen e dhjetëra krimeve, të cilat përbëjnë krime lufte.”

SNHR-ja rekomandon që ky rast të sillet para Gjykatës Penale Ndërkombëtare, dhe të gjithë fajtorët, përfshirë regjimin rus, të bëhen përgjegjës për këto krime. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakImami shqiptar dhe roli i tij në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe fetare
Artikulli vijuesMbyllja e xhamive në Francë: muslimanët druhen se shteti synon të kontrollojë besimin e tyre