Të pasurit gjithnjë e më të pasur, të varfrit gjithnjë e më të varfër. Është ky alarmi i lëshuar nga Oxfam mbi pabarazinë në botë. Hendeku thellohet në botë me 1 për qind të të pasurve të botës që vazhdon të zotërojë 99 për qind të pasurive.
E madje, vazhdojnë të pasurohen akoma më shumë; 82 për qind e pasurisë neto të regjistruar në botë nga marsi 2016 deri në mars 2017 ka shkuar në xhepat e këtij 1 për qindëshi. As edhe një qindarkë ndërkohë nuk është shtuar në xhepat e më të varfërve të planetit që shkojnë në 3.7 miliardë persona.
Kontrasti është i dukshëm edhe si pasojë e faktit që çdo dy ditë regjistrohet arritja e një miliarderi të ri. OJË-ja britanike ka publikuar një raport të ri mbi pasurinë në botë në vigjilje të forumit ekonomik botëror të davosit, që do të mbledhë në qytezën zvicerane ajkën botërore të ekonomisë dhe politikës.
“Të rikompensohet puna dhe jo pasuria”, është titulli i raportit që mund të perifrazohet me dy fjalë, mjerim dhe pabarazi. Në raport sillet edhe një shembull konkret. Në SHBA, në sektorin e veshjeve, aksionistët e pesë markave kryesore kanë përfituar në 2016 dividentë në shumën e 2.2 miliardë dollarëve: do të mjaftonte një e treta e kësaj shifre për të garantuar një pagë dinjitoze për 2.5 milionë vietnamezë që punojnë në të njëjtin sektor, duke prodhuar veshje që ndoshta gjithkush i ka në garderobë.
Por, hendeku është i thellë edhe nga puna në punë; mjafton një ditë si administrator i deleguar në SHBA për të fituar aq sa një punonjës i të njëjtës kompani merr në një vit të tërë.
Pikërisht për këtë fakt, mes propozimeve të Oxfam, është ai i vendosjes së një tavani për super pagat e drejtuesve kryesorë në mënyrë që të mos kapërcehet raporti 20 me 1. Në raport nënvizohet edhe hendeku në pagesë mes meshkujve dhe femrave.