Rasti i revistës “Kosovo 2.0”, dënohen tre persona

0
138

Të akuzuarit Albert Kastrati, Gani Latifi dhe Driton Dili u shpallën fajtorë për Shkelje të Statusit të Barabartë të Banorëve të Kosovës dhe u denuan me nga gjashte muaj burgim.
Sot, një prokuror ndërkombëtar dhe prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, e kanë pranuar aktgjykimin për rastin “Kosova 2.0”. Një gjyqtar i çështjes në Gjykatën Themelore në Prishtinë dënoi tre persona në lidhje me incidentet të cilat ndodhën më 14 dhjetor 2012 në Prishtinë.

Të akuzuarit Albert Kastrati, Gani Latifi dhe Driton Dili u shpallën fajtorë për Shkelje të Statusit të Barabartë të Banorëve të Kosovës (neni 158 KPK), Parandalim ose Pengim të Takimit Publik (neni 173 KPK) dhe Dëmtim të Pasurisë së Luajtshme (neni 260 KPK). Të tre të pandehurit nuk u shpallën fajtorë për veprën Lëndim i Lehtë Trupor (neni 153 KPK) për shkak të mungesës së dëshmive lidhur me lëndimet. Vepra e nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar a etnik (neni 115 KPK) është tërhequr gjatë gjykimit meqë ajo ishte mbuluar me Ligjin për Amnistinë. Të akuzuarit Gani Latifi dhe Driton Dili e pranuan fajësinë për të gjitha akuzat në fillim të seancës kryesore gjyqësore.

Secili prej tre të pandehurve u dënuan me nga gjashtë muaj burgim për akuzën e Shkeljes së Statusit të Barabartë të Banorëve të Kosovës, me nga katër muaj burgim për Parandalim ose Pengim të Takimit Publik dhe me nga katër muaj burgim për Dëmtim të Pasurisë së Luajtshme. Dënimi i përgjithshëm ishte një vjet burgim. Dënimet janë pezulluar për dy vjet.

Incidentet ndodhën në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, ku OJQ-ja mediale Kosova 2.0 e kishte organizuar një ngjarje promovuese për botimin “Seksi” të revistës Kosova 2.0. Në aktakuzë thuhet se tre të akuzuarit, së bashku me një grup të personave të panjohur, hynë në ‘Sallën e kuqe’ të Pallatit të Rinisë dhe të Sportit, e parandaluan dhe penguan me forcë mbajtjen e takimit publik, shkatërruan një pjesë të inventarit dhe e sulmuan një pjesëtar të stafit të Kosova 2.0.

Këtë rast e ka hetuar Policia e Kosovës, e udhëhequr nga një ekip i përzier në përbërje të një prokurori ndërkombëtar dhe një prokurori të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.