Rasti “Monstra”, mbrojtja kërkon ministrin dëshmitarë

Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 sot ka vazhduar procesi gjyqësor për rastin “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc.

Në këtë proces kanë dëshmuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre familjarë të të akuzuarve që kanë qenë me propozim të palës mbrojtëse.

Një nga dëshmitarët e propozuar është edhe një këngëtar i estradës Elvir Mekiq, i cili në ditën e krimit të pesëfishtë kishte xhiruar një videoklip pranë liqenit ku ndodhi në mbrëmje masakra. Do të dëshmojë edhe kryetari i komunës Ilinden, Zhika Stojanovski, i cili në ditën e krimit ka qenë dëshmitarë për praninë e njërit nga të akuzuarit Fejzi Aziri në ambientet e komunës, ku ishin ndarë vendime për legalizimin e pronave. Në mesin e dëshmitarëve është thirrur edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, i cili gjithashtu ka qenë i pranishëm në këtë ceremoni dhe i ka ndarë personalisht vendimin për legalizim, Fejzi Azirit, njërit nga të akuzuarve. Avokati i palës mbrojtëse, Asmir Alispahiq ka theksuar se këto janë dëshmitarë krucial që mund të vërtetojnë se njëri nga personat që po akuzohet nga prokuroria ka qenë krejtësisht i papërfshirë në këtë akt makabër dhe se nuk ka bazë në aktakuzë për shpalljen e fajësisë. Por, gjykata duhet të vendos se a do të pranojë këto propozime për dëshmitarë.

Procesi i sotëm gjyqësor u zhvillua pa dy të akuzuarit kryesor që ngarkohen për vrasjen, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të cilët janë të burgosur në Kosovë dhe pritet ekstradimi i tyre në Maqedoni. Avokati i tyre mbrojtës, Naser Raufi siç mësohet i ka vizituar ata në Prishtinë, por nuk ka dhënë detaje mbi këtë vizitë tek klientët e tyre.

Të premten mbushet një vit nga masakra e Smilkovcit, ku u vranë katër të rinj dhe një peshkatar maqedonas në afërsi të liqenit artificial të Smilkovcit.

Për këtë krim makabër prokuroria ka ngritur akuzë kundër shqiptarëve Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq,Rami Sejdini, Haki Aziri dhe Fejzi Aziri. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakGjermania miku i madh i Kosovës
Artikulli vijuesJaponi në gjendje alarmi për interceptimin e raketave koreanoveriore