“ Jeto sa të duash, ti je i vdekur. Duaj kë të duash, një ditë do të largohesh medoemos nga ai. Tubo pasuri sa të duash, çdo gjë që posedon i takon dheut. Bën çfarë të duash, vepra yte është bashkëudhëtari yt i vetëm”( hadith kudsij)
Shkruan H.Sulejman ef. Rexhepi
Këtyre ditëve u nda nga jeta bashkudhëtarja ime për dyzet e më shumë vjetë nëpër sfidat e jetës. Allahu jep jetë dhe Allahu e merr atë kur të dojë.Kujtimet mbeten përherë ndërsa nënshtrimi përpara ligjit të Krijuesit është fakti që dëshmon besimin. Kështu i tejkalojmë ne dhembjen dhe hidhërimin.
Por, kur Allahu vendosë të ndërpret mysafirllëkun e dikujt në këtë botë, Ai në fakt na dërgon mesazh edhe neve të gjallëve se jeta është shumë e shkurtër prandaj duhet ta çmojmë e respektojmë, duhet të lëmë pas bile një shenjë që në këtë botë jemi përpjekur të ndërtojmë e jo të rrënojmë.
E cili është parakushti i domosdoshëm që ta shijojmë pa ekuioke të drejtën tonë të dhënë nga Zoti për një jetë kuptimplote, për liri, për shpresë,si të arrijmë të mirën e përbashkët në kohët kur pak njerëz janë të gatshëm të marrin përsipër barrën e përgjegjësisë ?
Të ballafaquar me sfidat e shumta të multikulturalizmit, të ritmit marramendës të komunikimit bashkëkohor dhe të teknologjisë, të gjithë ne sikur kemi filluar të anashkalojmë faktin dhe obligimin që e kemi përpara syve çdo ditë e çdo çast. Pra, ne po harrojmë se duhet ndërtuar ura dhe lidhje mes kulturave, mes traditave dhe mënyrave të ndryshme të jetesës.
Etika dhe politika
Para do kohe më rastisi të lexoj një informatë lidhur me një marshim të fëmijëve në një qytet të Maqedonisë që ishte emërtuar “ Fëmijet për dritën dhe për të mirën”. Bukur shumë, sepse fëmijet vetëm dritë dhe mirësi mund të sjellin. Kuptohet, nëse edukohen që ta duan dritën dhe mirësinë.
Por, doli se inisiativa e mësimdhënësve të etikës së religjioneve nuk paska qenë edhe aq e ndritshme dhe aq e mirë, sepse, në fakt ajo te fëmijët e maskuar si engjuj në atë marshim, mund të ketë zgjuar edhe ndjenja të tjera, jo aq të bukura.
Një fëmije, pjesëmarrës në atë marshim, kishte deklaruar se “ ne kemi mësuar që të kremtojmë vetëm festat e bukura dhe jo ato të feve të tjera…” . Kjo deklaratë e thënë në mënyrë aq naïve, mjerisht, dëshmon se edhe fëmijët nëpër shkolla po ju nënshtrohen paragjykimeve të cilat po ua transmetojnë ata që do duhej t’I mësojnë për vlerat e njëmendëta të të gjitha besimeve. Dhe, këtu ndizet alarmi.
Ndizet, sepse fëmijët do të duhej të mësojnë se nuk ekzistojnë festa fetare “të bukura” dhe “jo të bukura”. Nëse mësimdhënësit e etikës kanë dashur t’i largojnë fëmijët nga , t’a zëmë , “Nata e shtrigave”(Halloween), ata është dashur bile të përpiqen t’ua spjegojnë se ajo fare nuk është festë fetare, është një traditë pagane që bie në kundërshtim të drejtëpërdrejtë edhe me rregullat e kishës katolike.
Kështu si kanë filluar të shkojnë punët, druaj se fëmijtet në Maqedoni do fillojnë t’i mësojnë se edhe “Bajrami është festë e keqe”, se “Ramazani nuk është kurrfarë muaji i veçantë” , e pastaj, natyrisht, do dëgjojmë se edhe “Pashkët dhe Kërshëndellat janë festa të këqia”. Por ama, fëmijët që në marshin e përmendur ishin maskuar si engjuj, me kohë do të duhet t’i maskojmë si djaj. Dhe faji nuk do jetë i fëmijëve, do jetë i të gjithë neve që synojmë ti përziejmë dy gjëra që s’përzihen dot- etikën dhe politikën.
Xhamitë nuk janë galeri
Në qytetin në të cilin fëmijët mësojnë për festat e mira dhe të këqia dhe gjatë procesit mësimor i mënjanojnë përmbajtjet që flasin për fetë tjera, mbi sahat kullën që është objekt profan i arqitekturës islame, qëndron një kryq. Aty ekziston edhe “Jeni Xhamia”, e ngritur në vitin 1552 që muslimanët t’i luten Krijuesit të tyre, Allahut Fuqiplotë. Në kohët kur Enver Hoxha i shndërronte xhamitë në salla fiskulture, “Jeni Xhamia” u bë galeri artesh. Ndoshta për t’i dëshmuar Shqipërisë se nuk është vetëm ajo “shtet ateist”.
U bënë pesëdhjetë vjetë që BFI nuk po mund t’a kthejë funksionin e vërtetë të xhamisë së vetë sepse ajo duheshka të jetë galeri artesh, pronë e shtetit.
Shteti i Maqedonisë paska në pronë xhami, por nuk kemi dëgjuar të ketë ndonjë kishë në pronësi. Shpresoj që arsimtarët e etikës nga qyteti që xhaminë e ka shndërruar në galeri artesh, nuk do organizojnë ndonjë marshim të fëmijëve me moton “ T’i ruajmë objektet e bukura fetare kurse të këqiat t’i bëjmë galeri”.
Sidoqoftë, këta dy shembuj nuk shkojnë fare në favor të kultivimit të multikonfesionalitetit dhe multietnicitetit. E kundërta, ato promovojnë dhe kultivojnë idenë e dominimit të njërës fe mbi fetë tjera duke e hedhë poshtë dëshirën, vullnetin dhe nevojën e patjetërsueshme të këtij shteti për tolerancë të sinqertë që do duhej të jenë të prekshme në jetën e përditshme. Të bësh demokratin, tolerantin dhe vullnetmirin është diçka krejtë tjetër nga të qenët demokrat, tolerant e vullnetmirë.
Përfundimisht, shoqëritë multikulturore janë begati e dhënë nga Zoti dhe njerëzit e shtetet që nuk dijnë t’a shfrytëzojnë këtë dhuratë, veprojnë në dëm të vetin. Nduarnduarshmëria duhet të nxite tolerancën dhe lidhshmërinë shoqërore e ato të dyjat bashkë bëjnë dialogun që do të pengojë gjuhën e urrejtjes dhe konfliktin.
Cka është këtu aq e vështirë për të kuptuar ? Cfarë nuk po kuptojmë nga mesazhet e Zotit të cilat po përpiqemi t’i ndryshojmë sipas dëshirës përkundër vogëlsisë tonë ?