Nga Sofia Papadopulu
“Kjo është si një luftë e dytë,” thotë një siriane e vjetër teksa pret me durim në një radhë të gjatë për ushqim në fshatin e vogël Idomeni në kufirin verior të Greqisë me Maqedonisë. Teksa shumica e 12,000 refugjatëve të strehuar brenda kampit Idomeni, që u projektua fillimisht për të strehuar 2500 njerëz, gruaja e moshuar ndihet e zënë në kurth pasi i ashtuquajturi itinerar i Ballkanit u mbyll.
“Ta kisha ditur se do të ngecja në Greqinë e varfër për kaq kohë mbi dy javë tani], do t’i kisha paguar kontrabandistët më shumë para që të më çonin mua dhe familjen në rrugë të tjera kalimi në Europë”, thotë ajo. Në një tendë aty afër, 85-vjeçarja Shereen, nga komuniteti Yazidi në veri të Irakut vlerëson Zotin që iu largua dhunës së Daesh, siç e quajnë ata ISIS. “Kushtet këtu në kamp nuk janë të mira edhe për gjysmën e moshatarëve të mi, por asgjë nuk mund të jetë më e keqe se makthi prej të cilit u larguam,” i thotë ajo BIRN. Ndjenja të përziera që variojnë nga shpresa te zhgënjimi dhe dëshpërimi, kanë pushtuar refugjatët që mbijetuan luftën dhe kalimin e rrezikshëm të detit për në Evropë, vetëm për ta gjetur veten të harruar në Idomeni.
Të mbledhur rreth zjarrin për të qëndruar ngrohtë, sytë e tyre në gardhin që i pengon rrugën, ata duhet t’i mbijetojnë gjithashtu vështirësive të jetës në kamp, meqë Evropa i ka kthyer kurrizin, siç thonë ata. Një alarm fals gjatë samitit BE-Turqi të javës së shkuar, se kufijtë do të rihapen me kalimin e kohës, shkaktoi një gëzim të madh në kamp. Por festimi zgjati vetëm pak minuta. Ashtu si zyrtarët grekë në samitin në Bruksel, refugjatët në Idomeni kishin shpresa të mëdha se Kancelarja Gjermane do të siguronte kalimin e lirë të tyre në Europën Veriore. “Angela Merkel do të na ndihmojë,” tha përpara samitit 23-vjeçari Mahmoud, vetëm për t’u zhgënjyer më pas.
Kryeministri grek Tsipras shkoi në Bruksel për të bërë thirrje për “unitet dhe vendime të guximshme në Greqi dhe Europë” për të zgjidhur krizën më të keqe humanitare në vend që nga Lufta e Dytë Botërore. Aleatët e tij europianë mendojnë ndryshe dhe tani “itinerari i Ballkanit” për refugjatët duket se është mbyllur një herë e mirë. Pak presin ndryshime dramatike në samitin e javës tjetër.
Giorgos Kyritsis, zëdhënës i organit koordinues për krizën e refugjatëve, parashikon se shumica do të largohen nga zona vullnetarisht në dy javët e ardhshme dhe do të shkojnë në qendra më të rehatshme. Tre prej tyre po operojnë tashmë me kapacitet të plotë në veri të Greqisë, ndërsa disa të tjera janë thuajse gati. “Ne besojmë se Idomeni do të braktiset në një ose dy javë”, i tha ai medias greke. Kushtet e jetesës në Idomeni janë bërë të papërballueshme. Shiu i dendur e ka kthyer terrenin në fushë me baltë ku refugjatët dh emigrantët po luftojnë të ftohtin, kequshqimin dhe kushtet e këqija të higjienës. Ka grindje për ushqim ose për një copë të thatë toke. Nën këto rrethana, një operacion policor për të “pastruar” zonën, si ai i ndërmarrë në dhjetorin e shkuar duket i pamundur. “Ne nuk do t’i mbledhim refugjatët. Përveç faktit që nuk duam një operacion policor, ne nuk e kemi këtë mundësi. Janë 12,000 njerëz – gjysma gra dhe fëmijë – në baltë. Si mund t’i spastrosh?”, pyet Kyritsis.
Autoritetet greke thonë se çelësi është të inkurajohen njerëzit të hipin në autobusë që do t’i çojnë në kushte më të mira jetese. Ditë pas dite, grupe të vogla refugjatësh, të zhgënjyer dhe të stresuar nga situata në “tokën e askujt” po hipin në autobusë, kryesisht për në Athinë, për të lëvizur në kampe mikpritëse ose për të aplikuar për zhvendosje.
Nga ana tjetër, disa vazhdojnë të arrijnë në Idomeni me shpresën që liderët evropianë do të kuptojnë vështirësitë e tyre dhe do t’i lënë të hyjnë. Ndërkohë, fëmijë – rreth 40 për qind e njerëzve aktualisht në Idomeni – duket se janë të vetmi që përshtaten me situatën. Ata, të paktën, vazhdojnë ende të qeshin, të shohin me kuriozitet kamerat e TV teksa gjenden kudo dhe i rezistojnë me durim orëve të gjata në pyll kaluar në tendat që ata i quajnë “shtëpi”.
Refugjatët afër Shqipërisë
Autoritetet greke zhvendosën 162 refugjatë nga porti i Pireut drejt Konicës, një qytet rreth 60 kilometra larg Pikës së Kakavijës në kufirin jugor shqiptar. Burimet zyrtare greke pohuan se refugjatët ishin kryesisht gra dhe fëmijë dhe do të strehohen në qendrën e trajtimit të fëmijëve të këtij qyteti. Kryetari i Konicës, Andrea Papaspiro tha për mediat greke se qendra ishte përgatitur një ditë më parë për pritjen e refugjatëve. Më herët në qytetin e Janinës struktura të Organizatës së Kryqit të Kuq kryen seanca trajnimesh për ndihmën shëndetësore në raste të emergjencave civile. Zhvillimet në kufijtë fqinjë me Greqinë po ndiqen me interesim nga pala shqiptare. Krahas masave në kufi autoritetet shqiptare po koordinojnë hapat me strukturat policore të vendeve fqinje për t`u ballafaquar me një fluks të mundshëm refugjatësh. Në zonat veriore greke autoritetet greke kanë paralajmëruar edhe vendosje të grupeve të refugjatëve në qendra të tjera që kanë mundësi strehimi në zonën e Janinës. Autoritetet greke po ndërhyjnë 24 orët e fundit për të lehtësuar situatën në Portin e Pireut. Ky Port është kthyer përkohësisht në kamp për refugjatët. Sipas të dhënave greke rreth 3,500 emigrantë jetojnë në tenda në portin kryesor turistik dhe në terminalin e udhëtarëve të portit. Shumë prej refugjatëve kanë mbërritur me rrugë detare nga portet e tjera greke.
Gerald Knaus: Propozimi i Turqisë është korrekt
Në krizën e refugjatëve, Greqia dhe Turqia mund të përfitojnë nga njëra-tjetra, të mbështetur nga BE. Politika e izolimit është rruga e gabuar, mendon Gerald ekspert austriak për Evropën Juglindore dhe Kryetar i Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), një qendër kërkimore me zyra në Berlin, Bruksel, Stamboll dhe Vjenë.
Turqia ka bërë ofertën që të pranojë kthimin te ajo të refugjatëve nga Greqia, nëse BE për çdo refugjat të kthyer pranon një refugjat sirian nga Turqia. Si e vlerësoni këtë ofertë?
Ky është një propozim korrekt i Turqisë. Rëndësi ka që ai të realizohet në përputhje me ligjet greke dhe me ligje të përshtatshme të BE. Ato thonë që njerëz që arrijnë në ishujt grekë, me të vërtetë mund të kthehen shumë shpejt në Turqi, po të jetë e gatshme Turqia që t’i pranojë ata. Po kjo mund të bëhet vetëm nëse ata nuk paraqesin lutje për azil. Dhe secili ka të drejtë të paraqesë një lutje individuale për azil. Po të paraqesin lutje për azil refugjatët, ajo mund të përpunohet shumë shpejt, po të jetë Turqia një shtet i sigurt i tretë për refugjatët. Unë do të argumentoja si të tjerët në këtë rast: Turqia është një shtet i tillë. Kjo në një kohë kur është e qartë se në Turqi me reforma të tjera, e edhe me mbështetje financiare nga BE mund të arrihet shumë, shumë më tepër, për të përmirësuar gjendjen e refugjatëve në vend.
A nuk po bën BE kompromise shumë të mëdha, përballë një Turqie, a nuk lejon ai që Turqia t’i bëjë madje shantazh?
Kur bëhet fjala për refugjatë, atëherë insinuata se Turqia përpiqet t’i bëjë shantazh BE është shumë e ulët. Sepse Turqia është në fakt vendi që ka pranuar më shumë refugjatë. Shumë më tepër se çdo vend tjetër në Evropë. Dhe njëkohësisht, BE do që Turqia t’i mbajë në vend refugjatët. Kur Turqia thotë se kërkon për këtë ndihmë financiare dhe mbështetje nga BE, i cili ka interes që kjo punë të dalë me sukses, atëherë ky nuk është shantazh. Para së gjithash, po të mbash parasysh se Ankaraja paratë shtesë i kërkon për vitin 2018. Nga ana tjetër, është krejtësisht e qartë se BE natyrisht nuk mund ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, si shpërblim për ndihmën që jep Turqia për çështjen e refugjatëve. Turqia kërkon që të hapen kapituj të tjerë të anëtarësimit. Por anëtarësimi gjithsesi mund të ndodhë vetëm atëherë, kur të 28 shtetet, në të gjithë kapitujt arrijnë në përfundimin se Turqia duhet të anëtarësohet. Dhe nga kjo pikë ne jemi shumë larg.
Si i vlerësoni shanset e një aleance të re të përbërë nga Greqia, Turqia dhe Gjermania, për tëkundërshtuar politikën e mbylljes së kufijve?
Unë vetëm mund të shpresoj, që një afrim midis Gjermanisë dhe Turqisë, i cili aktualisht nuk bazohet në simpati të madhe ose në besim, por para së gjithash në interesa, të çojë në plan afatmesëm që raporti të përmirësohet. Parakushti për këtë megjithatë është që Turqia, përsa u përket të drejtave të njeriut, të orientohet sërish në atë që ka bërë para disa vitesh – pra në reforma, të cilat i forcojnë të drejtat e njeriut dhe jo i dobësojnë ato. Kjo u duhet thënë herë pas here turqve. Nëse nëpunësit turq në një të ardhme të afërt të bashkëpunojnë me grekët në ishujt grekë, dhe kur si Greqia, ashtu edhe Turqia të pranojnë, se sa e madhe është rëndësia strategjike që nga ky bashkëpunim të dalin edhe rezultate, atëherë vetëm mund të shpresosh, që raporti në Egje dikur të çtensionohet. Në fakt Greqia është për Turqinë kufiri më i sigurt dhe më miqësor, që ka Turqia, sepse përndryshe ajo është e rrethuar nga konflikte, shtete të dobëta dhe nga armiq.
Kandidatët për anëtarësim në BE të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në mbylljen e kufijve.Çfarë do të thotë kjo për ta?
Pa asnjë dyshim, përfytyrimi që vala e refugjatëve mund të ndalet me frikësim ose me një gardh në Ballkan, është në çdo pikëpamje një katastrofë për shtetet ballkanike. Unë jam mjaft i sigurt se kjo nuk do të ketë sukses. Sepse tërheqja për trafikantët, që t’u tregojnë një rrugë tjetër njerëzve, natyrisht që është gjigande. Kësaj i shtohet fakti, që disa në BE thonë se Greqia do të braktiset: kjo të bën që edhe për Shkupin dhe Beogradin të shtrohet pyetja, nëse mënyra si trajtohet tani Greqia nga BE është ajo që mund të presë një anëtar i Bashkimit Evropian.
Kriza, ndryshojnë rregullat e Shengenit
Situata e rëndë e krijuar nga terrorizmi, refugjatët dhe kriza globale ka bërë që të ndryshojnë rregullat e Shengenit. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere kërkoi regjistrimin e të dhënave të të gjithë personave që hyjnë në zonën e “Schengen”-it. “Ne duam të dimë kush vjen”, ishte komenti i tij i pasuar nga sqarimet se një regjistër i ri udhëtimi do të shumëfishonte sigurinë e shteteve europiane. Baza e të dhënave do të përfshijë kohën dhe vendin e hyrjes e atë të daljes për të gjithë shtetasit që nuk vijnë nga vendet e “Schengen”-it. “Për momentin, ne lëshojme viza”, kujtoi De Maiziere, por nuk ka praktikisht një databazë që të tregojë kohën reale të mbërritjes apo largimit të individit në njërin prej vendeve të lëvizjes së lirë. Një sistem i ri të dhënash biometrike, sipas tij, do t’i paralajmëronte autoritetet për çdo tejkalim të afateve të qëndrimit. Të dhënat, përpos kësaj, do të jenë të një rëndësie kyçe edhe për luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm. Kreu i Policisë Federale gjermane Holger Mynh, u pajtua me këtë ide e argumentoi se Evropës i nevojitet vendosja e një rrjeti të dhënash i cili të ndihmojë në gjurmimin e militantëve islamikë që mund të jenë kthyer në Kontinentin e Vjetër pas luftimeve në Siri e Irak. Anijet gjermane që patrullojnë Egjeun janë udhëzuar sakaq të mos i kthejnë mbrapsht në Turqi refugjatët e gjetur në det.
Berlini i hedh poshtë kritikat nga Shkupi
BE e ka lënë vendin tonë në baltë, kritikon presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov në intervistë për një gazetë gjermane. Sipas tij Gjermania refuzon bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Berlini i hedh poshtë kritikat. Zyra e kancelarisë në Berlin nuk e kupton kritikën e ashpër të presidentit Gjorgje Ivanov në intervistën për gazetën “Bild”. Qeveria federale që prej shpërbërjes së Jugosllavisë me impenjim të madh është angazhuar për stabilizimin e rajonit, tha zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert në Berlin.
Gjermania mbështet përpjekjet për reforma në shtetet e Ballkanit Perëndimor me programe voluminoze, me ndihmën e të cilëve këto shtete duhet të afrohen në BE. Në vitet 2014 deri në vitin 2020 vetëm Maqedonia do të marrë 664 milionë Euro nga BE-ja.
Kancelarja përveç kësaj në gusht 2014 inicioi Konferencën për Ballkanin Perëndimor, që zhvillohet çdo vit, për të theksuar perspektivën evropiane të shteteve të rajonit dhe për të bashkëpunuar në projekte konkrete. Komisioni i BE-së rekomandon qysh nga viti 2009 fillimin e bisedimeve të antarësimit me Maqedoninë.
“52 milionë Euro ndihma”
Qeveria federale është e vetëdijshme, që aktualisht Maqedonia për shkak të numrit të lartë të refugjatëve është e ngarkuar në masë të madhe. Zëdhënësi qeveritar Seibert e hodhi poshtë deklaratën e presidentit Ivanov, sipas të cilit nga Evropa “nuk ka marrë asnjë Cent” ndihma. Në kontekstin e detyrave për refugjatët BE-ja i ka vënë në dispozicion Maqedonisë gjithsej 52 milionë euro, tha Seibert.