‘Refugjatët’, OJQ-të kërkojnë llogari për 2.5 milion eurot e ndara nga BE-ja

– OJQ-të që veprojnë në Qendrën për pranim të refugjatëve në Gjevgjeli akuzuan Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për bllokimin e 2.5 milion eurove të ndara Bashkimi Evropian për përmirësimin e kushteve gjatë sezonit të dimrit në këtë qendër. Kastriot Rexhepi nga OJQ ‘NUN’ thotë se deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë qendër të refugjatëve të cilëve u mungon ushqimi i nxehtë dhe ngrohja nëpër tenda, gjëra këto që duhej siguruar pikërisht nga këto fonde të BE-së.

“Informacione më konkrete për këto fonde nuk kemi por shpresojmë se nëse ka Qeveria t’ju ofrojë mundësi shoqatave që punojnë në terren të mund të marrin nga ato fonde me qëllim të ndihmojnë në këtë proces sa më mirë. Ka informacione që do të punohet në adaptimin e pikave tranzitore, duken disa punime, por deri tash nuk ka diçka të realizuar”, tha Kastriot Rexhepi, OJQ ‘NUN’.

Sipas informacioneve jozyrtare mësohet se ngecja në ndarjen e fondeve të BE-së është rezultat i përplasjeve mes Ministrisë për Punës dhe Politikë Sociale dhe Qendrës për Menaxhim me Kriza se kush është përgjegjëse për këtë qendër. Drejtorja e qendrës, Suzana Saliu thotë se fondet janë marrë nga ministria e cila sipas saj është përgjegjëse për ndarjen e tyre.

“Qendra për Menaxhim me Kriza është bartëse për ballafaqim me çdo krizë. Tre institucione kyçe janë për ballafaqim me kriza, ajo është Komiteti Drejtues, Grupi për Vlerësim dhe Qendra për Menaxhim me Kriza. Ne këtu kemi përfaqësues nga të gjitha institucionet, këtu marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale pasi ata kanë një rol koordinativ me OJQ-të”, u shpreh Suzana Saliu, drejtore e Qendrës për Menaxhim me Krizat.

Ndërkohë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ishin të pakapshëm të japin sqarime se vallë BE-ja ka ndarë mjete në lartësi prej 2.5 milion eurove në adresë të tyre me qëllim sigurimin e kushteve për refugjatët gjatë sezonit të dimrit dhe të sqarojnë për opinionin se cili institucion në vend është kompetent që të sigurojë kushte dhe mjete nga BE-ja për refugjatët.

Artikulli paraprakBirmani, muslimanët pa të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhjet parlamentare
Artikulli vijuesReagimet tona: Justinian Topulli