Rindërtimi i Gazës mund të marrë një shekull, nëse nuk hiqet bllokada izraelite

0
171
Rindërtimi i shtëpive, shkollave dhe spitaleve në Gaza mund të duan më shumë se një shekull për t’u realizuar, për sa kohë që nuk hiqet bllokada izraelite, e cila ndalon importimin e materialeve të konstruksionit në Rripin e Gazës.
 
Gazës i nevojiten më shumë se 800 mijë kamionë me materiale ndërtimi për të riparuar infrastrukturën e shkatërruar përgjatë luftës së vitit 2014 me Izraelin, bën të ditur agjencia e ndihmave “Oxfam” gjatë së enjtes, ndërsa deri më tani më pak se 0.25% e materialeve të nevojshme kanë hyrë në Gaza gjatë këtyre 3 muajve të fundit.
 
50 ditët e konfliktit në Gaza, mes Hamasit dhe forcave izraelite gjatë muajve korrik-gusht të vitit të kaluar, shkaktuan më shumë se 2100 viktima palestinezë dhe 73 izraelitë; por veç tyre edhe një rrënim total në enklavën mesdhetare të 1,8 milionë palestinezëve.
 
Izraeli ka vendosur një bllokadë në Rripin e Gazës, që kur lëvizja islamike e Hamasit erdhi në pushtet gjatë zgjedhjeve të vitit 2006, ndërsa një kontroll të rreptë të furnizimeve me ushqime, por edhe të hyrje-daljeve të njerëzve në këtë territor, po kryejnë bashkarisht Egjipti dhe Izraeli.
 
Sa më gjatë të vazhdojë bllokada, më shumë jetë do të vihen përballë rrezikut, tha drejtorja rajonale e “Oxfam”, Catherine Essoyan. “Familjet po jetojnë nëpër shtëpi pa çati, pa mure apo dritare, gjatë gjithë këtyre muajve. Shumë prej tyre kanë vetëm 6 orë energji elektrike përgjatë ditës dhe nuk kanë ujë të rrjedhshëm”, tha në një deklaratë Essoyan.
 
Rreth 100 mijë persona, shumica prej të cilëve fëmijë, janë duke jetuar nëpër barake, apo strehëza të përkohshme të mbipopulluara, për shkak se shtëpitë e tyre u shkatërruan, bën të ditur “Oxfam”.
 
Mijëra të tjerë janë duke jetuar nëpër ndërtesa të shkatërruara, duke përdorur mbulesa plastike në përpjekje për të mos u lagur nga reshjet e shiut.
 
Shumë pak nga angazhimi prej 5,4 miliardë dollarësh për rikonstruksionin e Gazës, i bërë gjatë konferencës së Kajros nga donatorë ndërkombëtarë tetorin e vitit të kaluar, ka ardhur realisht në territorin palestinez.
 
Japonia kontribuoi me 32,2 milionë dollarë ndaj Agjencisë për Vepra Lehtësuese të Kombeve të Bashkuara (UNRWA) gjatë së enjtes, prej të cilave 14 milionë dollarë do të shkojnë për programin e ndihmës “cash” për riparime dhe për subvencionimin e qirave për refugjatët palestinezë të mbetur pa shtëpi nga konflikti i vjetshëm.
 
Muajin e kaluar, UNRWA tha se mungesa e financimeve ndërkombëtare ka detyruar atë të pezullojë pagesat e dhjetëra-mijëra palestinezëve për të riparuar shtëpitë e dëmtuara në luftën e 2014-s. / Top Channel