Rritet ‘hajnia’ në Kosovë

Qytetarët e Kosovës kanë arsye që të shqetësohen. Sipas statistikave që i posedon Policia e Kosovës numri i vjedhjeve në Kosovë ka shënuar rritje gjatë vitit 2012, krahasuar me vitin 2011.

Gjatë vitit 2012 janë shënuar gjithsej 8607 raste të vjedhje në Kosovë dhe nëse krahasohen me vitin 2011, në të cilin kanë ndodhur 8474 vjedhje, del se më 2012 kanë ndodhur 133 vjedhje më shumë.

Qyteti me numrin më të madh të vjedhjeve në Kosovë është Prishtina, me gjithsej 3486 raste të vjedhjeve.

Pas kryeqytetit, statistikat flasin se edhe qyteti i Pejës dhe Ferizajt kanë rritje të rasteve të vjedhjeve, 64, respektivisht 74 vjedhje kanë ndodhur më shumë gjatë vitit 2012 krahasuar me një vit me parë.

Statistikat tregojnë rënie për vjedhjet e cilësuara, si të rënda dhe grabitjet. Rastet e vjedhjeve të rënda kanë rënë gjatë vitit 2012 për 820 raste më pak, krahasuar me vitin paraprak.

Statistikat tregojnë se edhe numri i grabitjeve në Kosovë ka rënë nga 519 në 448 raste.

Lidhur me numrin e vjedhjeve në Kosovë, edhe numri i të arrestuarve gjatë 2012 është më i lartë, se në vitin 2011.  Gjatë 2012-së, numri i të arrestuarve është 18435 persona, derisa në 2011 ishte 14210. /Telegrafi/

Artikulli paraprakApple liron çmimet dhe rrit shpejtësinë në laptopët MacBook!
Artikulli vijuesRusia furnizon me armë luftën kundër muslimanëve në Mali dhe Siri