Ruajtja e kishave, mbi Ahtisarin

Takimi i fundit i kryeministrit Hashim Thaçi me homologun serb, Ivica Daçiq, përveç IBM-së që interpretohet si fitore në Prishtinë, ka sjellë edhe një fitore për Beogradin. Disfata e Kosovës në këtë takim, sipas opozitës kosovare, ka ardhur në kohën kur kryeministri Hashim Thaçi ka pranuar të hapet Pakoja e Ahtisarit, duke ia mundësuar palës serbe, respektivisht Beogradit që të ketë një pavarësi të plotë mbi objektet e trashëgimisë ortodokse serbe.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se gjatë takimit të dytë në Bruksel, është trajtuar edhe mundësia që monumentet serbe në Kosovë të gëzojnë një status “të ri” nga ai që e kanë aktualisht. Për këtë pikë, Thaçi i ka njoftuar edhe përfaqësuesit e shteteve të Kuintit. “Masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë”, ka përmendur Thaçi. Në Beograd, ndërkaq kanë thënë se Ivica Daçiq, kryeministri i Serbisë, ka kërkuar që në këto objekte të qëndrojnë vetëm policët serbë.
Megjithatë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, mohon kategorikisht se bëhet fjalë për një “status special” të monumenteve ortodokse serbe në Kosovë, e aq më pak se mund të dilet jashtë Pakos së Ahtisarit.
“Kjo (masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë) ka të bëjë me prezencën e Policisë së Kosovës afër objekteve të tilla”, ka thënë shkurt ai.
Por, për opozitën dhe shoqërinë civile pikërisht “masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve serbe”, mund t’ia mundësojnë autoriteteve serbe që t’i mbrojnë ato me çfarëdo forme, duke përfshirë edhe mbrojtje fizike të tyre me trupa të armatosura.
Nënkryetarja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, thotë se vetë Pakoja e Ahtisaarit është dizajnuar ashtu që të lërë të hapura mundësitë e ndërhyrjeve të mëtutjeshme, ndërsa thekson se në “Aneksin V, neni 3 paragrafi 3.1.1, qartësohet se mbrojtja e objekteve fetare dhe kulturore serbe do të jetë detyrë e veçantë operacionale e policisë”. “Kosova qysh në negociatat e Vjenës e ka pranuar emërtimin e kishave dhe manastireve ortodokse mesjetare të Kosovës si trashëgimi kulturore serbe dhe rrjedhimisht edhe eksterritorialitetin e tyre. Kjo është shumë mirë e definuar në Pakon e Ahtisaarit”, thotë ajo.
Në fakt, Pakoja e Ahtissarit i nxjerr këto objekte jashtë Kosovës, pra duke ia përshkruar të gjitha tiparet e eksterritorialitetit por pa e përmendur në mënyrë eksplicite këtë fjalë. Tani prezenca e policëve rreth këtyre objekteve, sipas saj, do ta bëjë vetëm më të dukshëm për qytetarët eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve mesjetare të Kosovës, shkruan “Zeri”
E ndërkaq, për analistin politik, Avni Zogiani, kryeministri Thaçi, me vetëdije është duke dalë jashtë Pakos së Ahtisarit, dhe atë, siç thotë ai, në disa segmente dhe jo vetëm në raport me monumentet fetare ortodokse. “Kjo me trashëgiminë kulturore shkon në linjë me atë që po pretendohet për veriun, domethënë njëfarë statusi special i territorit të veriut edhe territoreve që konsiderohen trashëgimi kulturore e serbëve që kryesisht janë kishat. Kjo është njëra nga pikat që mendoj se ekziston bazë të dyshohet se tashmë Thaçi ka bërë kompromise përtej Pakos së Ahtisarit”, thotë Zogiani.
Ai thekson se ka indikatorë të mjaftueshëm se në dialogun Prishtinë-Beograd kryeministri Thaçi është duke bërë kompromise të cilat, siç thotë ai, do ta shkatërrojnë Pakon e Ahtisarit.
Por, për deputetët e partisë së kryeministrit Thaçi, Partisë Demokratike të Kosovës, shefi i qeverisë është duke negociuar me Serbinë brenda kufijve të Pakos së Ahtisarit, dhe si i tillë nuk do të dalë jashtë saj. Deputeti i kësaj partie, Nait Hasani, thotë se “masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë” nënkuptojnë zbatim të Pakos së Ahtisarit.
“Përfaqësuesi i trashëgimisë kulturore në Kosovë prej Pakos së Ahtisarit është ambasadori grek dhe të gjithë ambasadorët tjerë nuk kanë njohuri për trashëgiminë dhe kjo ka qenë ajo njohuria. Jashtë Pakos së Ahtisarit nuk ka asgjë, edhe vetë kryeministri ka deklaruar se nuk do të dalë jashtë kësaj pakoje. Sipas Pakos së Ahtisarit i kemi masat shtesë për mbrojtje të trashëgimisë, që janë siguri e veçantë deri në stabilizim të plotë”, thotë ai.
Sipas tij, masat shtesë nënkuptojnë ngritja dhe mbrojtja e kulturës nga institucionet e veçanta. “Nga institucionet e Kosovës duhet të krijohet një organ i cili duhet t’i mbrojë ato (monumentet ortodokse serbe)”, nënvizon ai.
Analisti politik, Avni Zogiani, thotë se kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, është duke injoruar vazhdimisht Kuvendin e Kosovës, ndërsa po vazhdon t’i raportojë bashkësisë ndërkombëtare. “Fakti që kryeministri po e injoron Kuvendin por i informon ambasadorët tregon se ai në fakt nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet kërkesës së qytetarëve kosovarë, përfaqësues i të cilëve është Kuvendi, por po i bën këto kompromise për hatër të ambasadorëve të Kuintit”, thotë ai./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakXhemajli: FARK-u s’ka luftuar për Kosovën
Artikulli vijuesEgjipti drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës