Rusia mohon të ketë vrarë 10 mijë vetë në Siri

Rusia ka hedhur poshtë pretendimet e grupit monitorues në Siri, se nga sulmet ajrore prej vitit të kaluar janë vrarë rreth 10 mijë njerëz.

“Ne nuk konsiderojmë se informacionet e organizatës me bazë në Britani, për atë se çfarë po ndodhë në Siri nuk janë të besueshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, organizatë me bazë në Londër, ka vlerësuar se më shumë se 9,364 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore ruse, përfshirë këtu 3,804 civilë dhe 906 fëmijë.

Observatori ka shtuar se në këto sulme gjithashtu janë vrarë 2,746 anëtarë të grupit ekstremist Shteti Islamik dhe 2,814 luftëtarë të grupeve të tjera rebele islamiste.

Më 30 shtator të vitit të kaluar, Rusia ka nisur fushatën ajrore për të mbështetur trupat e presidentit sirian Bashar al-Assad.

Aktivistët opozitarë kanë fajësuar Rusinë për fushatën e fundit ajrore kundër lagjeve të kontrolluara nga rebelët në qytetin e Alepos. Ata thonë se në këto sulme, në dy javët e fundit janë vrarë më shumë se 200 civilë dhe janë shkatërruar shumë ndërtesa.

Artikulli paraprakPolicia izraelite vret një palestinez në Bregun Perëndimor
Artikulli vijuesNë sulmet ajrore ruse në Siri për një vit janë vrarë mbi 9.000 njerëz