Çdo njeri në këtë botë është i gabueshëm dhe kjo është më se normale për natyrën e dobët njerëzore që ne kemi. Islami si fe e natyrës njerëzore e njeh mirë këtë aspekt human, ndaj dhe ai e trajton atë në mënyrën e duhur. Një nga veçoritë e kësaj feje është pikërisht norma që flet për urdhërimin për të mira dhe ndalimin nga e keqja. Këshilla, nxitja për punë të mira dhe kritika dashamirëse, janë mjetet që Zoti ynë i ka përligjur për të trajtuar gabimin brenda bashkësisë së besimtarëve. Përdorimi i dhunës fizike apo linçimi është arma e fundit ndaj së keqes, kur ajo nuk mund të ndalet vetëm se me këto mënyra. E para i takon autoritetit shtetëror, kur kemi të bëjmë me një të tillë islam, ndërsa e dyta është kryesisht mjet i autoritetit fetar, të cilin ai e ushtron në raste të domosdoshme, brenda kritereve që përcakton feja. Dera e kritikës dhe e sugjerimeve është gjithmonë e hapur për këdo që është i sinqertë, dashamirës dhe i përmbahet parimeve të fesë dhe normave të etikës islame. Denigrimi, përbaltja, tallja, ironia, sarkazma, karikatura, poshtërimi, paragjykimi i nijetit, nuk janë metoda as mënyra islame të kritikës dhe këshillës dashamirëse. Kjo për vetë synimin që ato mbartin, këto mjete nuk janë kurrsesi dashamirëse dhe kurrë nuk e arrijnë efektin e duhur, për faktin se këto mjete janë të tilla që edhe sikur ai që i përdor të pretendoj se ka qëllim të mirë efekti i tyre është tërësisht i kundërt. Qëllimi nuk përligj mjetin në Islam. Këto mjete denigrojnë të kritikuarin dhe historia e shkuar dhe aktuale tregon se ato përdoren nga ata që janë në armiqësi mes tyre dhe për të hedhur poshtë kundërshtarin, për ta ulur atë, irrituar dhe bërë qesharak në sytë e njerëzve, përdhosur dhe përbaltur atë nderin dhe autoritetin e tij. Le të kujtojmë këtu se çfarë bënte regjimi komunist me ata të cilët i quante armiq të popullit dhe që në fakt konsideroheshin kundërshtarë ideologjikë të komunizmit, mes tyre padyshim edhe kleri. Partia komuniste luftën ndaj fesë e nisi pikërisht me të ashtuquajturin demaskim të klerikëve, me përbaltjen e tyre, duke u bërë atyre karikatura dhe gjyqe dhe demaskime publike, duke pasqyruar atë që sipas tyre përfaqësonin këta njerëz të fesë dhe besimit. Sarkazma, për shembull është një nga këto mjete, të cilin edhe pse disa mund ta quajnë art, ai është një arti i denigrimit të kundërshtarit dhe aspak nuk kryen rolin e një këshilluesi. Sarkazma pengon në komunikimin e sinqertë dhe të vërtetë mes besimtarëve, krijon klimë tensioni dhe pasigurie dhe i zhvesh njerëzit nga serioziteti që i ruan ata nga harami. Sarkazma, sipas shpjegimit që jep Fjalori i Gjuhës Shqipe, është një ironi therëse dhe e hidhur, e shprehur me urrejtje a me përbuzje. Si origjinë kjo fjalë vjen nga greqishtja dhe përdoret me të njëjtin kuptim, por fjalë për fjalë në greqisht ajo do të thotë shqyej mishin, kafshoj mishin, ku sarka në greqisht do të thotë mish. Sarkazma si element stilistik është “ironia që merr një karakter të hidhur, sulmues, kur shpreh urrejtje dhe përbuzje të thellë ajo quhet sarkazëm. Këtë mjet të fuqishëm e përdorin shpesh poetet në veprat satirike ose oratorët në ligjëratat e veta kur ata duan të demaskojnë e të goditin rëndë kundërshtarët, veset e të metat e ndryshme të një shoqërie, klasat shfrytëzuese, parazitët e ndryshëm, etj. Në letërsinë tonë kanë përdorur me mjeshtëri sarkazëm: Fan Noli, Çajupi, Migjeni. Plot sarkazëm janë këto vargje te Çajupit te poezia “sulltani” : Jam sulltan, mbret i vërtet shoq të tjerë skam në jetë gjakëtor e zemërderr nga frika më bëjnë nder.”[1] Kur shikon kuptimin e fjalëpërfjalshëm të fjalës sarkazëm, menjëherë të vjen në mendje krahasimi që Zoti i ka bërë përgojimit në Kuran. Pa mendoni pak, kur Allahu e ka krahasuar aktin e përgojimit me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur , çfarë mund të thuhet për ngrënien e mishit të tij, të gjallë?! Kjo, sepse mishi nënkupton nderin e tij dhe vdekja nënkupton mosprezencën e tij, ndërsa sarkazma që bëhet publike është figurativisht ngrënie për së gjalli e dikujt! E ç’mund të thuhet për ata që qeshin me të tilla sarkazma? Në letërsinë dhe poezinë arabe që para Islamit njihej një stil poezie sulmuese, tallëse, si e kundërta e poezisë lavdëruese, termi që përdorej dhe përdoret edhe sot për të në arabisht është hixha. Ky term mund të përkthehet në shqip edhe si satirë, por me satirë këtu nuk duhet të kuptojmë vetëm elementin tallës që e bën dëgjuesin apo lexuesin të qesh, por edhe sarkazmin, ironinë, sulmin dhe përbaltjen dhe denigrimin e dikujt. Arabët e përdornin hixha-n si armë lufte kundrejt kundërshtarëve dhe armiqve të tyre, një armë të tillë ata e përdorën edhe kundër Profetin tonë fisnik (alejhi salatu ue selam). Kur ata shpifnin për të si mashtrues, magjistar, i çmendur, vinin në punë edhe artin e tyre të hixha-s (satirës). Kështu pra hixha-ja ishte një mjet i pastër lufte, që mund të të vriste edhe më shumë sesa shpata. Pikërisht për këtë arsye Profeti e përligji atë kundra armiqve më të egër të Islamit. Ai i thoshte Hasan ibn Thabitit, poetit musliman: “Satirizoi dhe sulmoi ata! Satirizoi kurjeshët, sepse për ta ajo është më e rëndë se goditja e shigjetës.” Por këtu duhet pasur parasysh, se nuk lejohet që kjo metodë të përdoret fillimisht nga muslimanët, nëse nuk e përdorin më parë atë armiqtë e tyre. Praktika e Profetit (alejhi salatu ue selam) e provon këtë, por edhe nisur nga urdhri kuranor që ndalon ofendimin e jobesimtarëve dhe idhujve të tyre, sepse kjo mund të shkaktojë ofendimin e Allahut, fesë dhe Profetit të Tij. Kështu pra satira është një mjet lufte, i përligjur në rast lufte ndaj armiqve, për vet qëllimin që ajo përmbush. Por a mund të përdoret satira për tu tallur, sulmuar dhe bërë ironi dhe sarkazëm me muslimanët? Dijetarë muslimanë janë të një mendje se satirizimi i muslimanit nuk lejohet, është haram, dhe për këtë janë argumentuar me fjalët e Allahut që thotë: “Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (el-Ahzab: 58) “O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.” (el-Huxhurat: 11) Si dhe me fjalët e Profetit (alejhi salatu ue selam): “Musliman është ai që muslimanët e tjerë janë të sigurt prej gjuhës dhe dorës së tij” (Buhariu & Muslimi) “Besimtari nuk është lëndues (i nderit), as mallkues, as gojë prishur dhe fjalëpahijshëm.” (Tirmidhiu) Siç e thamë, nuk ka njerëz të pagabueshëm mes tyre edhe besimtarët dhe hoxhallarët, por të tallesh dhe të bësh satirë me ta është haram. Tallja me hoxhallarët madje është edhe më e rëndë, jo se ata janë një soj ndryshe nga njerëzit e tjerë dhe janë të pagabueshëm, kurrsesi, por tallja me ta direkt ose indirekt prek fenë, sepse përçmimi i tyre, denigrimi dhe përbaltja e tyre patjetër që do të cenoj edhe pozitën e tyre, të cilën ata nuk e kanë të tyren, por të fesë dhe dijes që ata kanë dhe japin. Absolutisht që edhe hoxhallarët gabojnë, por rruga e ndreqjes as për ta dhe as për asnjë besimtar musliman nuk është kurrsesi satira, tallja, sarkazma, ironia, karikatura, përbaltja dhe denigrimi. Këto mjete janë vetëm shfryrje dufi, hakmarrje dhe inate që pavarësisht motivimit janë mjaft të u
lëta për tu përdorur, ndaj dhe u duhet dhënë fund si praktikë mes nesh. [1] Materiale të ndryshme që shpjegojnë figurat stilistike. Justinian Topulli