Sekiraça akuzon UÇK-në për krime lufte

“Koha Ditore” ka nisur sot publikimin në vazhdime të intervistës së “jeta në Kosovë” me Enver Sekiraçën, të cilësuar si personin më të kërkuar nga Policia e Kosovës. Po sjellim këtu pjesë nga ky shkrim, i cili i plotë botohet në këtë gazetë.

Me një fletarrestim që ishte lëshuar nga UNMIK-u në gusht të vitit 2007 në Interpol, Enver Sekiraça, i lindur më 18 nëntor 1973 në Prishtinë, i gjatë 183 cm, kërkohej me dyshimin se kishte kryer vepra penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhje, krime seksuale, etj.

Policia ishte në kërkim të tij që nga vrasja e policit Triumf Riza, në fund të gushtit 2007. Në vitin 2005, në një kazino në Prishtinë kishte pasur përleshje mes Rizës dhe Enver Sekiraçës. Kabllot diplomatike, të lëshuara nga “Wikileaks” më 2011, dhe që i takonin vitit 2007, e përshkruanin këtë të fundit si një gangster me lidhje me politikanë të fuqishëm. Ai është i dënuar me dy vjet burgim për veprën penale të kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës.

Dy policë ishin shpallur fajtorë më 2009 për shpërthimin e 24 shtatorit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali “Sekiraça Bar”, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Triumf Riza. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, D.P.H. “Sekiraça Bar” shënon për aktivitete bastvënien dhe bixhozin.

Gjatë luftës, më 1999, ai është ndalur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) për dyshime se kishte ndërlidhje me regjimin shtypës serb.

Pas luftës, Sekiraça ka folur vetëm një herë publikisht, në një intervistë në gazetën “Lajm” të vitit 2004, në të cilën ka thënë se merret me shitblerje të tokës.

Në një intervistë për gazetën “Jeta në Kosovë”, të dhënë disa ditë përpara vetëdorëzimit në EULEX, më 26 shtator të këtij viti, Sekiraça ka dhënë versionin e tij për një numër ngjarjesh që e ndërlidhin atë. Intervista botohet vetëm tash, pasi të gjitha palët e përmendura nga Sekiraça janë kontaktuar.

Sekiraça thotë se ka qenë subjekt i disa atentateve, se merret me tregti, ka përfaqësinë e “Bruno Coffee” (bari “Bruno” figuron në pronësinë e Naser Sekiraçës), se është marrë me patundshmëri të tokave, ndërtime të shtëpive, ka mbledhur vota për parti politike dhe se ka qenë viktimë e ndjekjes policore dhe të UÇK-së, etj.

“Më kanë përcjellë disa probleme, pa dashjen time, si atentate e montazha”, tha Sekiraça. Por përse këto probleme e kanë përcjellë pikërisht atë? “Me siguri mendojnë se po të dominojnë tek ne, me të tjerët e kanë më lehtë… unë nuk i kam lyp problemet, unë kam dalë e kam kërkuar vota për LDK-në, edhe i kam ndihmuar LDK-së të fitojë se kam menduar se është më e mira”.

Sekiraça thotë se nuk ka qenë në strukturat zyrtare të LDK-së. Gjatë intervistës, herë e cilëson veten si anëtar të kësaj partie, e herë si veprimtar vullnetar i saj.

“Nuk kam pasur kurrfarë afërsie me askënd brenda LDK-së. Asnjëherë nuk jam takuar me presidentin Rugova, përveç që e kam parë në fjalime, ndërsa me Ukë Rugovën jam takuar një herë”. Ai nuk i ka cekur vendin, arsyen dhe kohën e këtij takimi. Ukë Rugova nuk ka pranuar të flasë.

Sekiraça thotë se nuk ka qenë bashkëpunëtor i policisë serbe, për çka dyshohet se e ka arrestuar Zona Operative e Llapit në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“ZOLL-i, me në krye komandant Remin, më pati kërkuar. Për këtë më kishte çuar fjalë Ilmi Rakovica. Unë vullnetarisht kam shkuar. Së pari jam takuar me Nuredin Ibishin-Komandant Lekën. Aty më treguan që mua po më kërkonte Latif Gashi-Lata. Gjatë marrjes në pyetje m’i kanë kërkuar 600 mijë marka. Kanë menduar që kam shumë pare. Nuk e di pse i kërkuan ato të holla, nuk më dhanë shpjegim. Unë u thashë që nuk i kam”.

“Në Llapashticë më kanë mbajtur në një ahur të kafshëve. Latif Gashi më ka rrahur me palicë… Ka pasur edhe të burgosur të tjerë, mirëpo me rastin e bombardimeve të NATO-s, aty kanë marrë vendim me na liru. Vendimin e mori Sabri Gashi”.

Sekiraça tregoi se pas lirimit nga Llapashtica, rrugës duke u kthyer për në shtëpi, janë ndalur në fshatin Majac nga ushtarët përcjellës të UÇK-së.

“Aty na kanë mbajtur një natë në një shtëpi, pastaj në po të njëjtin fshat na kanë çuar në bodrumin e një shtëpie, ku na kanë mbajtur për 10 ditë rresht”.

“Një ditë unë kërkova të shkoja në banjë, që ishte në katin e parë. E pashë të hapur derën e një salloni ku kishin qenë ulur disa oficerë të lartë të UÇK-së. Aty e pashë Latif Gashin. Më vonë kishin marrë disa vendime oficerët e lartë. Ata që do të liroheshin e morën nga një letër. Letra morën 6-7 persona… por jo unë, Agim Musliu dhe Idriz Sfarqa. Më vonë kuptuam që as Drita Hoxha nuk kishte marrë letër, sepse atë e kanë mbajtur veçmas nga ne të tjerët, në një dhomë tjetër. Ata që nuk kanë marrë letra, kishin qenë për t’u ekzekutuar”, tha Sekiraça.

“Natën e 7 prillit, diku në orën 22:00 të natës, na morën me xhipin e komandant Nazif Mehmetit. Shoferi i tij me pseudonimin Besi, njëfarë Shyqa dhe njëfarë Idrizi kanë qenë aty. Na morën dhe na dërguan në një mal. Gjatë rrugës i pyeta ku po shkojmë? Ata na thanë se do të rrëmihim një istikam. Kjo ishte e pakapshme, se ishte ora 22:00 e natës. Vendi ishte livadh. Forma e atij ‘istikami’ ishte diku 1 metër e gjysmë me 2 metra. Unë nuk kam punuar, as që e kam prek me dorë, të tjerët po… derisa ata e rrëmihnin gropën, unë e kam shfrytëzuar mundësinë edhe kam ik prej aty”.

“Ka qenë një gardh afër, e kam kapërcyer. Më kanë gjuajtur me automat, por fati, nuk më ka kap asnjë plumb. Prej aty kam bërë gjashtë orë me dalë në rrugën magjistrale Prishtinë- Podujevë edhe kam arritur të vij në shtëpi, në Prishtinë”.

Latif Gashi, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Kosovës, thotë se qe 13 vjet është duke u marrë me këtë rast (të Majacit) në proces gjyqësor
në vend. “Enveri ka shkruar edhe letra për gjykatën, mirëpo as që është ftuar që të dëgjohet si dëshmitar në këtë proces. E çka thotë Enver Sekiraça sot pas gati 15 vjetëve, për mua nuk është shumë me rëndësi”, tha Gashi.

Ky i fundit nuk e mohoi faktin se Enveri ka qenë në Zonën e Llapit, mirëpo tha se atje e kanë ndalur në qendrën e ndalimit dhe asgjë më shumë. Sipas tij, me asnjë veprim nuk është shkelur asnjë konventë ndërkombëtare.

“Çka ka për të thënë Enver Sekiraça, le ta thotë në gjykatë. Unë nuk i komentoj deklaratat e tij”, tha Gashi.

Rrustem Mustafa, atëherë komandant i Latif Gashit, aktualisht një nga nënkryetarët e PDK-së, tha se nuk ka pse të merret me fjalët e Sekiraçës dhe nuk pranoi të prononcohej. Nuk u prononcuan as Nuredin Ibishi, Sabri Gashi, Nazif Mehmeti, Idriz Bajrami dhe shoferi me pseudonimin Besi- Skënder Krasniqi. Nuredin Ibishi vetëm e konfirmoi që Enver Sekiraça me të vërtetë ishte ndalur e mbajtur në burgun e Llapit.

Enver Sekiraça thotë se nuk ka qenë dëshmitar i mbrojtur i UNMIK-ut në rastin kundër Rrustem Mustafës dhe të tjerëve. “Vetëm ua kam treguar vendin ku kanë dashtë me na ekzekutu. Aty i kemi gjetur disa gjëra personale të Idriz Sfarqës, jaknen, pantollat, një krahën dhe kemi gjetur kockat e fëlqisë së tij. Aty (së bashku me policinë e UNMIK-ut) kemi gjetur varrezën e tre të vrarëve: Idriz Sfarqa, Agim Musliu dhe Drita Hoxha”.

Në muajin korrik ka filluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë rigjykimi i Latif Gashit, Nazif Mehmetit me nofkën Nazi dhe Rrustem Mustafës me nofkën Remi. Që të tre të pandehurit gjatë luftës kishin mbajtur pozita komanduese në UÇK. Sipas aktakuzës, që nga gushti 1998 deri në prill 1999, ata kishin pasur dijeni për qendrat e ndalimit në vendet Bajgorë, Llapashticë, Majac, Patok dhe Kolec. Në këto qendra ishin ndaluar civilë shqiptarë me arsyetime se janë kolaboracionistë të pushtetit serb.

Deri më tash, zyrtarisht gjykatat nuk kanë marrë për bazë deklarimet e Sekiraçës për këtë rast.

Gjatë vitit 1999, tha Sekiraqa, ai po ashtu ka qëndruar edhe katër muaj e gjysmë në një burg serb, si i dyshuar për terrorizëm.“Më 31 maj 1999, policia serbe më ka arrestuar në Prishtinë, kinse për terrorizëm. Më kanë mbajtur 4 muaj e gjysmë në burgun e Sremska- Mitrovicës në Serbi”.

Që nga kthimi prej burgut në tetor 1999, Sekiraça tha se janë bërë diku 10 atentate ndaj tij. “Nuk e di nga kush. I kam 6-7 plagë të plumbave nëpër trup”.

Rasti më i njohur që e ndërlidh atë është vrasja e policit Triumf Riza, për të cilën ai është në ndjekje. Është përfolur shumë se acarimi mes Rizës e Sekiraçës kishte si burim këngëtaren e njohur Adelina Ismajli, e cila pati konfirmuar se ishte në lidhje me policin e ndjerë.

“Me Adelinën kemi qenë në një parti, kemi pasur edhe shoqëri … asgjë më tepër”, tha Sekiraça.

“Me Triumf Rizën nuk më kujtohet kur jam pa për herë të parë. Mirëpo më kujtohet kur kam pasur problem me të për herë të parë. Në vitin 2005, në ‘Swiss Casino’, ka qenë festë e Krishtlindjes. Unë së bashku me disa shokë e shoqe kemi shkuar të pimë. Aty ka ardhur Triumfi me shokë edhe na kanë sulmuar”.

“Mua, në atë rast, më kanë rrahur shumë keq. Nuk e di as vetë pse na kanë sulmuar. Me siguri kanë pasur urdhër prej shefave të tyre. Ka pasur edhe të shtëna armësh, është plagosur Agron Bytyçi, një shoku im dhe Arben Selmani, që ka qenë me Triumfin”.

Por babai i policit të ndjerë, Shefqet Riza, thotë se Triumfi ka pasur probleme me Sekiraçën që nga viti 2000.

“Atëherë Sekiraça ka tentuar që ta aktivizonte bombën për ta vrarë Triumfin së bashku me një polic pakistanez. Kjo ka ndodhur para Shkollës së Mjekësisë në Prishtinë, ku Sekiraça, së bashku me 14 vetë, ka hyrë edhe në shkollë, i ka rrahur edhe arsimtarët në sallë për t’ i marrë me dhunë tri vajza. Mirëpo aty ka ndërhyrë edhe KFOR-i dhe e kanë arrestuar Sekiraçën”.

Në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, personelit nuk i kujtohej një rast i këtillë. Në Policinë e Kosovës nuk kishte evidenca të vitit 2000. Në Prokurori dhe në Gjykatë nuk kishte shkresa zyrtare për një rast të tillë.

Shefqet Riza tha se djali i tij nuk ka pasur probleme me askënd tjetër përveç me Sekiraçën.

“Ekskluzivisht Sekiraça e ka vrarë djalin tim, nuk është kontestuese kjo….Prej ‘Swiss Casinos’ e këndej janë 5-6 prita që i ka bërë Sekiraça ndaj djalit tim Triumfit”.

I gjithë problemi ka të bëjë me punën zyrtare të Triumfit si polic, tha Riza.

“Nuk është e vërtetë ajo që thuhet për Adelina Ismajlin. Me të Triumfi është lidhur pas rastit të ‘Swiss Casinos’. Madje, njëherë Triumfi ka qenë duke ardhur në shtëpi në Kaçanik së bashku me Adelinën, kur Sekiraça me bandën e tij ia ka zënë pritën me gurë të mëdhenj dhe e kanë ndjekur me vetura e skuterë”.

Me metaforë, Riza fajëson politikën për vrasjen e djalit të tij.

“Politika është ajo që e ka vrarë djalin tim Triumfin, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ismet Beqiri së bashku me Sekiraçën dilte nëpër fushata. Personalisht unë me sytë e mi e kam parë para Fakultetit Ekonomik me flamuj të LDK-së. Ai ka qenë bandë e LDK-së, ka shkuar në Presidencën e Rugovës si në shtëpinë e tij, ka qenë njeriu i LDK-së dhe pikërisht LDK-ja i ka dhënë krye këtij me u bo kështu”, tha Riza.

Ismet Beqiri, tash shef i Grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se Sekiraçën e njeh ngase vijnë nga një lagje e Prishtinës,“Kodra e Trimave”. Por ai mohoi të ketë dalë ndonjëherë në fushatë me Sekiraçën. Por Beqiri nuk e mohon se Sekiraça ka mundur të ketë marrë pjesë në tubimet dhe fushatat e LDK-së.

“Nga deklaratat e tij del që ka qenë simpatizant dhe mbështetës i LDK-së, mirëpo kjo nuk mund të prejudikojë asgjë”, tha Beqiri.

Sekiraça ka mohuar se gjatë kohës sa është kërkuar nga policia ka qëndruar në veri të Kosovës. “Nuk kam qenë në veri të Mitrovicës qe pesë vite”.kohaislame

Artikulli paraprak80-vjeçari: Aishen e vrava, se më fajësonte mua për barrën
Artikulli vijuesMali i Zi, partia e Gjukanoviç fiton zgjedhjet