Udhëheqësi kryesor civil i NATO-s ka shpërfillur komentët e kryediplomatit gjerman i cili e ka akuzuar aleancën ushtarake për “luftënxitje” duke thënë se blloku i 28 shteteve ka nevojë për përgjigje ushtarake dhe dialog politik kur bëhet fjalë për Rusinë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka bërë këtë koment më 20 qershor, një ditë pasi deklarata e ministrit të jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier është publikuar në gazetën gjermane, “Bild am Sonntag”.
NATO po kryen manovra ushtarake të mëdha në Poloni dhe Lituani, ndërsa një samit i aleancës ushtarake është planifikuar të mbahet muajin e ardhshëm në Varshavë. Mirëpo, kritikat e kryediplomatit gjerman kanë rritur frikën se koalicioni qeveritar gjerman mund të jetë duke e ndryshuar qasjen ndaj Moskës.
Steinmeier, nga partia social demokrate gjermane ka thënë se NATO po e “ndez situatën përmes nxitjes së luftës”.
Gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë në portin norvegjez të Trondhajmit, pak para një ushtrimi detar të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se aleanca është e unifikuar në nevojën e saj për qasje të dyanshme ndaj Rusisë.
“Ne kemi nevojë për një mbrojtje të fuqishme për të parandaluar konfliktet, por ne gjithashtu kemi nevojë për dialog politik që të reduktojmë tensionet”, ka thënë ai.
“Të gjitha 28 shtetet qëndrojnë prapa kësaj qasje të dyanshme, ndërsa unë e mirëpres përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë në përpjekjet për dialog, por edhe kontributin gjerman për të rritur praninë ushtarake në lindje”, ka shtuar më tej Stoltenberg.
Qasja e dyanshme është “diçka që përkon shumë edhe me atë që e ka thënë Gjermania brenda NATO-s, për shumë, shumë vjet”, ka thënë më tej ai.
Aleanca gjatë këtij muaji ka kryer manovra ushtarake në Poloni dhe Lituani të cilat ishin ndër më të mëdhat prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ushtrimet përfshinin 31 mijë trupa nga 24 shtete anëtare dhe vende partnere të NATO-s, përfshirë Gjermaninë.
Gjermania ndërkaq planifikohet të udhëheqë një nga katër batalionet që aleanca do ta vendos në Estoni, Letoni, Lituana dhe Poloni, veprim ky që ka për qëllim të zvogëlojë frikën e vendeve anëtare të Lindjes pas aneksimit që Rusia i bëri gadishullit ukrainas të Krimesë.
Vendimi final rreth forcimit të krahut lindor të NATO-s do të diskutohet gjatë samitit të NATO-s në Varshavë që do të mbahet më 8 dhe 9 korrik. Disa zyrtarë dhe ekspertë shqetësohen se kjo do të nxisë ndonjë reagim nga Rusia.
Rusia tashmë është kërcënuar me vendosjen e një sistemi të sofistikuar raketor të quajtur “Iskander” në Kaliningrad, një territor rus që është i shkëputur nga Rusia, me dalje në Detin Baltik, në mes të Polonisë dhe Lituanisë.
Stoltenberg nuk ka pranuar të thotë nëse Iskanderët tashmë janë dërguar në Kaliningrad, por ai megjithatë ka nënvizuar se Moska për vite të tëra është duke e rritur praninë ushtarake nga Deti Barents deri në Mesdheun lindor.
“Unë mund të them se ne e kemi vërejtur një Rusi më kategorike, duke trefishuar shpenzimet në mbrojtje prej vitit 2000, e cila ka siguruar aftësi të reja dhe më moderne dhe e cila ka shprehur gatishmëri që të përdor fuqinë ushtarake kundër vendeve të pavarura si Ukraina. Të gjitha këto janë arsye pse ne duam të fuqizojmë mbrojtjen tonë kolektive”, ka thënë Stoltenberg.