Serbia gjithnjë e më afër negociatave për anëtarësim

Serbia kurrë s’ka qenë më afër datës së hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Dialogu politik me Prishtinën e zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit shihet si sukses i qeverisë së re serbe.
Pikëkalimet kufitare Rudnicë dhe Merdare do të jenë të parat, në të cilat më 10 dhjetor në mëngjes do të fillojë zbatimi i marrëveshjes për menaxhim e integruar të kufirit (IBM) ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në Bruksel është rënë dakord që në vetö pikat kufitare nuk do të ketë zhdoganim të mallrave, por kamionët do të dërgohen në terminalet doganore, në Nish dhe Vranjë në anën serbe dhe në pjesën jugore të Mitrovicës dhe në Podujevë në anën kosovare. Me këtë është bërë e qartë edhe mënyra, se si do të grumbullohen të ardhurat doganore në pikëkalimet midis Serbisë dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë është përcaktuar edhe roli i EULEX-it në këto pikëkalime. Shefi i ekipit negociator të Beogradit, Dejan Paviceviq, shpjegon:

Përgatitjet për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhim e integruar të kufirit
“Në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak EULEX-i do të jetë njëjtë i pranishëm si përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit. EULEX-i do të punojë së bashku me anëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës dhe do të kryejë të gjitha procedurat përkatëse, të cilat mund t’i quajmë si mandat ekzekutiv të EULEX-it. Në vendkalimet e tjera, Merdare dhe Konçul EULEX-i nuk do të ketë prani aq të madhe.”
Ndryshe nga situata e tanishme në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës do të hiqen të gjitha llojet e simboleve shtetërore. Atje do të vendosen vetëm “informacione funksionale” në tri gjuhë, serbisht, shqip dhe anglisht: “Kjo do të thotë se në vendkalimet aktuale do të hiqen i ashtuquajturi flamur kosovar dhe flamuri shqiptar. Do të thotë se nuk do të ketë fare flamuj e stema, as serbe”, sqaron Paviçeviq.

Përparim politik i autoriteteve në Beograd

Edhe pse shumica e detajeve të menaxhimit të integruar të pikëkalimeve kufitare është miratuar në kuadër të grupeve të punës, pritet që marrëveshja të finalizohet në takimin e sotëm (4.12.) mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Pikërisht ky dialog politik në mes të Beogradit dhe Prishtinës dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit vlerësohet si një “përparim i madh politik” i Serbisë. Kështu në projekt-rezolutën mbi Serbinë, e cila natën e kaluar iu prezantua deputetëve të Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian, konstatohet se Serbia ka filluar të angazhohet për të ardhmen e saj evropiane dhe e ka kuptuar se afrimi me BE-në është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve në vend.

Vendet e BE-së para një dileme për Serbinë
Në Parlamentin Evropian vlerësohet se projekt-rezoluta mbi Serbinë është një “nxitje e qartë” dhe “një sinjal i rëndësishëm politik” si për qeverinë, ashtu dhe për popullin në Serbi. Në të njëjtën kohë theksohet se para autoriteteve në Beograd ndodhen reformat e mëtejshme dhe se një hap i ri në procesin e integrimit të Serbisë në BE do të jetë i mundur, “sa më shpejt që të jetë e mundur realisht”. Raportuesi i PE-së për Serbinë, Jelko Kacin beson se në këtë dhjetor shtetet anëtare të BE-së për herë të parë mund të gjenden para një dileme të vërtetë, nëse Serbisë duhet dhënë menjëherë një datë për fillimin e negociatave:
“Unë shpresoj se do të arrihet mjaft. Nëse jo, atëherë duhet pritur mundësia tjetër, por unë mendoj se Serbia me ato, që ka bërë deri tani, dhe më të gjitha ato, që do të dëshmoj gjatë kësaj jave, është në rrugën e duhur për të fituar atë datë.”
Ministrat e jashtëm të BE pritet të mblidhen më 10 dhe 11 dhjetor për të diskutuar ecurinë e procesit të integrimit evropian./DW

Artikulli paraprakBerisha: Shtetësi për çdo shqiptar kudo që jeton
Artikulli vijuesAleancë globale kundër pedofilisë