Berisha: Shtetësi për çdo shqiptar kudo që jeton

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në mbledhjen e Qeverisë në Vlorë, ka thënë se Kombi është një dhe sipas tij çdo shqiptar e meriton shtetësinë shqiptare , pavarësisht se ku jeton. Ai ka njoftuar se në festën e 100 vjetorit të Pavarësisë, në Tiranë ishin 57 delegacione personalitetesh nga vende të ndryshme.
Kryeministri Sali Berisha, ka theksuar se pavarësisht se shqiptarët janë të lirë, ata jetojnë të ndarë në pesë shtete.

“Vendimi më kryesor që merret është shtetësia shqiptare dhe përparësi në parlamentin shqiptar i ligjit i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare të çdo shqiptari kudo që ndodhet. Ky është mesazhi i 100-vjetorit dhe ky është i domosdoshëm dhe ne po i rikthejmë një të drejtë që kanë luftuar dhe që i është mohuar 100-vjet. Kombi është një, çdo shqiptar e meriton shtetësinë shqiptare. Këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme por ky vendim të mos bëhet çështje e këtyre zgjedhjeve. Kush e merr si vendim elektoral bën gabimin të madh”, tha Berisha.

Ai ftoi opozitën që të votojë tre ligjet e kërkuara për integrimin. “E ftoj opozitën që të votojmë ato ligje, të mos bëhemi më pengesë. Gjithashtu e ftoj që të punojmë së bashku edhe për ligjin e shtetësisë. Ligji do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit dhe kërkoj mirëkuptimin e bashkëkombësve të mi pasi asnjë parti nuk duhet të ndihet e kërcënuar”, theksoi Berisha.

Ndaj në vlerësimin e Kryeministrit, platforma të bashkuar me njërit tjetrin në Europë i jep përgjigjen në mënyrë përfundimtare çështjes shqiptare në Ballkan.“Shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete, por ata janë të përkushtuar në projektin e integrimit europian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Por edhe pse të ndarë në disa shtete shqiptarët nuk munden të mos e konsiderojnë njëri tjetrin vëllezër dhe ky është realiteti. Ndaj dalin një seri detyrash që të ecet më platformën, të bashkohemi me njeri tjetrin, të bashkohemi me Europën. Asnjë nuk mund të mohojë padrejtësinë ndaj shqiptarëve, u copëtuan në 5 shtete, në copëtimin më flagrant për caktimin e kufijve”, ka thënë kryeministri Sali Berisha në Vlorë. /Telegrafi/

Artikulli paraprakNATO-ja, Sistemi i mbrojtjes raketore PATRIOT dhe pozita e Turqisë
Artikulli vijuesSerbia gjithnjë e më afër negociatave për anëtarësim