Serbia: Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, 'Destabilizuese’

Serbia në një letër tha se ajo beson se rezoluta e propozuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të shënuar 20 vjetorin e masakrave të Srebrenicës muajin e ardhshëm, do të rrisë tensionet etnike dhe s’do të ndihmojë aspak në pajtim, raportoi ditën e hënë në mbrëmje agjencia shtetërore e lajmeve “Tanjug”.
 
“Serbia beson se asnjë rezolutë nuk do të kontribuonte në pajtimin në rajon, por përkundrazi, ajo do të shkaktojë tensione, grindje dhe gjithashtu do të destabilizonte rajonin,” citon Tanjug nga letra e saj.
 
“Serbia nuk mund ta kuptojë domethënien apo qëllimin e rezolutës, e cila do të shkatkonte jo vetëm destabilizim në rajon, por do të ndikonte më tej edhe në destabilizimin e marrëdhënieve politike në vetë Republikën e Serbisë,” shtoi ajo.
 
Rezoluta e propozuar, e hartuar nga Britania, anëtarja e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dënon vrasjen e më shumë se 7,000 boshnjakëve nga Srebrenica dhe çdo mohim se aty është kryer gjenocid.
 
Por Beogradi nuk i njeh si gjenocid masakrat e kryera nga forcat serbe të Bosnjes pasi ata morën Srebrenicën.
 
Zyrtarët në Rusi, e cila është gjithashtu një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e kanë përshkruar rezolutën si “anti-serbe”.
 
Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha javën e kaluar se rezoluta “do të shkaktonte tensione të tjera ndër-etnike në Ballkan”.
 
“Rezoluta, e cila është absolutisht anti-serbe në ton, madje i interpreton ngjarjet gabimisht edhe nga pikëpamja ligjore,” tha Lavrov.
 
Megjithatë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha ka thënë se ai nuk do t’i kërkojë Rusisë të përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rezolutën.
 
Vuçiq tha gjithashtu se ai është i gatshëm të marrë pjesë në përkujtimoren me rastin e 20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës më 11 korrik “nëse boshnjakët e duan këtë gjë”.
 
Por ai e ka kritikuar rezolutën e propozuar në Këshillin e Sigurimit, duke thënë se ajo “do të shkaktonte pasoja të ashpra politike dhe ligjore për Serbinë”.
 
Ambasadori britanik në Sarajevë tha javën e kaluar se rezoluta nuk është një sulm ndaj serbëve.
 
“Dy gjykata të veçanta ndërkombëtare, ku përfshihen disa nga gjykatësit më me përvojë në botë, kanë një sërë rastesh të konfirmuara se kjo ngjarje e përmbush përkufizimin ligjor për të qenë ‘gjenocid’,” tha ambasadori britanik Edward Ferguson.
 
“Të thuash këtë nuk do të thotë që po sulmon Republikën Srpska, Serbinë apo dikë tjetër. Është një deklaratë e thjeshtë e një të vërtete të trishtueshme,” tha ai.
 
Masakrat e Srebrenicës janë përkufizuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato boshnjake.kohaislame
Artikulli paraprak40 ish- Pjesëtarë të UÇK-së ende kërkohen nga Serbia
Artikulli vijuesNga 1 korriku fillon dorëzimi i kuponëve fiskal në ATK