Sfera të burrërisë

  1. Dëshira dhe përmbajtja e vetvetes

Shumë nga njerëzit i sheh të cilët mburren para të tjerëve, ndërsa dobësohen dhe bien para atyre që janë nën ta apo që janë të afërmit e tyre.

Në të vërtetë fusha e parë në të cilën shihet burrëria është kur njeriu ngadhënjen ndaj vetes së tij, ndaj epshit të tij, i cili gjithmonë e urdhëron në të këqija. Njeri është ai i cili kur e thërret vetja e tij në mëkat e kundërshton atë dhe kur epshi i tij mundohet ta lëviz  ai e frenon epshin e vet dhe para tij ka kënaqësi të ndryshme, ndërsa ai nuk i përgjigjet atyre.

Vlerën më të madhe e ka ai i ri i cili rritet në adhurim ndaj Allahut, kur të afërmit dhe shokët e tij e thërrasin në shoqërimin në të këqija dhe në kënaqësi të ndaluara, ndërsa ai largohet nga kjo. Ky njeri të cilit u janë lehtësuar dyert e mëkateve, në të cilat njerëzit vrapojnë pas tyre apo e thërret një grua e bukur dhe me pozitë, ndërsa ai i thotë: “Unë i frikësohem Allahut.”

Rini e nderuar! Ngadhënjimi më i madh është ngadhënjimi ndaj gjërave që të shpien në ato që janë jo morale dhe ngadhënjimi ndaj epsheve të tua. Ndërsa humbja më e madhe  është atëherë kur njeriu e kupton rrugën e gabuar, por e kalon atë, sepse nuk ka mundësi që t;i thotë vetës së tij jo. Pra, ku janë burrat këtu? Ku janë burrat të cilët ngadhënjejnë ndaj vetes? Ku janë ata të cilët e dirigjojnë epshin e tyre e jo epshi ata? Ata e urdhërojnë epshin, e jo epshi ata.

Ata të cilët dështojnë në betejën me veten e tyre ata do të dështojnë edhe në betejën me armikun e tyre, ndërsa nuk ka mundësi të ngadhënjejë një umet të cilin e udhëheqin njerëzit të cilët kanë dështuar me veten e tyre.

Ja, ky është Abdurrahman ed Dahil, i cili kur zbriti prej detit në tokën e Spanjës i ofruan atij verë që të pijë. E refuzoi duke thënë: “Unë kam nevojë diçka që më shton mendjen time e jo diçka që ma humb mendjen time.” Nga kjo njerëzit e njohën vlerën e tij. Pastaj ia ofruan një robëreshë të bukur, e shikoi, pastaj tha: “Me të vërtetë, qenka e bukur, por nëse unë e marr këtë dhe pastaj merrem me synimet e  mija që i kam, atëherë e lë pas dore këtë robëreshë e kështu i bëj  zullum asaj. E nëse merrem me të (robëreshën) dhe largohem nga synimet e mia, atëherë i bëj zullum synimeve të mia; pra, nuk kam nevojë tani për këtë robëreshë.

Si burrat janë ata që kur vetja e tyre i thërret në mëkat ata ngadhënjejnë ndaj kësaj, po ashtu  ata ngadhënjejnë edhe kur i thërret vetja e tyre në hidhërim dhe në nacionalizëm, në të cilin nuk është i kënaqur i Mëshirshmi.

Transmetohet se i dërguari ishte duke ligjëruar në hytbe dhe tha: “…Ç’është flakërimi (zemërimi)?” Thanë: “Ai i cili është i zemëruar.” Tha i dërguari i Allahut: “Zemërimi është (e tha këtë tri herë) kur njeriu hidhërohet dhe shtohet hidhërimi i tij, gjersa të skuqet fytyra e tij, rrëqethen flokët e tij dhe pastaj e flakëron atë hidhërimi.” Transmeton Imam Ahmedi.

Ndërsa dy koleksionet e vërteta shënojnë se Ebu Hurejra transmeton nga i dërguari i Allahut se ka thënë: “Nuk është i ashpër ai të cilin e kaplon zemërimi, por i ashpër është ai i cili e pengon veten në rast hidhërimi.”

Me të vërtetë, përgjigjja në provokime, ulërima, emocioni në hidhërime, gjuajtja me fjalë të ndyra të afërmin apo të largëtin, janë çështje që secili ka mundësi t’i veprojë. Por atë të cilën nuk mund ta bëjnë përveç të mençurit, është butësia kur fluturojnë mendjet e mendjelehtëve, është  ai i cili fal atëherë kur i forti hakmerret. Për këtë Allahu i ka lavdëruar një grup prej të devotshmëve të cilëve i ka premtuar falje dhe xhenete të gjëra. Thotë Allahu: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit. Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç Allahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj e aty do rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë.” Ali Imran, 133-136.

Mirësia ndaj atij që të bën keq është një shkallë që  nuk ka mundësi ta arrijë çdokush. Allahu thotë në Kuran: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje me mirësi, se atëherë ai, mes teje dhe të cilit ka armiqësi, do të bëhet (si) mik i afërt. Mirëpo, këtë nuk e arrin kush, pos atyre të durueshmëve, dhe nuk e arrin kush, pos atyre me virtyt të lartë.” Fusilet, 34-35.

Ndoshta nga një herë i lejohet që njeriu ta kërkojë të drejtën e tij dhe të ngadhënjejë ndaj atij që i ka bërë zullum, por heqja dorë nga e drejta e jote nganjëherë është veçori që e plotëson burrërinë tënde. Këtë nuk kanë mundësi ta bëjnë përveç ata që kanë synime të larta. Allahu thotë në Kuran: “Ndëshkimi i të keqes, bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët. E kush hakmerret për padrejtësitë që i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi. Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve padrejtë dhe kundër atyre që pa farë arsye bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është një dënim i dhembshëm. Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).” Shura, 40-43.

 

2. Zemërgjerësia dhe bujaria

Kjo ishte një cilësi me të cilën mburreshin arabët gjersa u bë prej fushave dhe sferave me të cilën lavdëroheshin dhe mburreshin para të tjerëve, ku edhe në shumë poezi e vëren zemërgjerësinë dhe bujarinë e tyre.

Mirëpo bujarinë të cilën e kishin arabët para Islamit nuk ishte një bujari që buronte nga shpërblimi në Allahun, por ajo ishte më shumë për shkak të njerëzve dhe për shkak të pozitës etj.

Ndërsa i dërguari i Allahut thotë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e  Gjykimit le të jetë bujar ndaj musafirit të tij.” I dërguari i Allahut ishte prej njerëzve më bujar. Këtë bujari e kishte trashëguar prej Ibrahimit alejhi selam, i cili i priti engjëjt me një viç të majmë.

Pastaj kur erdhi Islami zgjeroi kuptimin e  bujarisë dhe zemërgjerësisë që të jetë kulmi i sajë bujaria dhe zemërgjerësia me veten tënde në fushën e luftës në rrugën e Allahut. Bujaria me shpirt është prej qëllimeve më të larta të bujarisë. Muslimani duhet të edukohet që të jetë bujar me mundin e vet, me kohën e vet me dijen e vet në shërbim të fesë së Allahut dhe në ngritjen e fjalës së Tij.

 

3. Ambiciet e larta

Ambiciet e burrave të vërtetë gjithmonë shtohen dhe janë të larta dhe janë të bashkuara me vlera të larta. Ata dinë t’i vendosin çështjet në vendin e tyre. Argëtimi tek burrat është një çlodhje, një pushim, një largim i lodhjes dhe mërzisë dhe kthim i fuqisë dhe ambicieve që të përgatitet vetja për dhënie dhe për një punë më të madhe.

Ndërsa tek të tjerët ambiciet janë vetëm disa shpresa dhe një botë për të cilën ata dëshirojnë të jetojnë për të. Ata  edhe pasurinë e tyre e shpenzojnë për këtë qëllim, edhe jetën e  tyre dhe rininë e tyre e harxhojnë në angazhimin rreth këtyre gjërave.

Atyre nuk ju intereson se sa kanë harxhuar prej jetës së tyre dhe prej kohës së tyre me lojërat dhe kënaqësitë e tyre. Ata seriozitetit në jetë ia kanë dhënë lamtumirën jo vetëm kaq, por ata ndodhë që edhe  t’i përqeshin ata të cilët janë serioz në jetën e  tyre. Tek ata shembulli më i lartë është tek ai i cili i njeh mirë lojërat dhe dëfrimet e ndryshme, emrat e këtyre njerëzve i përsërisin nëpër gojët e tyre, i madh apo i vogël. Këta janë shokët dhe të dashurit e tyre.

Këto janë disa pamje që ulin ambicien dhe janë humbje për një njeri, ndërsa humbje më e madhe është kur  disa popuj kujdesen aq shumë për këto lojëra, sa që  harxhojnë me miliona para dhe  fëmijët e tyre i angazhojnë me këto.

Misioni i këtij umeti është më  i rëndësishëm se lojërat dhe dëfrimet. Ai është bartës i udhëzimit dhe së mirës për mbarë njerëzimin. Si ka mundësi që loja dhe dëfrimi i këtij umeti të jetë fushë për mburrje, ku për çdo ditë bijtë dhe bijat e këtij umeti priten dhe masakrohen, për çdo ditë ia marrin nderin e  saj dhe e zhysin në pluhur.

Ndërtimi i njerëzve, dhënia e udhëzimit dhe të mirave  ndaj njerëzve, kthimi i fuqisë së këtij umeti, i cili ka shijuar poshtërsi të ndryshme, janë prej ambicieve më të larta të burrave dhe në këtë duhet të rriten gjeneratat e reja.

Atëherë kur ngrihen lart ambiciet e këtyre burrave, atëherë do të ngrihet edhe zëri i këtij umeti dhe  do të ngrihen ngecjet e  tyre.

 

 

4. Trimëria, fuqia dhe krenaria

Burrat janë trimëria dhe krenaria e këtij umeti. Ata janë të cilët i bëjnë konkurencë humbjes dhe poshtërimit. Kjo cilësi ishte prezente edhe te arabët para Islamit dhe mburreshin me këtë. Pastaj erdhi Islami dhe i edukoi bijtë e tij në trimëri, fuqi dhe zell, ndërsa frikën, poshtërimin e bëri prej gjërave që e humb burrërinë. Transmetohet nga Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut ka thënë: “Më e keqja në njeriun  është koprracia e madhe dhe frika e tepruar.” Shembulli më i mirë  në trimëri, në këtë umet, ishte i dërguari i Allahut. Shënon Muslimi se Enesi ka thënë: “I dërguari i Allahut ishte njeriu më i mirë, ishte njeriu më fisnik, ishte njeriu më trim. Një natë banorët e Medinës u frikësuan nga një zë i trishtueshëm, njerëzit dolën kur e takuan të dërgurin e Allahut duke u kthyer nga vendi prej nga kishte ardhur zëri. Ishte mbi  kalorësinë e  Ebi Talhas, me vete kishte shpatën dhe ju thoshte: “Mos u frikësoni, mos u frikësoni!”

Ndërsa në luftën e Hunejnit, kur muslimanët filluan të dobësohen dhe  të largohen nga beteja, i dërguari i Allahut qëndroi. Për këtë ngjarje Berra ibën Azib thotë: “Kur ashpërsohej dhe keqësohej situata ne ruheshim pas pejgamberit, kishte trimëri me të cilën i bënte ballë”.

Islami e pastroi fuqinë dhe trimërinë dhe nuk e la atë tek pasuesit e tij një fushë me të cilën mburren dhe bëhen mendjemëdhenj, por e bëri atë fushë të ngadhënjimit të fesë së Allahut.

Frika tek të humburit është prej shejtanit, ndërsa besimtari i cili e ka të mbushur zemrën me iman, ai nuk i frikësohet akujt, përveç Allahut. Allahu thotë: “Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t’ju frikësojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomëni Mua, nëse jeni besimtarë.”  Ali Imran, 175. Prandaj, mos u frikësoni nga njerëzit, vetëm Mua të më frikësoheni dhe mos i ndërroni argumentet e Mia për pak send.” Maide, 44. Për këtë, njeriut nuk i vjen frika përveçse për shkak të imanit të dobët të tij. Ibën Tejmije ka thënë: “Njeriu nuk i frikësohet askujt tjetër, përveç Allahut, përveç ai i cili e ka zemrën e sëmurë”.

5. Xhelozia

Burrat janë xheloz ndaj harameve, ndërsa nderet e tyre janë më të shtrenjta se pasuria dhe më të shtrenjta se  çdo gjë që ata posedojnë. Edhe pse arabët e parë ishin në shirkun tyre dhe në injorancën e tyre prapë xhelozia ishte prezente ndaj ndereve dhe ndalesat kishin një pozitë tek ta.

Burri është ai që është xheloz ndaj gjërave të ndaluara,e kundërshton që të paraqitet para njerëzve me rroba të turpshme ose me një pamje të pa hijshme. Ai e mohon që të vrapojë pas thirrjes në modë dhe në ‘përparim’, ndërsa ta humb dëlirësinë dhe turpin. Xhelozia e tij e thërret në ruajtjen e dëlirësisë dhe pastërtisë, ruajtjen e besimit dhe devotshmërisë. Xhelozia e burrit nuk mbetet vetëm të ndalesat e tij, por ajo shtrihet edhe tek bijat muslimane duke e ndaluar shikimin nga të ndaluarat dhe nuk i përcjell gjërat që e sprovojnë atë, ndërsa për lidhje të ndalueshme as mendja nuk i shkon ndonjëherë. Gjithashtu, burri është xheloz edhe ndaj gjërave të shenjta të këtij umeti. E ndalon të keqen dhe qëndron përballë tyre të cilët dëshirojnë evropianizimin e femrës myslimane, qëndron përballë atyre të cilët dëshirojnë  të bëjnë këtë umet të pavlerë dhe ta lënë atë në pakujdesi.

6. Besnikëria

Besnikëria është prej cilësive të burrërisë me të cilën ata lavdërohen. Edhe jobesimtarët para se të ju vinte drita e Islamit, mburreshin me këtë cilësi. Gjithashtu, ata tradhëtinë e llogaritnin prej gjërave të nënçmuara.

Shembulli i cili më së miri tregon për besnikërinë e injorancës është shembulli Abddullaah ibën Xhudan në luftën që u quajt lufta e fixharit, që ndodhi mes fisit Kenan dhe fisit Heuazan. Harb ibën Umeje erdhi tek Abdulah ibën Xhudani dhe i tha: “Pengoja armët fisit Heuazan”, atëherë i tha Abdullah ibën Xhudani: “A me tradhti po më urdhëron? Pasha Allahun sikur ta di se asnjë shpatë dhe asnjë shtizë të mos më mbetet, nuk do ta bëja këtë.” Kur erdhi i dërguari i Allahut me moralin dhe besnikërinë që kishte ia tejkaloi virtyteve që i kishin arabët në injorancë.

Shembujt e besnikërisë së të dërguarit të Allahut janë të shumta, prej tyre përmendim ditën e çlirimit të Mekës me Uthman ibën Talha, ai i cili i mbante çelësat e Qabes në xhahiljet. Ai kërkoi nga Aliu çelësat, atëherë i tha i dërguari i Allahut: “Ku është Uthmani?” Pasi e thirrën i tha i Dërguari i Allahut: “Merri çelësat, o Uthman! Sot është dita e mirësisë dhe e besnikërisë.”

Përktheu: Sh.Murati

Artikulli paraprakDrejtoresha e HRW për LM: IZRAELI PO VRET CIVIL TË PA ARMATOSUR
Artikulli vijuesSfida Kuranore mbi shenjat e gishtërinjve