Shala: Nëse Qeveria kërkon, ne do ta rrëzojmë murin në veri

0
235

Çështja e murit të Mitrovicës i cili është ndërtuar në dhjetor të vitit të kaluar tashmë është çështje që i ka kaluar kompetencat edhe të një ministrie, duke u bërë kështu çështje e instancave më të larta të një shteti.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.

Shala u shpreh i bindur se do t’i kryej të gjitha detyrat dhe obligimet që do t’i vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Kjo është çështje që tashmë i kalon kompetencat brenda një ministrie. Është punë dhe situatë që merret në instancat më të larta të një shteti. Unë jam njëri nga akterët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe detyrat që dalin nga instancat më të larta qeveritare. Çka të kërkohet nga Qeveria në MMPH unë do t’i kryej. Ne jemi në kontakt me Qeverinë dhe jemi në gatishmëri”, ka thënë ministri Shala për Telegrafin.

Ndryshe nga Shala, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq ka thënë se u takon autoriteteve lokale që të vendosin se çka do të ndërtojnë në territorin me të cilin administrojnë.

E, kryekuvendari Kadri Veseli në një konferencë për media ka pohuar se muri do të largohet dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta marrin përsipër si aspektin financiar, ashtu edhe rrëzimin e tij.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në fund të dhjetorit ka miratuar një rezolutë për çështjen e murit të ndërtuar në veri, aty thuhet, se muri duhet të hiqet nga autoritetet lokale deri më 31 janar. /Telegrafi/