Shala: Osmanët në fund nuk e penguan pavarësinë, Austria ishte për ruajtjen e tokave shqiptare (Video)

Debati i ditëve të fundit në lidhje me rolin e Perandorisë Osmane për shqiptarët, ka nxitur reagime dhe debate të shumta.

Në rrjetet sociale po qarkullon një video në të cilën publicisti Blerim Shala thotë se Perandoria Osmane nuk e kishte penguar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai ka thënë se nëse i kthehemi historisë, 100 vite të ekzistimit të shtetit shqiptar janë 100 vite të konfliktit të vazhdueshëm shqiptaro-serb.

“Pavarësia e Shqipërisë fillimisht ka filluar si pavarësi nga Perandoria Osmane. Nëse i shihni dokumentet të cilat kanë dalë tash në shesh, kërkesa për pavarësi të Shqipërisë ka përfunduar si kërkesë imediate e Ismail Qemalit për të shpëtuar nga Serbia, dhe jo nga Perandoria Osmane. Perandoria Osmane për më shumë e ka lejuar që të shpallet pavarësia, sipas dokumentacionit të fundit. Ky fakt gjithmonë e ka paracaktuar fatin e shtetit shqiptar, shumë më tepër sesa raportet greko-shqiptare, sepse ne zakonisht i balancojmë këto.

Në 1912-tën, kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë, Serbia i ka kontrolluar rreth 70 për qind të territoreve etnike shqiptare. Nikolla Pashiqi në dokumentet interne ka thënë se Shqipëria nuk duhet që të ekzistojë fare si shtet. Austro-Hungaria ka kërkuar diku 42 mijë kilometra katrorë, për shqiptarët (shtetin e tyre), ndërsa kemi përfunduar në 28 mijë kilometra katrorë: ka kërkuar Prishtinën, këta kufijtë e sotëm të Kosovës. Në fund ka thënë: shikoni, ka mbetur Peja, Gjakova, ne s’mund të nxjerrim më shumë për ju. Ky konflikt (shqiptaro-serb) sot ka mbërri në fundin e tij, sepse sot Serbia kontrollon veriun e Kosovës e edhe Luginën e Preshevës, asgjë më tepër. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi telashe ende, por mendoj se duhet të përmbyllet kjo çështje”, ka deklaruar Shala

Artikulli paraprakVidhen 7 Ditarë Mësimorë në Një Shkollë në Gjakovë
Artikulli vijuesU mbajtën në Ulqin garat e 14-ta ndërkombëtare të karatesë