SHBA kërkojnë 16 ushtarë në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka njoftuar se është në kërkim të një grupi ushtarësh amerikanë të cilët mendohet të jenë zhdukur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përmes një komunikate për shtyp të shpërndarë në mediat kosovare, ambasada ka kërkuar ndihmën e atyre që mund të dinë diçka për fatin e ushtarëve.

Në komunikatë saktësohet se bëhet fjalë për 16 ushtarakë, për të cilët Shtetet e Bashkuara shprehen të bindura se janë zhdukur në territorin kosovar gjatë luftës me forcat gjermane.

“Ushtarët ishin anëtarë të avionëve të forcave ajrore amerikane, të cilët dyshohet se janë kapur rob nga gjermanët pasi avionët e tyre janë rrëzuar gjatë luftës”, thuhet në komunikatë.

Pavarësisht se Shtetet e Bashkuara shprehen të vetëdijshme se Kosova ka problemin e saj me personat e pagjetur nga lufta e viteve 98-99, ato janë të angazhuara për zbardhjen e fatit të pilotëve që sakrifikuan jetën.

“Populli i Shteteve të Bashkuara vazhdon të kërkojë mbetjet mortore, të cilat ne duam t’i varrosim ashtu siç e meriton sakrifica e tyre”, thuhet më tej në komunikatë./tch/kohaislame

Artikulli paraprakMyftiu Tërnava priti një delegacion nga Banka Islame për Zhvillim
Artikulli vijuesPiramidat dhe biseda e Kuranit rreth tyre