SHBA-të kanë hedhur mbi 23 mijë bomba në vendet muslimane në 2015

2015-a ka qenë një vit i vështirë për muslimanët nëpër botë. Në fakt, situata ka qenë e tillë që prej sulmeve të 11 Shtatorit, për shkak të politikave të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe bombardimeve të vazhdueshme, ku si pasojë kanë humbur jetën mbi 1 milionë civilë në 15 vjet.

Megjithatë, viti 2015 ka qenë padyshim më i vështiri pasi kemi qenë dëshmitarë jo vetëm të krimeve të ISIS-it kundër muslimanëve, por edhe të krimeve të tij në Europë, për të cilat janë fajësuar muslimanët. Gjithashtu, kemi parë krizën më të madhe të refugjatëve që prej Luftës së Dytë Botërore. Por, këto i kemi parë të gjitha në ekranin e televizorit. Por ajo që nuk kemi parë në media, e që pak kush flet, janë tonelatat e bombave që Amerika ka hedhur mbi kokat e civilëve të pafajshëm, të cilët janë gjendur të ngecur në zonat e luftës. Sipas një raporti, vetëm gjatë vitit të kaluar (2015) Shtetet e Bashkuara kanë hedhur 23,144 bomba në vende të ndryshme muslimane.

Raporti i fundit është publikuar nga Micah Zenko, i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë (Council of Foreign Relations). Sipas këtij raporti Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur 23,144 bomba në vendet me shumicë muslimane si Siria, Iraku, Pakistani, Afganistani, Jemeni dhe Somalia, përfshirë bombardimin e një spitali në Afganistan ku mbetën të vrarë disa mjekë dhe pacientë të spitalit.

Grafiku i siguruar nga think-tanku pro-State Department, tregon nivelin e shkatërrimit që kanë shkaktuar SHBA-të në vendet e tjera. Përtej debatit se sa janë të justifikuar të gjitha këto bombardime, ky është tregues i shkatërrimit të madh që Shtetet e Bashkuara i kanë shkaktuar botës muslimane:

BOMBAT E HEDHURA NGA SHBA-të NË 2015

(të gjitha mbi platforma armatimesh)

Irak/Siri 22,110
Afganistan 947
Pakistan 11
Jemen 58
Somali 18
Në total 23,144

Por me sa duket as kjo nuk po funksionon. Pavarësisht faktit se Shtetet e Bashkuara kanë hedhur 947 bomba në Afganistan gjatë vitit 2015, një analizë e kohëve të fundit nga revista Foreign Policy, ka zbuluar se Talebanët kontrollojnë më shumë territor tani se në çdo periudhë tjetër që prej vitit 2001. Shtete e Bashkuara kanë hyrë në vitin e 16-të të luftës në Afganistan, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të administratës Obama për t’u tërhequr. Në tetorin e vitit të kaluar, Presidenti Obama e ndryshoi qëndrimin e tij dhe vendosi t’i mbajë trupat amerikane në Afganistan deri në fund të 2017-ës.

Katër presidentët e fundit amerikanë kanë bombarduar Irakun, përfshirë të tanishmin që kur kanë filluar bombardimet ajrore më 7 gusht 2014. Lufta kundër ISIS-in në fillim u paraqit si ndërhyrje “humanitare e kufizuar.” Që prej asaj kohe, ish-Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta ka këmbëngulur se bëhet fjalë për një “luftë 30-vjeçare”, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka folur në mënyrë jo shumë të qartë për një “përpjekje afatgjatë” në Irak dhe në Siri.

Një problem tjetër sipas Zenkos ishte edhe mungesa totale e numrit të civilëve të vrarë në statistikat e paraqitura si rezultat i atyre 23,144 bombave.

“Në mënyrë krejt të habitshme, ata pretendojnë se midis 25 mijë luftëtarëve të vrarë, vetëm 6 civilë ka “gjasa” të kenë mbetur të vrarë në shtatëmbëdhjetë muajt e fushatës ajrore. Njëkohësisht, zyrtarë pranojnë se madhësia e grupit [ISIS-it] ka mbetur krejtësisht e pandryshuar. Në vitin 2014, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka përllogaritur se madhësia e Shtetit Islamik ishte ndërmjet 20 mijë deri në 31 mijë luftëtarë, ndërkohë që ditën e mërkurë, Warren përsëriti përllogaritjet prej 30 mijë luftëtarësh. Për ta përmbyllur, llogaritjet e bombardimeve kundër Shtetit Islamik: 30.000 – 25.000 = 30.000”.

Atëherë, pas më shumë se 20 mijë bombave, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes na vjen me vdekjen e vetëm gjashtë civilëve. Ky është një qëndrim i pranuar gjerësisht nga mediat, të cilat rrallëherë pyesin se kush po zhduket realisht nga bombardimet në Siri dhe Irak.

Në tetor, 30 civilë vdiqën pasi Shtetet e Bashkuara bombarduan një spital në Kunduz të Afganistanit. Incidenti po hetohet akoma, por është zbuluar tashmë se shumë elementë të historisë origjinale ishin ose të rremë ose qëllimisht dezinformuese.

Këto janë vetëm bombat e hedhura nga Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2015, por nuk duhet të harrojmë gjithashtu as bombardimet ajrore të Rusisë në Siri.

Artikulli paraprakHoxha nga Tetova, bekoi hapjen e tunelit më të gjatë në botë
Artikulli vijuesHadi Osmani: Jam rritur në Sllupçanin e Jakup Asipit dhe i shërbej drejtësisë